Ina Rama: S‘vendos për padinë e Mediut
Trazhgim Sokolaj
Kryeprokurorja Ina Rama deklaroi dje publikisht konfliktin e interesit në kallëzimin penal të bërë ndaj saj nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Padia e ish-ministrit të Mbrojtjes, e cila është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës në fillim të muajit mars, u konsiderua nga Prokurorja e Përgjithshme si një e drejtë e çdo shtetasi për të paraqitur pretendimet e veta para organeve të drejtësisë. “Çdokush ka të drejtë të paraqesë pretendimet e veta”, tha qetësisht Ina Rama. Më tej ajo shpjegoi se nuk ka të drejtë vendimmarrje në këtë çështje, pasi është në konflikt interesi derisa kallëzimi është bërë kundër saj. “Unë kam konflikt interesi në këtë çështje. Në këto kushte nuk kam të drejtë vendimmarrje për këtë rast”, tha Kryeprokurorja Rama pas interesimit të medias lidhur me padinë e bërë ndaj saj nga ish-ministri Mediu. Kallëzimi penal është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, kundër Ina Ramës dhe prokurorit të “Gërdecit” Sokol Stojani, ndërsa ky institucion ende nuk ka konfirmuar një vendimmarrje rreth ankesës së deputetit republikan, i pandehur për “shpërdorim detyre” në dosjen penale të tragjedisë së Gërdecit. Afati ligjor në dispozicion të verifikimit të padisë ka përfunduar, ndërsa Prokuroria nuk ka konfirmuar nëse hetimet kanë filluar apo është vendosur pushimi i çështjes. Kallëzimi penal i ish-ministrit Mediu, i referohej publikimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit. Sipas Mediut, në kërkesën për heqjen e imunitetit, publikuar në prill 2008, janë cituar fakte nga dosja penale e ngjarjes së Gërdecit. Ish-ministri pretendon se publikimi i akteve sekrete apo josekrete të dosjes është në shkelje të Kodit të Procedurës Penale. Një gjë e tillë, sipas Mediut, është bërë në dëm të tij nga Prokurorja e Përgjithshme, në mënyrë keqdashëse.
Analiza për vitin 2008
Dalja e parë publike e Kryeprokurores Ina Rama pas padisë së bërë në adresë të saj nga ish-ministri Mediu, ndodhi pas pjesëmarrjes së saj në mbledhjen e prokurorëve të rretheve për zgjedhjen e anëtarit të ri të Këshillit të Prokurorisë. Zgjedhja e anëtarit të ri të Këshillit është pasojë e ndryshimeve të vitit 2008, në nenin 11 të ligjit “Për Prokurorinë”, ku u theksua se në përbërje të Këshillit do të ketë gjashtë prokurorë, një më shumë nga pesë prokurorët që bënin pjesë në Këshill. Në mbledhjen e prokurorëve të të gjithë Republikës, të cilët votuan për anëtarin e ri të Këshillit, Ina Rama gjeti rastin për të paraqitur edhe një analizë të rezultateve të punës për vitin që shkoi 2008. Prokurorja e Përgjithshme konstatoi se gjatë vitit të kaluar është rritur me 2030 çështje më shumë numri i dosjeve të hetuara, duke pohuar se kjo është shenjë e rritjes së besimit të qytetarëve dhe institucioneve te Prokuroria. Ina Rama tha se vitin e kaluar u dërguan në gjykatë 504 dosje më shumë sesa në vitin 2007, duke e konsideruar këtë si një tregues pozitiv. “Konstatohet një numër më i lartë i vendimeve të mosfillimeve të çështjes penale, 4631 raste në vitin 2008, ndërkohë që në vitin 2007 ka pasur 4076 vendime mosfillimi për dosjet e mbërritura në prokurori. Është një e dhënë që tregon se është bërë një punë më e mirë vlerësuese dhe verifikuese e materialit kallëzues, me qëllim shmangien e procedimeve të panevojshme penale, konsumimin e kotë të energjive njerëzore, e shpenzimeve procedurale si dhe vendosjen e personave nën ndjekje penale pa të drejtë”, tha Kryeprokurorja Ina Rama.
Rama: Po hetojmë kompaninë e Mihal Delijorgjit, i shpëtoi bllokimit
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme është duke verifikuar në lidhje me kompaninë që i shpëtoi sekuestrimit ku Mihal Delijorgji i arrestuar për ngjarjen e Gërdecit, rezulton pronar i 20 për qind të aksioneve. Subjekti “Trans Digging Construksion” me pesë bashkëaksionerë, i krijuar në shkurt 2006, vazhdon aktivitetin edhe pse njëri prej “pronarëve” është arrestuar prej një viti me akuzën e vrasjes masive në Gërdec. E pyetur rreth këtij fakti, kryeprokurorja Ina Rama tha se organi i akuzës po bën verifikime. “Po bëjmë verifikimet përkatëse në lidhje me këtë ccështje, jemi në këtë fazë”, tha prokurorja e Përgjithshme. Ajo konfirmoi se po hetohet për këtë rast duke iu referuar të dhënave që tregojnë se kompania në fjalë i ka shpëtuar hetimit dhe bllokimit të prokurorisë edhe pse ka kaluar më shumë se një vit nga tragjedia e ndodhur në Gërdec. Disa orë më vonë, ka reaguar edhe botuesi Fahri Balliu i lakuar për faktin se vajza e tij ka qenë bashkëkaksionere në kompaninë e Delijorgjit me aktivitet në fushën e ndërtimeve dhe gërmimit të dherave. Balliu i konsideroi akuzat politike duke thënë se firma e vajzës së tij ka qenë formale dhe se ai nuk ka pasur asnjë mardhënie dhe asnjë transaksion me subjektin në fjalë. Të dhënat nga regjistri Kombëtar i Bizneseve tregojnë se kompania është krijuar që nga viti 2006 ndërsa ajo vazhdoi aktivitetin deri më tani edhe pse një nga aksionerët e saj u akuzua për tragjedinë e Gërdecit dhe prokuroria pretendoi se kishte bllokuar pasuritë e tij. tr.so
Kryeprokurorja, vartësve: Arrestimet,jo presion për të përfituar ryshfet
TIRANE – Drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme bëri apel dje për vartësit e saj, që të kenë kujdes me masat e arrestit “me burg”, duke pohuar se shpeshherë një gjë e tillë përdoret nga prokurorët si një masë shtrënguese për qytetarët për t’i detyruar ata të paguajnë ryshfet. “Konstatohet se ndër 4628 kërkesa për caktim të masave shtrënguese, 2879 janë kërkesa për arrest në burg dhe nga këto gjykatat kanë pranuar 2584. Arresti në burg apo edhe çdo masë tjetër shtrënguese është një masë e parashikuar nga ligji për të siguruar hetimin dhe jo komoditetin e prokurorit që heton çështjen. Një arrest në burg i vendosur pa të drejtë në rastin më të mirë do të konsiderohet si paaftësi profesionale dhe në rastin më të keq si një mjet presioni që përdoret ndaj personave të përfshirë në proces, për të lejuar prokurorët të demonstrojnë të gjithë pushtetin e tyre mbi ta dhe realizimin e përfitimeve të paligjshme”, tha Kryeprokurorja. Ajo kritikoi se prokurorët qëndrojnë kryesisht në pozita pritëse për kallëzimet e qytetarëve dhe policisë, në rastet e dosjeve të krimit ekonomik dhe korrupsionit. “Detyra juaj është që për krime të kësaj natyre të filloni hetimet kryesisht”, tha më tej Prokurorja e Përgjithshme, duke iu drejtuar vartësve të saj në të gjithë vendin. Ajo kërkoi bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, me qëllim rifillimin e hetimeve për ngjarjet e vjetra që mbeten ende të pazbardhura. “Në disa prokurori konstatohet një punë e lavdërueshme në këtë drejtim, por ka prokurori të tjera, të cilat nuk e kanë vlerësuar seriozisht situatën”, vëren Kryeprokurorja, e cila kërkoi që “parimisht në këto çështje duhet mbështetur çdo iniciativë e policisë për të rifilluar hetimet për një çështje të vjetër të pezulluar”. Në kritikat e saj, Ina Rama evidentoi më pas faktin se në rastet e pafajësive në gjyq, prokuroritë nuk bëjnë një analizë të gabimeve në dosje, me qëllim që ato të mos përsëriten. “Do të ketë shumë shpejt një akt të Prokurorit të Përgjithshëm, që i bën të detyrueshme analizat e dosjeve ku jepet pafajësi nga gjykata”, tha Ina Rama. Ajo kërkoi ngritjen dhe funksionimin e komisioneve disiplinore në prokuroritë e rretheve, në mënyrë që puna e oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët shpeshherë krijojnë marrëdhënie të ngushta personale me prokurorët, duke ndikuar më pas edhe në vlerësimin e punës. Në fund, Prokurorja e Përgjithshme u kërkoi vartësve që të bëjnë hetimin e pasurisë për ata personave që kanë vendosur biznese me aktivitet kriminal. Ajo e konsideroi zbulimin dhe konfiskimin e pronave të krimit si heqje e suportit të madh që të arrestuarit kanë nga pronat e paligjshme që zotërojnë. tr.so
Analiza e akuzës, 2008
-22.042 procedime penale2030 më shumë se në 2007
-7033 dosje dërguar në gjykatë
505 më shumë se në vitin 2007
-4631 dosje të mosfilluara
555 dosje më shumë se në 2007
-4333 dosje të pushuara
604 dosje më pak se në 2007
-184 vendime pafajësie në gjyq
10 më shumë se në vitin 2007
-107 dosje për korrupsion, 82 të pandehur
49 dosje më shumë se në 2007
30 të pandehur më shumë se në 2007
-1601 dosje për krim ekonomik
156 më shumë se në vitin 2007