PS: Policia po verifikon emigrantët
BLEDAR HOTI
Festa e ndarë për anëtarësimin në NATO dhe kartat e identitetit ka qenë përplasja e radhës ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në Kuvend.Anëtarësimit në NATO, socialistët i kanë vendosur përgjegjësinë qeverisë për pajisjen e shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit. Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se mos pajisja me karta identiteti rrezikon standardet në zgjedhjet e 28 qershorit. “Për ne, NATO i ka më të mëdha përgjegjësitë për sa kohë që nuk është kaluar testi i parë, ai i zgjedhjeve. Qeveria mesa duket i ka ngulur sytë të privilegjet. Në fakt koha nuk pret. Çdo ditë që kalon i vë në dyshim standardet. Standardet janë në provë më 28 Qershor, është në dorën e qeverisë t’i vendosë ose t’i refuzojë. Nuk mund të ketë zgjedhje në këto kushte”, deklaroi Leskaj. Ndërsa ka hedhur dyshime mbi një veprim të qeverisë, ku sipas saj, ka urdhëruar policinë të verifikojë emigrantët në shtëpitë e tyre. “Pse kjo detyrë i është ngarkuar pikërisht policisë dhe pse nuk është bërë transparent qëllimi i këtij verifikimi?”, theksoi Leksaj. Ndërsa socialisti Kastriot Islami bëri thirrje për gjetjen e një konsensusi PS-PD për kartat falas, duke shtuar se “deri në datën 16 prill janë mundësitë teknike që t’i jepet zgjidhje këtij procesi”. Ndërsa socialisti Fatmir Xhafaj deklaroi se “Sot që ne festojmë hyrjen në NATO, është në pikëpyetje serioze fakti nëse shqiptarët do të votojnë me letërnjoftimin elektronik”. Sipas tij, në 132 njësitë e qeverisjes vendore, ku ende nuk funksionojnë stacionet e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, teorikisht u mohohet e drejta e votës rreth 163.000 qytetarëve, që nuk janë të pajisur me pasaportë. “Kur kanë mbetur edhe 56 ditë nga zgjedhjet, nga shifrat zyrtare rezulton se kanë aplikuar në shkallë vendi rreth 400 mijë qytetarë, nga të cilët vetëm 30% e tyre janë nga shtetasit që nuk kanë pasaporta dhe vetëm 15 për qind e tyre kanë mundur të marrin në dorë letërnjoftimin elektronik”, tha Xhafaj.
Maxhoranca
Kryetari i grupit të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se “pretendimet e opozitës për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti janë në fakt mjerimi i saj”. “Në këtë ditë kemi parë vajtimin e kryetarit të PS-së, i cili ka dashur të prishë festën e të gjithë shqiptarëve. I fundit që uroi hyrjen tonë në NATO, me një xhelozi të ulët politike, kërkoi ta festojë një ditë para të gjithë shqiptarëve. Kontrasti mes festimeve në dy ditë të ndryshme është kontrasti mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit përfaqësohet nga një njeri i dështuar, që po vajton që tani për zgjedhjet e ardhshme”, tha deputeti Patozi. Ndërsa Neritan Ceka e cilësoi si jo normale mos praninë e opozitës kur mbërriti delegacioni nga NATO. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli theksoi se “Festa vazhdon, sot është një ditë e madhe, po ashtu si dje. Sot thoni se nuk do të kemi karta. Ju këshilloj ta shihni me optimizëm Shqipërinë në NATO. Nuk është mirë të vajtoni në ditën e festës, aq më tepër kur më shumë se sot nuk ka pasur përpjekje për të krijuar një infrastrukturë moderne me karta e pasaporta biometrike”, tha Topalli.
Ceka: Keqardhje për mungesën e opozitës
Shpreh keqardhjen se pse nuk ishte prezent opozita në Rinas kur erdhi delegacioni, ku në përbërje të tij ishte edhe Kryetarja e grupit të PS-së. Nuk e di se cila është arsyeja, por nuk është e mirë që kryetarja e grupit të zbresë nga pjesa e pasme e avionit. Me pretendimet për kartat e zvogëlojmë dimensionin për kartat e identitetit, mos i ngrini këto pretendime sot. Kjo festë ka edhe ditën e flamurit, opozita duhet të jetë e pranishme.
Xhaferri: Rama, në guaskën e izolimit
Sheshi ishte mbushur me 96% të shqiptarëve, opozita mungoi në festën e organizuar. Rama organizoi një festë të tijën, shikojeni ndryshimin me festën. Rama po e fut opozitën në një guaskë, më vjen keq që po vetëizolohet. Ne kur ishim në opozitë manifestuam së bashku në mitingun e 1999, “Një komb, një qëndrim”, pavarësisht divergjencave që kishim. Festa vazhdon edhe sot, ejani bashkohuni, Rama të mos ketë xhelozi për festën tonë.
Paloka: PS, po sillet si histerike
Ne u dhamë shansin, ju ftuam edhe në festën e përbashkët, ju donit të festonit vetëm. Nuk është faji ynë që ju morët aq njerëz në festën që organizuat ju. Unë do e them, pavarësisht se do të ketë edhe reagime: Jemi ne që e futëm Shqipërinë në NATO. Por ju po bëni këtë rol mbasi keni inat, xhelozi. Edhe fakti që ju qeshni në një mënyrë të tillë, nuk bëni gjë tjetër veçse tregoni histeri në veprimet e tuaja, silleni në mënyrë histerike.