E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrufeja vret nxenësin dhe mësuesin, duke punuar në arë

04/06/2005  Dy viktimat u gjetën në karbonizuar tri orë pas goditjes, nga fshatarët e Kapinovit, në Berat

BERAT- Një mësues dhe nxenësi i tij, njëkohësisht edhe nipi i gruas, mbetën të vdekur në vend nga goditja e rrufesë, ndërsa ndodheshin në arë duke korrur bar. Banorët e fshatit i gjetën të karbonizuar tri orë më pas. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në fshatin Kapinov i komunës Vërtop, 26 km në lindje të qytetit, rrëzë malit të Tomorit. Tragjedia preku dy familjet, atë Hadaj dhe Kërrikun. Viktimat janë mësuesi Vullnet Kërriku, 38 vjeç dhe Ervin Hada, 16 vjeç.

Ngjarja

Pas vdekjes, bashkëfshatarët e viktimave kanë treguar dhe ngjarjen sipas lajmeve të shpërndara ndërmjet tyre. Mësuesi, që e kishte nxënës nipin e gruas, shkoi në shtëpinë e tij për ta marrë, me qellim ta ndihmonte në arë, ndërsa do të korrte bar për bagëtitë. Vullnet Kërriku, babai i dy femijëve dhe 16-vjecari Ervin Hada së bashku shkojnë të punojnë. Në orën 15.30 minuta, mësuesi dhe nxënësi ndodheshin në arën Dëllënja e Madhe dhe sapo kishin filluar nga puna. Por, pa kaluar as 20 minuta, në fshat ka filluar të bjerë një shi i dëndur dhe pas pak kanë filluar të shkrepin rrufetë. Ky ka qenë edhe momenti tragjik për dy punëtorët e arës Dëllënja e Madhe, të cilët, dhe pse kanë tentuar të ktheheshin në shtëpi, ndodheshin në një largësi prej 15 minutash. Njëra nga vetëtimat, që sipas banorëve, u duk se çau tokën duhet t’iu ketë marrë jetën dy personave, që u gjetën të karbonizuar në mes të arës. Sipas banorëve të fshatit, shiu nuk ka zgjatur as një orë dhe më pas ka pushuar. Pasi kanë pritur deri në orën 19.30 minuta, gruaja e Vullnetit, Shpresa, ka shkuar për të kërkuar burrin dhe nipin e saj në arën ku kishin shkuar për të punuar. Atje përballet me dy njerëzit pa jetë.

“Si i gjetëm trupat të vrarë nga vetëtima”

Nazmi Hadaj, banor i këtij fshati tregon se ishte ulur te klubi në qendër, kur pa Shpresën, që po shkonte te toka ku kishte shkuar për të punuar i shoqi. “Dikush nga ne e pyeti se ku po shkonte, dhe ajo i tha së Vullneti ka ikur që në orën 15.00 për të punuar dhe nuk është kthyer. Nuk e di se ku e kaloi gjithë atë shi, tha Shpresa, e cila kishte me vete edhe dy fëmijët e saj të vegjël, një vajzë dhe një djalë të vogël dhe pas saj po vinin edhe dy pleqtë, prindërit e Vullnetit. Kjo na çuditi të gjithë dhe shkuam pas saj, pas nesh erdhën edhe dy prindërit e 16-vjeçarit Ervinit, Fatmiri dhe Dallandyshja. Por, sa u afruam rreth 100 metra, se ashtu e bie dhe vëndi që nuk dukesh që në fillim nga lart, pamë dy njerëz të shtrirë në tokë, njërin me kurriz dhe tjetrin përmbys. O Zot, thashë me vete, i paska vrarë vetëtima dhe të gjithë filluam të bridhnim drejt tyre. Ne bënim tonën, por ata kishin vdekur, ndoshta para dy orëve. Aty nuk ishte më keq, unë iu afrova djalit të vogël, se ashtu e binte edhe toka ai m’u duk i ngrohtë dhe bërtita. Hajde t’u japim frymë se janë të gjallë dhe kështu bëmë dikush kapi djalin dhe tjetri mësuesin dhe kërkonin t’i ndimonin, por çdo gjë ishte e kotë, edhe pse ne nuk na besohej që kishin vdekur. Të dy edhe mësuesi, edhe djali i vogël, nuk merrnin më frymë. Më pas dikush nga pleqtë e fshatit, që kishte ardhur aty, tha: “Mos vuani kot, e mallkuara vetëtimë u ka marrë jetën, ndaj ikni merrni barrelat për t’i dërguar kufomat në shtëpi”. Ashtu bëmë, dërguam të merrnin batanie dhe dy barrela. Pasi i rregulluam i morën për në shtëpi. Fshati u nda në dysh disa shkuan e çuan barrelën me mësuesin në shtëpi dhe të tjerët çuanë trupin e pajetë të djalit në shtëpinë e tij. Në të dy familjet ra kuja e madhe. Gruaja e mësuesit dhe mamaja e 16-vjeçarit ishin morta dhe në këtë rast u ndodhi një tragjedi e madhe, tragjedi edhe për fshatin në këtë rast, përfundon rrëfimin e tij Nazmi Hadaj.

Xhaxhai: Pash nipin të shtrirë

Xhaxhai i 16 vjeçarit, Dilaver Hadaj, tregon se, sapo e pa të shtrirë nipin e tij, nuk dinte se çfarë të bënte. “Ai dukej sikur finte, por në fakt kishte vdekur. Së bashku me disa nga kushërinjtë e mi, u munduam të ndihmonim, por ishte e kot, pasi ai kishtë vdekur që në shkreptimën e parë të rrufeve“, thotë xhaxhai. Djali sapo kishte ardhur nga shkolla, nga Poliçani, pasi ishte nxëns i vitit të dytë në gjimnaz. I kishte thënë nënës së tij se do të shkonte të ndihmonte burrin e tezes në arë, pasi do korrnin bar për bagëtitë. „Djalin e gjeta me kurriz nga dheu dhe kur e pamë ishte nxirë pak në trup dhe i ishin djegur pak pantollonat. Më pas e morëm trupin e pajetë të djalit dhe e çuam në shtëpi“, tregon xhaxhai i djalit.

Korçë, rrufeja vret nënë dhe vajzën

Nënë e bijë mbetën të vdekura nën një pemë, të goditura nga rrufeja, në një mot me shi të rrëmbyeshëm ditën e martë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në fshatin Kamenicë, të rrethit Korçë. Edhe pse kishin qenë të shtrënguara fort njëra pas tjetrës, të mbuluara me një copë plastams, shkarkesa natyrore i kishte ndarë, duke i hedhur larg pemës, ku ishin strehuar për t’u mbrojtur. Sipas dëshmitarëve okularë, e para që kishte gjetur vdekjen kishte qenë vajza e vogël, që shkonte në klasën e shtatë, ndërsa nëna e saj kishte patur jetë edhe disa minuta më pas nga e bija. Duket se nëna 35-vjeçare kishte tentuar të thërriste, por kjo gjë ka qenë e pamundur për të, pas goditjes nga rrufeja. Në çastin që u gjet e vdekur, gjuha e saj kishte ikur poshtë.

Vdekja e dy njerëzve nga e njëjta familje ka tronditur gjithë banorët e fshatit Kamenicë. Përcjellja e tyre për në banesën e fundit është kryer nga një mori e madhe njerëzish.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›