E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnisti për 37 të dënuar pas NATO, Topi fal edhe nënë Feriden

 

Trazhgim Sokolaj

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi dje se me dekret të Presidentit Bamir Topi, 15 persona të burgosur përfituan ulje dënimi ndërsa u liruan nga qelitë me faljen e gjithë dënimit të mbetur, 22 persona të dënuar. Sipas burimeve zyrtare, “në bazë të dekretit nr. 6122 datë 6 prill 2009 të Presidentit të Republikës “për falje dënimi” ulet masa e dënimit për 2 të dënuara gra në burgun 325 në Tiranë ndërsa lirohen 16 të dënuara që deri dje mbaheshin në këtë burg. Sipas drejtorisë së Përgjithshme, është ulur dënimi për 13 të dënuar burra, mes të cilëve tre mbahen në burgun e Burrelit, 1 në burgun e Lushnjës dhe 9 në burgun e Krujës. Në deklaratën e Drejtorisë së Burgjeve, thuhet se dekreti i Presidentit ka liruar nga qelitë e burgut të Krujës edhe gjashtë persona. Sipas burimeve zyrtare mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bashkëpunuar me Presidencën me dokumentacionin e dekretit dhe tashmë ka marrë edhe masat përkatëse për zbatimin e tij. Mësohet se lirimi i të dënuarve që përfitojnë nga dekreti ka filluar që ditën e djeshme, ndërsa për ata që kanë pësuar ulje dënimi, prej ditës së sotme në dosjet e tyre do të shënohet zbritja e viteve sipas dekretit presidencial. Dekreti i djeshëm është firmosur nga kreu i shtetit një ditë pas kthimit nga Strasburgu, ku Shqipëria u bë anëtrare e NATO-s. Ai është dekreti i dytë për falje dënimi që firmoset nga Presidenti aktual Bamir Topi. Një vit më parë, më 7 mars 2008 kreu i shtetit shpalli dekretin me nr. 5651. mbi bazën e dekretit të vitit 2008 përfituan 31 të dënuar emrat e të cilëve ishin propozuar nga organet e pushtetit lokal dhe institucionet tjera të shtetit. Mosha mesatare e personave që kanë pëfituar ulje dënimi apo lirim nga burgu me dekretin e djeshëm, është 65 vjecc. Në dekretin e fundit të Presidentit por edhe në dokumentacionin shoqërues, është sqaruar se vendimi i kreut të shtetit është bazuar në emrat e propozuar nga pushteti lokal, në rrezikshmërinë e veprave penale të kryera, në sjelljen gjatë vuajtjes së dënimit por edhe në moshën e personave përfitues. “Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit të Republikës njofton se në bazë të nenit 92, pika b të Kushtetutës, Presidenti ka ushtruar të drejtën e faljes për një numër të dënuarish”, thuhej dje në një njoftim nga Presidenca. Sipas tij, në ushtrimin e të drejtës së faljes, Presidenti i Republikes ka vlerësuar dhe është mbështetur në kritere, që lidhen me shlyerjen e fajit nga i dënuari dhe rehabilitimin e tij, gjendjen shëndetësore, gjininë, moshën dhe llojin e veprës penale të të dënuarit. “Në bazë të dokumenteve dhe informacioneve të ardhura nga institucionet përkatëse, si dhe atyre që kërkon ligji, Presidenti i Republikës ka dekretuar faljen e plotë ose të dënimit të mbetur të të dënuarve sipas dekretit numër 6122, datë 6 prill 2009”, deklaroi institucioni më i lartë i shtetit.

Emrat e të falurve ne dekret

1. Abedin Spaho Reshlani
mosha 69 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 69, datë 15.02.2001, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur.
2. Ali Hider Caca
mosha 70 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Kurbin, me vendimin nr. 32, datë 04.05.1995, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur.
3. Arsime Ruko
mosha 57 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.65 , datë 03.03.2008, i falet dënimi i mbetur.
4. Arsela Zhdanov Veli
mosha 29 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, me vendimin nr.7 , datë 05.02.2003, i falen 3 vjet nga dënimi i mbetur.
5. Aurora Breçani
mosha 22 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.76 , datë 28.01.2008, i falet dënimi i mbetur
6. Donika Bektash Kanaj
mosha 51 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.204 , datë 02.06.2006, i falet dënimi i mbetur.
7. Emerli Hamit Ndreu
mosha 71 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.812, datë 19.09.2006, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur.
8. Eglijana Patok
mosha 23 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin nr.181, datë 16.07.2008, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur.
9. Feride Arif Bako
mosha 75 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.14, datë 22.01.2007, i falet dënimi i mbetur.
10. Floresha Veli Malaj
mosha 46 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.12 , datë 24.01.2006, i falet dënimi i mbetur.
11. Geg Shuk Ndreca
mosha 78 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Lezhë, me vendimin nr. 37, datë 03.07.1998 ndryshuar me vendimin nr.25, datë 07.03.2000 të Gjykatës së Apelit Shkodër, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur.
12. Gjylstane Tefik Elmazi
mosha 49 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin nr.56P-10, datë 26.02.2006, i falet dënimi i mbetur.
13. Hito Nevrus Zogaj
mosha 74 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 260, datë 10.11.2005 i falet dënimi i mbetur.
14. Idajete Alush Myrtaj
mosha 64 vjeç dënuar nga Gjykata e Rrethit Fier, me vendimin nr.140 datë 25.05.2006, i falet dënimi i mbetur.
15. Inxhi Xhezo Xhaferraj
mosha 48 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.326, date 02.12.2004, i falet dënimi i mbetur.
16. Lavdije Shaban Haluli
mosha 37 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.142 , datë 11.02.2008, i falet dënimi i mbetur.
17. Marash Pal Nika
mosha 75 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë, me vendimin nr.18, datë. 07.03.2003, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur.
18. Mersin Halit Dani
mosha 77 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, me vendimin nr. 27, datë 28.02.1992, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur.
19. Milika Mynyr Hoxhaj
mosha 51 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.306, datë 22.12.2005, i falet dënimi i mbetur.
20. Nazmi Jonuz Frashëri
mosha 66 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.32, datë 02.02.2005, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur.
21. Nazif Dane Lleshi
mosha 71 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gramsh, me vendimin nr. 59, datë 29.10.2004, ndryshuar me vendimin nr.63, datë 28.02.2005 të Gjykatës së Apelit Durrës, i falet dënimi i mbetur.
22. Ndue Gjergj Gega
mosha 74 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Kurbin, me vendimin nr.65, datë 22.08.1994, i falen 5 vjet nga dënimi i mbetur.
23. Nikoll Pjetër Perjaku
mosha 83 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr. 46, datë 30.07.1996, i falet dënimi i mbetur.
24. Nuro Sheme Gjonzenelaj
mosha 72 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Vlorë, me vendimin Nr. 111, datë 23.03.2006, i falet dënimi i mbetur .
25. Nush Lush Paloka
mosha 72 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin nr.84, datë 30.07.1994, ndryshuar me vendimin nr.63/rishikimi, datë 05.03.1995 të Gjykatës së Kasacionit, i falet 1 vit nga dënimi i mbetur.
26. Qamil Dane Ferro
mosha 73 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.216, datë 28.09.2005, i falet dënimi i mbetur.
27. Riza Hysen Dani
mosha 73 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Bulqizë, me vendimin nr. 03, datë 07.01.1999, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur.
28. Sabri Murat Dedja
mosha 77 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, me vendimin nr.21, dt. 01.03.2000, i falen 4 vjet nga dënimi i mbetur.
29. Sadik Bajram Nezaj
mosha 73 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Tropojë, me vendimin nr.80, datë 11.11.2005, ndryshuar me vendimin nr. 162, datë 30.05.2006 të Gjykatës së Apelit Shkodër, i falen 2 vjet nga dënimi i mbetur.
30. Spiro Kamber Muçaj
mosha 65 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 280, datë 12.07.2006, i falet dënimi i mbetur.
31. Sulejman Ymer Kasmi
mosha 74 vjeç, dënuar përfundimisht nga Gjykata e Rrethit Kurbin, me vendimin nr. 88, datë 08.12.2000, i falen 5 vjet nga dënimi i mbetur.
32. Shqiponja Hoxhe Bylyshaj
mosha 40 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.174, datë 08.05.2006, i falet dënimi i mbetur.
33. Shkurte Sali Kozi
mosha 61 vjeç, dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, me vendimin nr.42, datë 23.06.2005, i falet dënimi i mbetur.
34. Xhevahire Sherif Velija
mosha 41 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.116, datë 06.06.2007, i falet dënimi i mbetur.
35. Xhevrie Sabri Zykaj
mosha 42 vjeç, dëuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqëor Fier, me vendimin nr.127, datë 19.05.2005, i falet dënimi i mbetur.
36. Ylvije Jaup Nuredinaj
mosha 53 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.23, datë 01.02.2005, i falet dënimi i mbetur.
37. Zarife Sinan Ymeraj
mosha 61 vjeç, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.66 , datë 24.02.2006, i falet dënimi i mbetur.

Rama: Mbarësi familjes së nënë Feridesë

Kryetari i Partisë Socialiste shpreh kënaqësinë e veçantë për lirimin nga burgu të nënë Feridesë dhe të grave të tjera që përfituan nga falja e Presidentit të Republikës. “Më në fund zëri i atyre mijëra njerëzve që firmosën peticionin për lirimin e nenë Feridesë u dëgjua”, u shpreh përmes një deklarate kryetari socialist. Duke uruar që rasti në fjalë të shërbejë për të nxitur politika me largpamëse zhvillimi e përkrahjeje të zonave të varfra të vendit dhe të familjeve të varfra të këtyre zonave, kryetari Rama, i uron shëndet e mbarësi familjes së ribashkuar të Feride Bakos.

Merr fund kalvari i 75-vjeçares Bako: Më presin nipërit jetimë në shtëpi

TIRANE – E moshuara 75-vjeçare që vuante dënimin për kultivim të hashashit nuk njihej nga askush, derisa një kronikë televizive e ktheu emrin e saj në temë debati politik. Feride Bako, e cila gjatë festave të fundvitit përfitoi 5 ditë leje për të qëndruar pranë nipave të saj jetimë, tashmë do të qëndrojë çdo ditë pranë tyre. Falja e djeshme e dekretuar nga Presidenti i Republikës e liroi atë nga hekurat e qelisë, duke i falur pjesën e mbetur të dënimit. E moshuara Bako, nga fshati Mbyhet i qarkut Fier, ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Fierit me 5 vjet heqje lirie për akuzën e “kultivimit të lëndëve narkotike”. Ajo u arrestua nga policia në prill të vitit 2008. Para arrestimit ajo jetonte vetëm më dy nipërit e saj të mitur, të mbetur jetimë pas vdekjes së babait të tyre në Greqi. Që prej arrestimit ajo u dërgua dhe u mbajt në qelitë e Burgut 325 në Tiranë. Në dhjetor të vitit 2008, teksa kishte kryer 9 muaj nga dënimi i dhënë për të, rasti i 75-vjeçares bëhet i ditur për mbarë opinionin nga publikimi i historisë së saj në media. Në një kohë shumë të shkurtër emri i saj u kthye në qendër debati. Pak ditë më pas, kryetari i Partisë Socialiste i dërgoi një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkonte amnisti për të moshuarën. “Pasi ka humbur djalin emigrant e në ndërkohë edhe të shoqin, ajo ka mbetur e vetmja mbështetje për dy nipërit e saj ende fëmijë, të cilët mbijetojnë vetëm, në një kasolle pa asnjë kusht për t’u quajtur shtëpi”, thuhej në letrën e kryesocialistit drejt Presidentit. Ndërkohë që për faljen e të moshuarës u mblodhën edhe disa qindra firma nën një peticion që kërkonte lirimin e saj. Në një prononcim të dhënë dje për agjencinë e lajmeve NOA, e moshuara ka shprehur dëshirën që dërgimi i saj në shtëpi të kryhej nga kreu i opozitës. “Nuk kam kush të më dërgojë për në shtëpi, të më vijë Edi Rama dhe të më shoqërojë”, ka thënë ajo për NOA-n. ar.ba

Lë qelinë Aurora Breçani, vajza e dënuar për vrasje

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje faljen e dënimit të 37 personave që po vuanin dënimin me burg.
Në listën e “fatlumëve” ndodhet edhe mbesa e këngëtares së njohur Fatmira Breçani, 22-vjeçarja Aurora Breçani, e dënuar për vrasje një vit më parë. Lajmi i dekretimit të faljeve u bë i ditur nga zyra e shtypit të Presidencës, si dhe u konfirmua nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, burime pranë së cilës pohuan se kishin filluar procedurat për lirimin e të burgosurve. Mësohet se në ushtrimin e të drejtës së faljes, Presidenti i Republikës ka vlerësuar dhe është mbështetur në kritere, që lidhen me shlyerjen e fajit nga i dënuari dhe rehabilitimin e tij, gjendjen shëndetësore, gjininë, moshën dhe llojin e veprës penale të të dënuarit.
Ngjarja që u bë shkak për dënimin e Aurora Breçanit ka ndodhur më 14 tetor të vitit 2005. Në mesditë në banesën e familjes Breçani, në fshatin Markaj, është vrarë me breshëri automatiku kallashnikov Agron Rrahmani, një ish-emigrant. Sipas gjykimit të çështjes, në momentin e vrasjes në banesë ndodhej vetëm Aurora Breçani, në atë kohë 18 vjeçe. E reja etiketohet dhe arrestohet nga policia si autorja e ngjarjes, ndërsa nuk bëhet e ditur dinamika si kishte ndodhur krimi. Në një kohë të shkurtër shfaqen versione të ndryshme për të njëjtën ngjarje dhe po aq ishin dhe pistat hetimore të Prokurorisë. Organi i akuzës shtroi dy pista kryesore në lidhje me ngjarjen: atë të vrasjes së Rrahmanit pasi ai donte ta dhunonte Aurora Breçanin, si edhe mundësinë e vrasjes së tij, pasi ai po kërkonte ta grabiste vajzën 22-vjeçare. Ndërkohë që nuk mungonte edhe pista e një lidhjeje të mundshme dashurie mes ekzekutores dhe viktimës së krimit. Të dhënat kontradiktore në vendngjarje, por edhe deklarimet që kundërshtonin njëra-tjetrën nga vetë Aurora Breçani, e fusin ngjarjen në një “qorrsokak” edhe për vetë organet e drejtësisë. Ngjarja pati edhe të tjera pasoja për familjen Breçani, anëtarët e të cilës u ngujuan, duke iu frikur një hakmarrjeje të mundshme nga të afërmit e viktimës. Në përfundim të hetimeve Aurora Breçani dërgohet në gjykatë si e pandehur me akuzat e “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtje pa lejë”, ndërkohë që në përfundim të gjykimit akuza ndryshoi në “vrasje të kryer në kushtet e goditjes së rëndë psikike”. Në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi shpalljen fajtore dhe dënimin me 18 vjet heqje lirie të Aurora Breçanit. Verdikti përfundimtar i gjykatës më 28 janar 2008 e dënoi vajzën me 7 vjet burg. Gjatë seancave gjyqësore në ngarkim të saj, vetë Aurora Breçani ka mohuar kategorikisht mundësinë e një lidhjeje mes saj dhe viktimës. Në një nga seancat prokuroria paraqiti në gjyq disa mesazhe telefonike të shkëmbyera mes autores së krimit Aurora Breçani dhe viktimës së vrasjes, Agron Rrahmani. Ndërsa vetë Breçani ka pretenduar se viktima Rrahmani kishte tentuar të kryente veprime të turpshme me të, prandaj ajo është vetëmbrojtur duke përdorur armën e zjarrit. Pasi ka kryer vetëm një pjesë të dënimit, Aurora Breçani do të shijojë sërish lirinë jashtë portave të hekurta të burgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›