Uidhers: Admirim për Ina Ramën,çoroditëse kërkesa për komision hetimor
BLEDAR HOTI
Ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhers e cilëson të çuditshme kërkesën e kryeministrit Berisha për hetim ndërkombëtar për rolin e Prokurorisë së Përgjithshme. Uidhers është shfaqur dje në krah të kryeprokurores Ina Rama, duke i dhënë mbështetjen publike pa rezerva asaj. Zyrtari i lartë amerikan ka lënë mënjanë gjuhën diplomatike dhe i është drejtuar direkt kryeministrit, që të mos ushtrojë presion ndaj institucionit të pavarur si Prokuroria e Përgjithshme. "Më lejoni të përfundoj me disa komente mbi zhvillimet e kohëve të fundit në Shqipëri. Siç jeni shumë mirë në dijeni, parlamenti po shqyrton fillimin e një komisioni hetimor për funksionimin e prokurorëve dhe Prokurores së Përgjithshme këtu në Shqipëri. Qeveria ka bërë thirrje edhe për një farë inspektimi ndërkombëtar në këtë fushë, të cilin, sinqerisht, e gjej të pashpjegueshëm. Të gjitha këto i gjej shumë çoroditëse dhe mjaft shqetësuese. Sinqerisht, nuk shoh asnjë arsye legjitime përse qeveria apo parlamenti t'i ndërmarrë këto lëvizje", deklaroi Uidhers. Ambasadori amerikan theksoi se "nxis si qeverinë, ashtu edhe parlamentin të rishqyrtojnë këto lëvizje impulsive, që duken se ndërhyjnë në pavarësinë e një institucioni që ka nevojë të jetë i pavarur. Këshilla ime dhe e qeverisë sime është që prokurorët të lejohen të bëjnë punën e tyre si aktorë të pavarur që janë". Uidhers më pas ka aluduar në fjalën e tij nëse parlamenti ka të drejtën e krijimit të një komisioni hetimor parlamentar. "Tetorin e kaluar, pak pasi kisha ardhur këtu, parlamenti kish filluar një komision hetimor për ish-Prokurorin e Përgjithshëm. Tani, duket se synon të bëjë të njëjtën gjë ndaj Prokurores së Përgjithshme aktuale. Po, parlamenti ka të drejtë të ngrejë komisione hetimore, por mos është kjo diçka që parlamenti shqiptar e bën çdo tetor?", theksoi ambasadori amerikan.
Lavdet për Ina Ramën
Uidhers e ka nisur fjalën e tij me një mbështetje publike ndaj kryeprokurores, duke shtuar se emri i saj do të shkruhet në librat e historisë së demokracisë shqiptare. Ambasadori amerikan ka perifrazuar dhe fjalët e kryeministrit Berisha muaj më parë, kur Kuvendi zgjodhi kryeprokuroren. "Dëshiroj të filloj duke shprehur urimet dhe admirimin tim për Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Në të kaluarën, znj. Rama është krahasuar me personazhin artistik Silvia Konti. Siç e dini, Znj. Konti ishte e përkushtuar dhe e vendosur të luftonte krimin, pavarësisht çfarë pengesash i krijonin, pavarësisht nga vështirësia e rrethanave, apo kundërshtitë ndaj saj. Ky krahasim është me vend, por nuk arrin lart sa duhet. Sepse personazhi i Silvia Kontit ishte artistik ndërsa detyrat që znj. Rama ka marrë përsipër janë shumë reale", deklaroi Uidhers. Diplomati i lartë amerikan i ka dhënë më pas kurajë kryeprokurores në lidhje me detyrën e saj dhe për luftën kundër korrupsionit. "Përgjegjësitë e saj janë jo vetëm të hetojë disa prej çështjeve më të vështira dhe më të debatueshme që ka njohur ndonjëherë Shqipëria, por në një kuptim më të gjerë dhe më të thellë, të japë një kontribut me peshë në ndërtimin e demokracisë shqiptare, duke mbrojtur pavarësinë e institucionit të saj dhe të gjyqësorit në përgjithësi, ndaj presioneve politike dhe sulmeve politike. Nuk më duhet ndonjë mençuri e madhe për të parashikuar që kur të shkruhet historia e demokracisë shqiptare, për njerëzit si Ina Rama do të ketë një kapitull të veçantë", deklaroi Uidhers. Më pas ambasadori duke iu drejtuar prokurorëve shtoi se "të gjithë ju në këtë sallë keni një Yll Polar. Dhe ky yll është Ligji. Për sa kohë që ndiqni ligjin, pavarësisht nga kritikat që merrni, pavarësisht nga presionet që ju bëhen, edhe ju, do ta arrini objektivin tuaj përfundimtar".
Leskaj: Ina Rama të heqë Shtyllën, Sollaku depolitizoi Prokurorinë
Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj i kërkoi kryeprokurores Ina Rama të shkarkojë nga detyra Zamir Shtyllën, pasi ai është një nga njerëzit që ka punuar në kohën e regjimit komunist. Si një nga deputetët që ka votuar pro caktimit të Ina Ramës në postin e kryeprokurores, Leskaj i ka dhënë një këshillë asaj "Dua t'i kujtoj miqësisht zonjës prokurore të Përgjithshme, nëse ka kohë të lexojë një roman të Kadaresë "Jeta, gëlonja dhe vdekja e Anton Mazrekut". Pse e them këtë? Në atë roman prokurorja e Përgjithshme do të shikojë se figura qendrore më e urryer e atij romani sot është në krah të djathtë të saj", theksoi Leskaj. Sipas tij, Rama duhet të shkarkojë prokurorin Zamir Shtylla. "E pra shqiptarët në 1990, 1992, 2002, 2005 nuk votuan që në Prokurorinë e Përgjithshme të jenë drejtues de facto, ne votuam për Ina Ramën, nuk votuam për Zamir Ramën, apo për Shtyllën e Ramës. Nuk votuam që ligjin, drejtimin në Prokurori ta ketë një njeri që ka shërbyer që ka nga koha e Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Simon Stefanit, apo nxënës i Aranit Çelës", theksoi Leskaj. Ai dha vlerësime për punën e kryer nga Sollaku, duke qenë i pari përfaqësues nga maxhoranca, që vlerëson njeriun që ajo e shkarkoi një vit më parë. "Kryeprokurorja duhet të vlerësojë ato arritje, pavarësisht se ne si pozitë nuk ditëm t'ia njihnim prokurorit të mëparshëm, duam apo s'duam ne e depolitizoi Prokurorinë e Përgjithshme", theksoi Leskaj.
Reagon Ministria e Ekonomisë: E vërteta mbi Porto-Romanon
KRRTRSH-ja nuk ka miratuar ende projektin për zonën e Porto-Romanos dhe si e tillë nuk është vendosur se në ç’zonë të këtij parku do të ndërtohet TEC-i i ri apo projektet e tjera. Ky ka qenë reagimi zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë mbi zonën e Porto-Romanos, zonë në të cilën dyshohet se Fazlliç, biznesmeni i shumëpërfolur ka blerë tokë. Sipas METE-s, Porto Romano është një projekt i ideuar që në vitin 2000, fillimisht si një port dhe zonë për tregtimin dhe depozitimin e karburanteve, ide që u zgjerua gjatë viteve në vazhdim duke ardhur në propozimin e ndërtimit të një parku energjetik. Madje, për zhvillimin e kësaj zone deri tani janë bërë vetëm studimet e nevojshme, por ende nuk është marrë miratimi në KRRTRSH dhe aq më tepër nuk është vendosur se në ç’zonë të këtij parku do të ndërtohet TEC-i i ri apo projektet e tjera. “Parku i Porto Romanos nuk është një investim publik. Qeveria shqiptare dhe studimet e kryera për këtë thjesht kanë synimin të orientojnë privatët në investimet e tyre. Partia Socialiste ka sugjeruar shtetëzimin e këtij parku, shumica e të cilit është pronë private, ndërkohë që mënyra më e drejtë për zhvillimin e kësaj zone do të ishte nëpërmjet investimeve private. Por meqenëse PS-ja sugjeron shtetëzimin, ne mirëpresim propozimin dhe projektligjin e tyre”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në deklaratën e saj zyrtarët e kësaj ministrie kanë reaguar edhe mbi akuzat e ngritura për favorizimin e kompanive të veçanta për importin e energjisë. “Detyrimi ynë kryesor vijon të mbetet sigurimi i energjisë elektrike dhe nuk është fakt i panjohur pozicioni dominues i kompanive serbe në tregun e shitblerjes së energjisë elektrike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje Greqi, Maqedoni apo Kosovë”, citohet në këtë deklaratë. Kështu gjatë viteve të fundit, blerjet e energjisë janë bërë gjithmonë me parimin e garës dhe çmimit më të lirë të ofruar. “Nuk është aspak e vërtetë se blerjet e energjisë nga kompanitë serbe janë favorizuar tre vitet e fundit. Përkundrazi, nëse do të krahasojmë shifrat e importeve në vitet e fundit, rezulton për shembull se në vitin 2003, 100% e energjisë është blerë nga kompanitë serbe, ndërsa në vitin 2006, vetëm 9% është blerë nga këto kompani, në vitin 2007 - 61% dhe po kaq në vitin 2008”, theksohet në deklaratën e ministrisë.
Te Dhena
Viti 2003, 100 për qind e energjisë është blerë nga kompanitë serbe Viti 2006, 9 për qind e energjisë është blerë nga kompanitë serbe Viti 2007 dhe 2008, 61 për qind e energjisë është blerë nga kompanitë serbe
Berisha: Gati të shtetëzoj Porto Romanon
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha i kërkon opozitës hartimin e një ligji për shtetëzimin e tokave në Porto Romano, zonë ku edhe Fazlliç ka pronësinë e tij.
Berisha u shfaq dje në Kuvend, pas deklaratës zyrtare të ambasadorit Uidhers, pro Kryeprokurores Ina Rama, duke anashkaluar kërkesën e maxhorancës për ngritjen e komisionit hetimor dhe thirrjen e ekspertëve të huaj. Kryeministri hodhi një lumë akuzash ndaj opozitës, duke e cilësuar si e kapur nga krimi. "Keni ngritur shpifjet e trillimin se Fazlliç ka blerë tokë te njollat e Termocentraleve dhe unë kam këtu propozimin konkret, nëse jua mban silleni ligjin për shtetëzimin, ju jap fjalën e nderit se do të shtetëzoj çdo centimetër në atë tokë. Bëjeni pra, unë jam kundër shtetëzimeve, mos lehni si kone, mos u keqpërdorni si kone, silleni ligjin po ua mban, por s'jua mban se ju jeni hajdutët e tokave që keni shitur aty, s'ju lanë, s'ju lanë, do t'ua faktoj unë ju", deklaroi Berisha. Kreu i ekzekutivit theksoi se opozita sulmon, pasi është e lidhur nga krimi i organizuar. "Të kapur këmbë e kokë nga klanet që kanë ndërtuar parajsën e tyre, sipas raporteve ndërkombëtare mbi drogën. Pas shërbimeve që i janë bërë Dondollakut nga korrierët e tyre në Parlament, pas agresivitetit dhe lidhjeve me Kadriovskit, dhe vizitën në mesnatë te shtëpia e tij, siç deponon ai vetë, pas një seri aktesh të kapur këmbë e kokë, pas dhjetërave leje të dhëna, Delijorgjit vetëm tre ditë para arrestimit, pas pushimeve në Kretë dhe në vende të tjera të kryera me paratë e tij, pas vrasjeve me jastëk në hotelet e Spanjës, pas plumbave me qilim e 313 në Tiranë të gjitha këto ju keni gjetur një kauzë të re. Tani unë nuk merrem me këto, do të merren shqiptarët me verdiktin e tyre", deklaroi Berisha. Më pas, ai i ka kërkuar opozitës që të realizojë mocionin e besimit, nëse duan të përballen me të. "Ku guxoni ju o të skllavëruar nga zinxhirët e mafies, makthet e një krimi të cilin ju jeni lidhur, lidhjet tuaja me bosët, ish-bosët. Që në momentin që ju nuk vini me mocion besimi ndaj kryeministrit, ju dëshmoni se jeni të kastruar. Problemi është te hormonet politike. Jeni të lidhur me bosët dhe ish-bosët e mafias, të cilët nuk kanë të ardhme, por drejtësia dikur do të vihet në vend", u shpreh Berisha. Për kryeministrin, opozita pasi dështoi me çështjen e "Trebicka" kërkon një kauzë të re. "Vazhdon opozita e Bosnjës, e trillimeve dhe të mashtrimeve, opozita e kapur këmbë e krye nga klane, të cilët kanë marrë goditje dhe janë të pashpresë. Po lidhur me të gjitha këto do të jetë sovrani që do të japë verdiktin, sepse siç morët verdiktin për Trebickën që e ekzekutuan për së vdekuri dhe s'ka mbetur asnjë grimcë moral të kërkoni të falur. Përdhosni të vdekurit, profanoni dhe s'kërkoni të falur, i përdorni të vdekurit për qëllime makabre politike dhe s'kërkoni të falur, i thërrisni qytetarët në pseudo mitingje dhe nuk kërkoni të falur", deklaroi Berisha. Fjalimi i Berishës ka shkaktuar polemika të mëdha nga ana e opozitës. Pas këtij diskutimi, kryeministri iku nga salla, ndërsa kryeparlamentarja Topalli ka ndërprerë seancën për 10 minuta, gjersa të rikthehej qetësia në sallë.
Dade: Fazlliç, u dëmtua imazhi i vendit
"Damir Fazlliç dhe rrethi i interesave të dukshme dhe të padukshme që ai përfaqëson, po thellon pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj qeverisë së tyre, por edhe vazhdon të dëmtojë pozitën e vendit dhe imazhin e tij ndërkombëtar. Ky shtet është i kapur fund e krye nga korrupsioni, këtë e kanë parë dhe po e shohin përditë e më tepër ata që na asistojnë dhe që na ofrojnë bujarisht një ndihmë me të cilën qeveria abuzon politikisht. Kujdes qeveria është nën monitorim", tha socialistja Dade.
Balla: Hetimin e kërkon prokuroria
"Si është e mundur që të keqpërdoren inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, për t'i bërë presion natën prokurorëve të ngarkuar me hetimin e pisllëqeve që ka kryer në Shqipëri ky mafio-biznesmeni serb, mik i kryeministrit shqiptar. Keni kërkuar hetim ndërkombëtar për një trafikant të rëndomtë, një shpëlarës parash të pista. Kushtetuta ia ka dhënë prokurorisë dhe është ajo që e ushtron këtë detyrë, dhe as Berisha, as Patozi dhe askush tjetër nuk ka pse ta kërkojnë atë", tha Balla.
Alibeaj: Opozita, politikë e vjetër
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj e cilësoi si 'politikë të vjetër' fushatën e akuzave të hedhur nga opozita lidhur me çështjen "Fazlliç" dhe raportet mes qeverisë dhe prokurorisë. "Akuzat tuaja në sallën e parlamentit janë të pavërteta, të ngritura mbi shpifje dhe trillime dhe jo mbi prova e fakte. Ky është stili i ri i politikës së vjetër të të bërit opozitë, politikë që po instrumentalizon edhe organin e prokurorisë, që është një institucion i pavarur", tha Alibeaj.
Leskaj: Berisha të dëgjojë mirë ambasadorin e SHBA
Partia Socialiste i kërkoi Kryeministrit Berisha të dëgjojë mirë deklaratat e ambasadorit amerikan, Uidhërs. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, shprehu mbështetje të plotë për deklaratën e ambasadorit amerikan z.Uidhërs, bërë në Prokurorinë e Përgjithshme, si vijim i mbështetjes që ai si përfaqësues i shtetit amerikan, i bën demokracisë dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri dhe në veçanti Prokurorisë, e cila është vënë rishtazi nën presionin e Qeverisë. “Kjo situatë rëndohet më shumë kur edhe pas deklaratës së para dy ditëve të ambasadës amerikane, që kritikon ndërhyrjen e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Brendshëm në punët e Prokurorisë, pasuar nga ajo e ambasadorëve të BE-së për të njëjtën çështje, Qeveria dhe kryeministri dolën me tezën uzurpuese të ngritjes së dy komisioneve ndërkombëtare hetimi dhe një parlamentar për Prokurorinë”, tha Leskaj. Sipas saj, kjo situatë e rënduar sjell reminishencat e vitit 1996-1997. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron antikushtetuese si përpjekjen për anashkalim të Prokurorisë, në rastin e kërkesës për hetim ndërkombëtar të çështjes, edhe kërkesën për hetim parlamentar ndaj saj, kur çështja është në proces. Sipas kryetares së grupit parlamentar socialist, PS-ja nuk do të pranojë asnjë komision hetimor që bie ndesh me Kushtetutën, që synon presionin ndaj institucionit të Prokurorisë.
Veliaj: Ina Rama, shans të hyjë në histori
Drejtuesi i “G99”, Erion Veliaj, vlerësoi dje deklaratat e ambasadorit amerikan në Tiranë. “Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar sot pas fjalës së zotit Uidhërs në mbrojtje të prokurorisë shqiptare, jemi të trishtuar, sepse si në vitet 1990, 1996, 1997, të huajt janë ata që na tregojnë sesa e paaftë, sesa agresive dhe autoritariste dhe sa e padrejtë dhe sa gabim e ka qeveria shqiptare. Sot i vetmi lajm i mirë në deklaratën e zotit Uidhërs është fakti që ka një konsensus të përgjithshëm që zoti Berisha e ka gabim”, tha Veliaj. “G99” mbështet punën e Prokurorisë dhe të kryeprokurores Ina Rama, “jo vetëm sepse ajo ndodhet nën këtë sulm, por edhe pse ajo ka shansin për të hyrë në histori, ka shansin që sot ajo të hyjë në histori si prokurorja e parë që shkon deri në vatrën e një familjeje të korruptuar, siç është ajo e zotit Berisha”.