E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Tiranës, brenda prillit nis akreditimi

 

Universiteti i Tiranës përfundon procesin e vetëvlerësimit  të tetë fakulteteve të tij. Paskëtaj, brenda muajit prill pritet të nisë akreditimi, i cili do të bëhet nga një agjenci gjermane. Gjithçka e bën me dije rektori i UT Dhori Kule. “Pas përfundimit të vetëvlerësimit vjen faza e akreditimit që do ta realizojmë me një agjenci gjermane. Është një agjenci e njohur në rrjetin evropian, që bën procedura të tilla. Brenda muajit prill e përfundojnë raportin dhe pas përfundimit të raportit do të bëhet mbledhja e senatit”, deklaroi dje rektori. Ai shtoi se ne procesin e akreditimit do të përfshihen një sërë kriteresh, që nga kurrikulat, mënyra e mësimdhënies e deri tek kualifikimi i stafit pedagogjik dhe infrastruktura. “Kriteret janë të njëjta kudo dhe në bazë të kritereve bëhet edhe vetëvlerësimi i situatës dhe i gjendjes së fakulteteve të ndryshme. Këtu përfshihen të gjithë elementët, që kanë të bëjnë me procesin e mësimdhënies, resurset humane, stafi pedagogjik, niveli i tij”, tha Kule. Universiteti i Tiranës është i pari universitet publik që nis procesin e akreditimit mjaft të rëndësishëm për garantimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat e larta. Vetë krerët e qeverisë e kanë quajtur mjaft të rëndësishëm këtë proces, duke nxitur universitetet për ta kryer. Në një deklaratë të disa kohëve më parë kryeministri i vendit ka theksuar se akreditimi duhet të realizohet në të gjitha shkollat e larta. Duke kontraktuar edhe agjenci të huaja si në rastin konkret. Sa i përket UT, tashmë me përfundimin e vetëvlerësimit pritet që senati brenda dy javësh të marrë në shqyrtim raportin përfundimtar e më pas të fillojë procesi i akreditimit, i cili është i pari për këtë institucion arsimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›