E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vendi në NATO, zgjedhjet po dështojnë

 

Kryetari i PS-së Edi Rama i bëri apel dje qeverisë dhe Kryeministrit Berisha të mos u shesë me para qytetarëve të drejtën për të votuar. Këtë deklaratë Rama e bëri gjatë një konference për shtyp në selinë rozë. “Zgjedhjet që vijnë janë provimi i parë i Shqipërisë në NATO. Kohë për të humbur nuk ka, në qoftë se nuk duam ta humbasim këtë provim. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, hija e dështimit të këtij provimi të parë, të demokracisë tonë, është përditë e më kërcënuese. Nuk ka kohë për të humbur. Kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, qindra mijëra qytetarë e qytetare kërcënohen në të drejtën e tyre themelore të zgjedhjes, për shkak se nuk paguajnë dot kartën e identitetit. Nuk ka kohë për të humbur”, tha Rama. Kreu socialist, duke shprehur shqetësim për standardet e zgjedhjeve tha se “kur mbeten edhe vetëm 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, qeveria, vazhdon të mbajë në fuqi, një taksë të mirëfilltë vote, që të varfrit nuk e përballojnë dot. Nuk ka më kohë për të humbur”. Në këtë kuadër ai i drejtoi qeverisë një apel, ku i kërkoi kryeministrit të marrë parasysh propozimin e PS për dokumentet e reja të identitetit. “Kur mbeten edhe 83 ditë nga të parat zgjedhje të Shqipërisë në NATO, ne i themi qeverisë të dëgjojë zërin e arsyes, duke hequr taksën e votës dhe duke dhënë falas kartën e identitetit për votim. Nuk ka më kohë për të humbur”. Kryetari socialist i kërkoi qeverisë shqiptare të përligjë besimin që i dhanë shtetet anëtare të NATO-s me anëtarësimin që i bënë Shqipërisë dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme në arritjen e standardeve të zgjedhjeve. “Ne shpresojmë dhe urojmë që qeveria shqiptare do të jetë në lartësinë e provimit të parë të Shqipërisë në NATO, që janë zgjedhjet e 28 Qershorit dhe nuk do të bëhet në asnjë mënyrë shkaktare e një dështimi historik. Nga ana jonë do të bëjmë gjithçka na takon, që Shqipëria të kalojë me sukses këtë provim të madh”, tha Rama. Sipas tij, me hyrjen në NATO u mbyll një proces historik për Shqipërinë, por edhe u rrit barra e përgjegjësive e detyrimeve tona për të garantuar standardet e lirisë dhe të demokracisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›