Wilson: Jo trazira në zgjedhje, të zgjidhet çështja e kartave
franko egro
Qytetarët shqiptarë duhet të pajisen patjetër me dokumentet e vlefshme për të votuar përpara 28 qershorit. Ambasadori i Britanisë, Frison Wilson, tha në një intervistë në emisionin “60 minuta”, se qeveria duhet të marrë masat për zgjidhjen e çështjes së kartave të identitetit.
Shqipëria është anëtare e NATO-s. A e cilësoni sukses të popullit, shoqërisë dhe politikës shqiptare?
Mendoj që absolutisht po! Gjatë gjithë karrierës sime dhe unë kam shumë kohë në diplomaci, ka qenë e pamendueshme që Shqipëria të ishte anëtare e NATO-s. Tashmë ky është fakt. Më vjen shumë mirë. Më vjen mirë që jam këtu dhe mund ta shoh këtë. Është një ndryshim gjigant. Një mirëseardhje madhështore.
Cilat janë disa nga përfitimet e Shqipërisë nga anëtarësimi në Aleancën e NATO-s?
Mendoj që gjëja më e mirë është që Shqipëria tashmë është pjesë e një aleance. Ajo është një nga aleatet e Mbretërisë së Bashkuar në NATO. Kjo bën një ndryshim të madh. Shqipëria nuk është më vend i izoluar, por është vend anëtar i Aleancës së euroatlantikut. Ky është hap i madh përpara. Mendoj se është pohim politik që Shqipëria tashmë u pranua nga vendet anëtare të NATO-s dhe kjo tregon që ka bërë progres dhe është zhvilluar. Kjo shenjë politike mendoj se është shumë e rëndësishme, sepse vjen zyrtarisht nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.
Përtej faktit se Shqipëria konfirmon një dimension të rëndësishëm të sigurisë së saj nëpërmjet anëtarësimit në NATO, a ka përfitime të tjera politike, ekonomike, demokratike anëtarësimi në Aleancën që i përmban këto vlera?
Përfitimi më i madh është që Shqipëria u bë pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar. Vetëm ky fakt është një gjë shumë e madhe. Gjithashtu i siguron Shqipërisë mbështetjen e aleatëve në shumë fusha. Shumë me rëndësi është fakti që tashmë u flet aleatëve dhe jo thjesht vendeve të huaja. Mendoj se ka përfitime të tjera të mëdha. Kjo do shihet me kalimin e kohës.
Zoti ambasador, nëse do futemi në realitetin konkret, cilat janë sipas jush arsyet përse Shqipëria u anëtarësua në NATO?
Ka shumë arsye. E para: Shqipëria u tregua e gatshme të bëjë disa reforma të vërteta dhe të ecë përpara, si ushtarakisht, edhe politikisht. E dyta: Është e qartë që aleatët besuan se Ballkani Perëndimor duhet të ishte pjesë e NATO-s. Mendoj se kjo do vazhdojë. Është gjë shumë e mirë, sepse paqja në Evropë është me shumë rëndësi. Kur je aleat, perceptimi i problemeve në të ardhmen është më i vogël.
Përsa i përket kritereve ushtarake ka trashëgimi mjaft të mirë. Por përsa i përket kritereve politiko-demokratike, a kanë qenë ato mjaftueshmërisht të përmbushura?
Është e qartë. Nëse Shqipëria mori ftesën dhe u bë anëtare, do të thotë që ka përmbushur kriteret. A duhet bërë më shumë? Sigurisht që po. Sepse si anëtare e NATO-s apo në të ardhmen anëtare e BE-së, ajo duhet të bëjë disa reforma. Por më e rëndësishmja është që këto reforma të bëhen për vetë Shqipërinë dhe jo me qëllimin që duhet hyrë në NATO apo në BE. Për t‘u siguruar që Shqipëria mund të ecë përpara.
Aktualisht vëmë re një debat të ndezur përsa i përket politizimit të anëtarësimit në NATO. Të dy krahët e politikës kërkojnë të përfitojnë në prag të zgjedhjeve. Keni një opinion në lidhje me këtë politizim?
Po, patjetër që kam një opinion. Shqipëria e meritoi dhe u pranua. Njerëzit në Shqipëri dhe klasa politike. Edhe një herë përgëzime.
Politika shqiptare është mbërthyer nga një debat i ndezur përsa i përket aplikimit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
E kam thënë shumë herë që do jetë më mirë që Shqipëria të presë pak para se të bëjë aplikim si vend kandidat i BE-së. Por këtë vendim duhet ta marrë qeveria shqiptare. Unë di që si qeveria dhe opozita, të dyja duan të aplikojnë. Nëse e marrin këtë vendim, në rregull. Janë të lirë të paraqesin kandidaturën. Unë mendoj se është shpejt. Por një aplikim mbetet i tillë dhe duhet shqyrtuar.
Sa të rëndësishme janë zgjedhjet për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt BE-së?
Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të bëhen pa trazira. Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme dhe nëse këto zgjedhje nuk shkojnë mirë, atëherë ato do të reflektojnë shumë keq në imazhin e Shqipërisë. Duhet të jenë sa më të lira dhe të drejta që të jetë e mundur dhe unë besoj që këtë herë kështu do jenë.
Kartat e identitetit janë shndërruar në problemin më madhor të momentit. Si e lexoni ju këtë realitet politik?
Mendoj që kartat e identitetit janë një problem për momentin dhe mendoj që qeveria duhet të shikojë se në ç’mënyrë mund ta zgjidhë këtë problem. Sepse nëse s’e zgjidhin këtë problem dhe njerëzit s’mund të votojnë, atëherë kjo do t’ju bëjë të dukeni keq. Kjo është diçka që duhet ta vendosë qeveria. Qeveria duhet ta shqyrtojë, të vendosin pse, ku dhe si ka një problem dhe pastaj të vendosin sesi ta zgjidhin më mirë.
Qeveria e ka ulur ndjeshëm pagesën për kartat për shtresa të caktuara të shoqërisë, ndërkohë që opozita insiston në dhënien e tyre falas...
Po, ky është një vendim që është qeveria ajo që duhet ta marrë, sepse është e qartë që është një problem buxheti, po ashtu si gjithçka tjetër. Prandaj mendoj që s’duhet të bëj ndonjë koment për këtë gjë. E vetmja gjë që do them është që këto zgjedhje duhet të bëhen pa trazira dhe e vetmja mënyrë që të jenë të lira dhe të ndershme është që kushdo që do të votojë të jetë i aftë të votojë. Pra, të ketë dokumentet e duhura për këtë gjë.
Si e vlerësoni ju zoti ambasador maturinë e klasës politike shqiptare?
Mendoj se kjo tregon që skena politike këtu nuk është zhvilluar ende. Dua të them që në të gjithë vendet që janë në periudhë tranzicioni ka një periudhë kohe ku problemet janë më pak të rëndësishme. Por mendoj që ajo fazë s’duhet lënë pas. Unë do ta shikoja si një përparim të madh nëse politikanët shqiptarë do fillonin të diskutonin për problemet.
Një çështje tejet e rëndësishme e delikate që ngërthen vëmendjen e opinionit është çështja e liberalizimit të vizave. A përmbushet me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike kushti themelor për një lëvizje të lirë të qytetarëve shqiptarë?
Është e vështirë të jem 100% i sigurt në lidhje me këtë çështje. Mbretëria e Bashkuar nuk preket nga kjo çështje njëlloj si vendet e zonës Shengen. Liberalizimi i vizave nuk është në diskutim përsa i përket Britanisë së Madhe. Por në përgjithësi është një hap përpara pajisja me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Sepse kjo e vulos identitetin e personave dhe në të kaluarën ka pasur ngatërresa mbi identitetin e personave. Është një hap përpara. Por ka hapa të tjerë që duhen bërë. Shqipëria e ka një hartë të rrugës që të mund të arrijë liberalizimin e vizave. Këtë duhet ta bëjë në mënyrë rigoroze.
Në takimin tonë para disa muajsh u ndalëm te Reforma në Drejtësi. Gjatë kësaj periudhe shumëçka ka ndodhur. Por ekziston një opinion që kjo reformë ka mbetur në vend.
Mendoj që Reforma në Drejtësi ka nisur, por vetëm kaq. Ka ende shumë rrugë para. Po them atë që kam thënë më parë. Reforma në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me reformimin e një apo dy institucioneve apo bërjen e disa ligjeve. Ka të bëjë me vlerësimin e drejtësisë. Të bësh drejtësi të pastër. Kjo do të thotë të bësh të mundur që gjykatësit të jenë të aftë të shpjegojnë vendimet e tyre. Të garantohet që nenet e Kodit Civil të zbatohen. Shumë shpesh vendimet nuk zbatohen. Shumë shpesh gjykatësit nuk janë të aftë të shpjegojnë vendimet e tyre. Kjo nuk është drejtësi. Drejtësia e vërtetë duhet implementuar dhe duhet parë.