E Diel, 1 Nëntor 2026

Tekste të huaja për gjimnazistët

 

Zirina llambro

 Tekste të huaja për gjimnazistët e tender publik për botimin e tyre. Çmimet do të jenë të përafërta me tekstet që përdoren në vendin tonë. Të parat që do të përshtaten do të jenë tekstet e shkencave natyrore. Gjithçka në kuadër të reformës në sistemin arsimor e kurrikular. Qeveria vendosi dje që me anë të një shtese në vendimin “Për botimin shpërndarjen dhe shtypjen e teksteve shkollore në arsimi para-universitar”, të krijojë këto hapësira. “Ministria e Arsimit dhe e Shkencës mund të miratojë, për përdorim në shkollat shqiptare edhe tekste të huaja me kusht që çmimet të jenë të përafërta me ato që përdoren në Shqipëri”, thuhet në vendim. Sipas tij, në rast se shtëpitë botuese nuk angazhohen në prodhimin e këtyre teksteve enkas për Shqipërinë, MASH merr lejen e botimit prej tyre dhe organizon konkurrim publik. Me anë të tij përzgjidhet shtëpia botuese që do t’i prodhojë dhe shpërndajë këto tekste në shkollat shqiptare. Do të jetë Ministria e Arsimit ajo që do të nxjerrë një udhëzim të posaçëm për kriteret e përzgjedhjes së teksteve. Nga ana e tij, ministri Beja e ka argumentuar propozimin e bërë në Këshillin e Ministrave si një hap tjetër për reformimin dhe integrimin e vendit. “Jemi në momentin e duhur që në kurrikulën shkollore jo vetëm në dizenjimin e saj, por edhe në plotësimin me elementët e tjerë kurrikularë, të hedhim hapa konkrete të përafrimit me standardet evropiane”, ka sqaruar Beja. Sipas tij, një ndër elementët e rëndësishëm të kësaj reforme është tërheqja e përvojës më të mirë evropiane në funksion të përmirësimit të sistemit kurrikular. Si hap i parë në aplikimin metodës së re të mësimdhënies do të fillohet me grupin e teksteve shkollore të shkencave natyre si kimi-biologji, fizikë. Veç tyre, do të përshtaten librat për shkencat e tokës, duke vijuar më tej edhe me tekste të tjera të shkencave shoqërore. “Njëkohësisht, Ministria e Arsimit synon që nëpërmjet ndryshimit që propozohet të zëvendësojë tekstet e gjuhëve të huaja të autorëve shqiptarë me metoda origjinale të gjuhëve përkatëse”, saktësohet në relacionin e MASH. Sa i përket diferencës së çmimeve në tregun shqiptar me ato evropiane-perëndimore është futur kushti që çmimet të jenë të përafërta. Kjo iniciativë edhe për të mbrojtur nxënësit shqiptarë nga një rritje e çmimit të librave me të cilët mësojnë. Për të siguruar këtë në vendim parashikohet se në rast se shtëpitë botuese nuk angazhohen për prodhimin e teksteve enkas për Shqipërinë, ministria mund të marrë lejen e botimit. Me anë të tenderit do të përzgjedhë shtëpinë që do të realizojë këtë proces.

Reforma e Altertekstit

Ka 3 vjet tashmë që po zbatohet reforma e teksteve alternative në shkolla, ku mësuesit bashkë me nxënësit përzgjedhin librat me të cilat do të studiojnë. Sipas MASH, në bazë të reformës së Altertekstit për tekstet shkollore, prindërit nuk blejnë më tekstet e fëmijëve të tyre të pakontrolluara dhe në treg të zi. Tashmë i gjejnë ata në shkolla të certifikuara nga ministria me çmim real, duke marrë edhe subvencionin përkatës. Me këtë reformë, sipas këtij dikasteri, i është dhënë fund edhe tenderëve me shtypshkronjat e nga ana tjetër janë vetë mësuesit ata që merren me përzgjedhjen përfundimtare të teksteve shkollore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›