E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati në mbrojtje të klientit Dhunohet fizikisht nga policia

04/06/2005  

Ilir Kuka denoncon dhunën e uniformave blu

SHKODER - Gjatë orëve të para të mesditës së djeshme, është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë, ndaj shtetasit Ilir Kuka, banues i qytetit të Shkodrës, me profesion avokat. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në fshatin Rrenc, të komunës Gur i Zi, të rrethit të Shkodrës, në momentin kur avokati Kuka, kishte shkuar në atë fshat për të sqaruar një konflikt, që ishte krijuar ndërmjet klientëve të tij dhe punonjësve të policisë. Lidhur me këtë ngjarje është prononcuar vetë avokati i keqtrajtuar Ilir Kuka.

Mund të na thoni, pse u ndodhët në fshatin Rrenc në kohën kur edhe atje kishte shkuar policia?

Nuk u gjenda rastësisht në vendngjarje, por për shkak të detyrës. Jam avokat i një çështjeje të familjes Peniku, e cila rreth orës 13:30 të ditës së djeshme më ka njoftuar dhe kërkuar ndihmë me telefon, pasi në shtëpinë e tyre kishte shkuar një furgon policie dhe po ushtronte dhunë. Ngjarja kishte lidhje me çështjen që unë mbroja. Të ndodhur përpara kësaj situate, më është kërkuar nga klientët e mi që të shkoj pranë tyre dhe të sqaroj policinë në lidhje me çështjen në fjalë. Sapo më kanë njoftuar për konfliktin që ishte krijuar, jam nisur në vendngjarje për të sqaruar problemin dhe kam marrë me vete, përveç dokumenteve të nevojshme, edhe një aparat fotografik.

Si reaguan punonjësit e policisë, në momentin kur mbërritët në vendngjarje?

Në momentin që kam mbërritur në vendngjarje kam parë punonjësit e policisë kriminale, duke keqtrajtuar pjesëtarët e familjes Peniku, ku përveç grave kishte edhe një anëtar të kësaj familjeje që ishte me paterica. Me të zbritur nga makina, familjarët e Pashuk Penikut, pra klientit tim, i kanë kërkuar punonjësve që të merreshin vesh me mua, si avokat i çështjes së tyre. Po ashtu edhe nga ana ime u është kërkuar këtyre punonjësve që ta ndalonin dhunën që po ushtronin ndaj familjes Peniku, pasi nuk ishte e nevojshme dhe për problemin në fjalë mund t’i sqaroja hollësisht. Por reagimi i tyre ka qenë tepër negativ, pasi kanë filluar të më shtyjnë edhe keqtrajtojnë edhe mua. I ndodhur në këto kushte i kam shpjeguar atyre, duke nxjerrë edhe dokumentet përkatëse, se jam avokat dhe nuk kishin të drejtë të më preknin, por reagimi i tyre arriti deri aty sa të shpreheshin se nuk pyesnin për avokatët. Madje, tentuan edhe të m’i merrnin dokumentat pesonale si liçensën e avokatit dhe letërnjoftimin, me qëllim që të m’i grisnin. Më pas kam arritur të largohem disa metra më tutje dhe i kam fotografuar punonjësit e ndodhur në vendngjarje. Fotografimi i tyre ka bërë që punonjësit të acaroheshin edhe më shumë dhe janë drejtuar tek unë duke më kapur me forcë për krahësh dhe për rrobash me qëllim që të më merrnin aparatin. Edhe pas përsëritjes sime se jam avokat dhe nuk kishin të drejtë të më dhunonin dhe të më merrnin aparatin, punonjësit e policisë kriminale kanë arritur dhe ma kanë marrë aparatin nga dora. Më pas kanë tentuar të më fusnin edhe në furgonin e policisë, por pas kundërshtimeve të mia ndryshuan mendje dhe duke përdorur fjalë fyese e kërcënuese, jo vetëm ndaj profesionit tim, por edhe ndaj meje si qytetar, si dhe duke më shtyrë më shpunë deri te makina me të cilën kisha shkuar në vendngjarje.

Lidhur me këtë ngjarje, kam lajmëruar menjëherë sallën operative në komisariatin e Shkodrës dhe pasi i kam vënë në dijeni për dhunën e ushtruar, i kam kërkuar që të merrnin menjëherë masat për ta ndaluar dhunën që ishte duke u ushtruar ndaj familjes së shtetasit Pashuk Peniku. Në atë gjendje të dukshme keqtrajtimi, që isha, jam drejtuar direkt në këtë komisariat, ku i kam sqaruar për dhunën e ushtruar ndaj meje dhe shtetasve të tjerë, si dhe kam kërkuar që të më kthehej aparati fotografik, ku kisha fotot e punonjësve të policisë kriminale që më kishin dhunuar.

Jeni i indinjuar thjesht se u keqtrajtuat ju, apo sepse u dhunua një avokat?

Indinjata nuk është thjesht personale. Kur keqtrajtohet një avokat, i cili ia bën të ditur punonjësve të policisë këtë fakt jo vetëm me fjalë, por edhe me dokumentacionin përkatës, imagjinoni si si mund të trajtohen qytetarët e tjerë pa këtë status mbrojtës. Kur merret aparati i një avokati, për të zhdukur provat, imagjinoni se çfarë mund të bëjnë punonjësit e kriminales me provat, të cilat i kanë për detyrë që t’i zbulojnë. Kur dhunohet avokati, si mund të mbrohet qytetari kur ka të drejtë.

Mos ndoshta punonjësit e policisë kanë reaguar ngaqë klienti juaj mund të ketë qenë gabim?

Për ta sqaruar më mirë pozicionin e tyre mund t’jua sqaroj edhe çështjen, të cilën unë mbroj. Klientit tim, shtetasit Pashuk Kuka, në bazë të ligjit 7501, i ishte dhënë toka në përdorim dhe më pas në pronësi nga komisioni i ndarjes së tokës në fshat. Për të njëjtën tokë, një shtetas tjetër, në mënyrë të paligjshme, kishte bërë dokumente pronësie. E ndodhur para këtij fakti dhe para presioneve të ndryshme, familja Peniku më është drejtuar mua që të mbroj çështjen e tyre si avokat. Lidhur me konfliktin që kishin pasur familjet për të njëjtën pronësi është bërë një takim në polici, me datë 02.06.2005, në të cilin u vendos se nuk duhej të ndërhynte dhe të bënte presion askush, deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje në gjyq. Pas këtij takimi, nga pala kundërshtare më është bërë presion edhe mua. Më pas, rreth orës 13:00, klientët e mi kanë bërë kallëzim penal ndaj palës tjetër. 30 minuta më vonë jam lajmëruar për vajtjen e furgonit të policisë te familja, çështjen e së cilës unë mbroj, duke kryer të gjitha ato veprime, të cilat e pasqyruam më parë. Pra, policia nuk kishte asnjë të drejtë të ndërhynte, përderisa çështja ishte në gjykim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›