Kukës, familjet e policëve të vrarë marrin ndihmën e parë
KUKES - Familjet e Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës, dy policëve të vrarë 17 ditë më parë në Shëmri të Kukësit kanë marrë dje në duar 6 paga mujore nga Policia e Shtetit si dhe një tjetër nga punonjës të ICITAP-it. Ka qenë zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burga, ish-kryepolic në Kukës, i cili ka mbërritur dje tek familjarët e dy efektivave të rënë në krye të detyrës, shoqëruar dhe nga drejtori i policisë së qarkut, Muharrem Furriku. Ata janë ndaluar fillimisht te familja e Shkëlzen Dobrushit në Shëmri të Kukësit. Burgaj ka garantuar në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit se familjet e dy policëve që ranë në krye të detyrës do të jenë në qendër të vëmendjes dhe do të trajtohen konform të gjitha ligjeve në fuqi, pasi kanë rënë në krye të detyrës. “Ne do të kujdesemi për familjet e dy policëve në vazhdimësi dhe ky është vetëm hapi i parë i përkujdesjes”, u shpreh ai. Ndërkohë, babai i Shkëlzen Dobrushit ka kërkuar nga shteti ndërhyrje të menjëhershme që familja e tij të shpërngulet, pasi e ka të pamundur të përballet përditë dhe më të afërm të familjes së vrasësit, Afrim Hasani. “Pasi të kalojnë 40-at, do të largohem vetë dhe nëse shteti nuk më strehon dhe nuk kujdeset për shkollimin dhe rritjen e fëmijëve unë nuk di se çfarë mund të ndodhë”, u shpreh Destan Dobrushi, i cili humbi djalin e vetëm të tij. Edhe nusja e Shkëlzenit, Blerina ka këmbëngulur në realizimin e ëndrrës së të shoqit për të shkolluar fëmijët, që në vendin ku ata jetojnë është e pamundur. Më pas vizita është shpërngulur në spitalin e Kukësit, ku prej ditësh është strehuar familja e Ramadan Hilës me katër vajzat jetime dhe gruan shtatzënë. Edhe këtu drejtuesit e policisë kanë dhënë mbështetje për këtë familje. Elmira Hila u ka bërë vetëm një kërkesë drejtuesve të policisë: atë të sigurimit të një banese afër një shkolle për fëmijët e saj. Prej rreth 10 ditësh ajo ndodhet në spitalin e Kukësit me fëmijët, për shkak të ftohjes, por nuk kanë asnjë banesë ku të qëndrojnë. Prefekti i Kukësit Qamil Cenali, u shpreh dje se qeveria shqiptarë do të marrë përsipër gjithë përgjegjësitë për mirërritjen e fëmijëve dhe krijimin e kushteve për jetesë, shkollim e gjithçka tjetër që ata të rriten si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë. j.h