Avokati i prokurimeve, ja abuzimet me tenderët
Pjesa dërrmuese e tenderëve në Shqipëri fitohen nga kompanitë që ofrojnë çmimin më të ulët, pa dhënë asnjë garanci për cilësinë. Kështu është shprehur dje në komisionin e ekonomisë avokati i prokurimeve, Edi Spaho. Gjatë prezantimit të raportit për vitin 2008, Spaho u shpreh se “Ligji është shprehur qartë dhe është rregulluar shumë mirë, pasi i parashikon të dyja si çmimin më të ulët, por gjithashtu edhe vlerën më të mirë ekonomike. Kjo e dyta është një kombinim i cilësisë me çmimin, pra jo gjithmonë çmimi i ulët fiton automatikisht. Autoritetet kontraktore janë të frikësuara të marrin ndonjë çmim tjetër, përveç çmimit më të ulët, një fenomen në masë ky që dëmton në shumë raste edhe cilësinë”. Avokati i Prokurimeve ka deklaruar se kompanitë po hasin probleme edhe me prokurimet elektronike, një sistem që u zbatua me qëllim eliminimin e korrupsionit me tenderët, por që nuk po funksionon siç duhet. “Operatorët ekonomikë kanë shprehur shqetësimin se me sistemin elektronik të prokurimeve aktualisht nuk është e mundur të njohën me dokumentacionin dhe çmimet të ofertave të konkurrentëve pjesëmarrës pas hapjes së ofertave. Gjithashtu një problem tjetër shqetësues mbetet fakti se komisionet e vlerësimit të ofertave në rast të ndonjë gabimi në vlerësim nuk kanë mundësinë të rivlerësojnë ofertat, sepse aktualisht sistemi nuk e lejon një gjë të tillë”, ka thënë ai.