E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Privati i rriti pagat më shumë se shteti

 

Fabiola Çela

Rritja e pagave ka qenë më e lartë në sektorin privat sesa në sektorin shtetëror. Sipas raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë, gjatë 3-mujorëve të parë të vitit 2008, është vënë re një ngadalësim i ritmit të rritjes vjetore të pagave, si në sektorin shtetëror dhe në atë privat. “Niveli i pagës mesatare mujore në sektorin shtetëror u rrit mesatarisht me 8.8 për qind, gjatë nëntë muajve të parë të viti. Gjatë të njëjtës periudhë paga mesatare e regjistruar në ndërmarrjet ekonomike vlerësohet të jetë rritur me rreth 15.1 për qind, në terma nominalë vjetorë. Në terma realë rritja vjetore e pagës mesatare, për këtë periudhë vlerësohet të jetë 11 për qind” thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.  
Pagat
Banka e Shqipërisë në raportin e saj ka detajuar rritjen e pagave për sektorin privat sipas degëve. “Gjatë 3-mujorit të parë të vitit, paga mesatare vjetore nominale për sektorin e prodhimit është rritur mesatarisht me 19.8 për qind në degën e ndërtimit, dhe me 11.8 për qind në degën e industrisë. Në sektorin e shërbimeve, rritja mesatare vjetore e këtij treguesi page ka rezultuar e lartë për tregtinë me pakicë dhe me atë më shumicë, me përkatësisht 25.5 dhe 12.9 për qind”, thuhet në raport. Gjatë vitit 2008 paga bazë minimale mujore ishte 17 mijë lekë. Kjo pagë bazë është rritur me rreth 21.4 për qind në terma vjetorë. Gjatë vitit 2008, niveli bazë i pagesës mujore të papunësisë ka mbetur në nivelin e 5,980 lekë, rreth 14.1 për qind më i lartë se një vit më parë. Ndihma ekonomike mesatare mujore e plotë është rritur me rreth 37.2 për qind në terma vjetorë gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2008, duke arritur kështu në nivelin e 3,405 lekë. Ndërsa ndihma ekonomike mesatare mujore e pjesshme është rritur me rreth 45.1 për qind në terma vjetorë, duke arritur kështu në nivelin e 2,518 lekë. 

Bie ritmi i rritjes për sektorin e ndërtimit
Muajt e fundit të vitit 2008 nuk kanë qenë dhe aq të mbarë për sektorin e ndërtimit. Sipas raportit të bankës së shqipërisë, rritja vjetore e sektorit të ndërtimit gjatë 9-muajve të parë të vitit 2008 ishte 57 për qind. Ritmi i rritjes së ndërtimit ka shënuar normën më të lartë në tremujorin e parë të vitit 2008 për tu ndagalësuar disi në dy tremujorët e tjerë të vitit. investimet në projekte të infastrukturës rrugore dhe dalja e lejeve të ndërtimit nga ngërci i tejzgjatur ka qenë edhe faktorët që kanë nxitur rrijten e aktivitetit të ndëttimit gjatë muajve të parë të vitit 2008. “Vëllimi i ndërtimit gjatë tre tremujorëvë të parë vitit 2008 ka rregjistruar një rritje mesatare vjetore prej rreth 87 për qind, duke shënuar normën më të lartë vjetore në tremujorin e dytë të vitit. të dhënat paraprake tregojnë për një rënie të këtij sektori dhe në tremujorin e fundit të vitit 2008” thuhet në raportin e BSH-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›