E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati sëmurë, shtyhet “Basha”

 

Armand Bajrami

Gjykata e Lartë shtyu dje për një datë tjetër seancën gjyqësore, ku do të përcaktohej vlefshmëria apo jo e komunikimit të akuzave dhe thirrjes si i pandehur për ministrin Lulzim Basha në lidhje me dosjen “Durrës-Kukës”. Seanca e djeshme dështoi për shkak të mungesës së mbrojtësit ligjor të ministrit, avokatit Zef Nika. Në këtë seancë do të shqyrtohej rekursi i Prokurorisë së Përgjithshme kundër vendimit së shkallës së parë dhe të dytë të gjyqësorit, të cilat shpallën të pavlefshme veprimet hetimore të prokurorisë për çështjen “Durrës-Kukës” të kryera pas datës 6 nëntor 2008. Avokati i Bashës, paraqiti në gjykatë një kërkesë, në përmbajte të së cilës kërkonte shtyrjen e seancës, pasi ai nuk mund të ishte prezent për arsye shëndetësore. Kryesuesi i trupës gjykuese, gjyqtari Gani Dizdari, deklaroi shtyrjen e seancës, ndërsa nuk përcaktoi datën e seancës së radhës.
Dje në orën 11:00 në sallën e caktuar të Gjykatës së Lartë ishte e pranishme trupa gjykuese dhe dy përfaqësuesit e prokurorisë, ndërsa mungonin të pandehurit Lulzim Basha, Andi Toma dhe avokatët e tyre. Gjyqtari Dizdari, relatoi para palëve se nga ana e avokatit Zef Nika, ishte paraqitur një kërkesë sipas së cilës ai kërkonte shtyrje të seancës. Avokati justifikohej me anën e një raporti mjekësor, që tregonte për një gjendje jo të mirë shëndetësore. Një nga përfaqësuesit e akuzës, prokurori Artur Selmani, i bëri të ditur gjykatës se vendimi mund të merrej edhe kryesisht. Duke iu referuar dispozitës përkatëse në Kodin e Procedurës Penale, prokurori tha se “Gjykata mund të shqyrtojë kërkesën dhe të marrë vendim kryesisht, pa i dëgjuar pretendimet e palëve”. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit gjykata vendosi të shtyjë seancën pa caktuar datën e radhës.
Shtyrja e gjyqit në një datë që do të përcaktohet në ditët në vijim la përsëri pezull “fatin” e ministrit aktual të Jashtëm, Basha në lidhje me akuzat e tij për dosjen “Durrës-Kukës”. Një vendim i gjyqtares Fatmira Hajdari në Gjykatën e shkallës së Parë Tiranë në 4 dhjetor të vitit të kaluar shpalli të pavlefshëm aktet hetimore të prokurorisë në lidhje me dosjen në fjalë të kryera pas datës 6 nëntor ku bënin pjesë edhe fletëthirrja e ministrit në prokurori dhe akt-njoftimi i akuzës ndaj tij. Gjykata e Apelit pas apelimit të vendimit nga prokuroria la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ndërsa këto dy vendime e “zhvishnin” ministrin nga akuzat, që prokuroria ka ngritur ndaj tij, Prokuroria e Përgjithshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, shqyrtim që pritet të bëhet pas disa ditësh.

Akuzat kundër Bashës
Ish-ministri i jashtëm Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tenderë” gjatë tenderit për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. I bashkakuzuar me të është edhe ish-drejtori juridik në Ministrinë e Transporteve Andi Toma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›