E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatja e Bombajt: Vajza në grackë, mori hak për famën e humbur

Tiranë- Hakmarrje për famën e humbur e tërbim për përjashtimin nga arti. Kështu e cilëson Leonard Bombaj, denoncimin për dhunë seksuale nga ish-nxënësja e tij 15-vjeçare: një histori hakmarrjeje të menaxhuar mjerisht keq. Përmes një letre të avokates së tij, Gjystina (Ndoci) Golloshi, regjisori Bombaj duket se e ka lënë këtë çështje në dorën e drejtësisë. “Përpara një ngjarjeje tronditëse mund të ketë shumë dyshime, mendime, opinione, por një gjë është e sigurt, tashmë ka një vendim gjykate për “arrest me burg” për bandën, që ka kërcënuar z. Leonard Bombaj, e kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Z. Leonard Bombaj ka denoncuar i pari rastin e kësaj bande dhe tani çështja është e gjitha në dorë të drejtësisë”, - thuhet në reagimin e avokates Golloshi. Ajo i bën apel autoriteteve të shtetit që ligji të veprojë në mbrojtje të Bombajt dhe grabitja e personit të dënohet me ligj. Në reagim komentohet për herë të parë sjellja e 15-vjeçares, nxënëse e hershme në shkollën e artit të drejtuar nga Bombaj, ku thuhet: “Fatkeqësisht, nuk është rasti i parë që shohim të gjithë se imoraliteti, rebelizmi dhe hakmarrjet e përçartura kanë pushtuar mendjet e shumë adoleshentëve. Përsa i përket minorenes, them se hakmarrjen për famën e humbur, tërbimin për përjashtimin nga arti, e menaxhoi mjerisht keq”. Duke përcjellë mendimin e klientit të mbrojtur prej saj, avokatja e regjisorit Bombaj ka pohuar më tej se adoleshentja i detyrohet bandës sepse i nxiti, prandaj nuk i shet. “Ata e kanë në dorë, aq shumë sa familja nuk e imagjinon, vajza është në grackë. Asnjë adoleshent, mos pastë kurrë një dëftesë të tillë në dyert e drejtësisë, në moshën 15 vjeç”, - thuhet më tej në letrën për mediat. Avokatja Golloshi i ka cilësuar dyshimet ndaj klientit të saj si akuza të pavërtetuara, duke shtuar më tej se e vërteta është duke dalë në dritë, për rastin e Bombajt. “Tani, organet kompetente kanë vetëm një urdhër-arresti për të 4 personat e bandës dhe nuk ka një vendim të tillë për z. Leonard Bombaj”, - thotë më tej avokatja, duke shtuar se nëse situata do ishte e ndryshme, do të ishte prerë edhe për të një fletë-arresti. “Kjo nuk do të ndodhë, sepse Leonard Bombaj nuk ka abuzuar kurrë me vajzën. Akt- ekspertimi që i është bërë zotit Leonard Bombaj rrëzoi të gjitha akuzat e vajzës dhe shpifjet e saj e rëndojnë atë më shumë”, - thotë avokatja e Bombajt, duke shtuar se hetimi i Krimeve të Rënda është i sigurt për kanosjen reale që i është bërë klientit të saj nga banda, duke përdorur e shfrytëzuar vajzën. “Kësaj radhe nuk i ka ecur bandës, pasi: "i ka ngecur sharra në gozhdë" me një artist me integritet” - thuhet në reagimin publik të avokates së Bombajt. Duke i cilësuar akuzat si “makinë e përbaltjes”, avokatja e tij, Gjystina (Ndoci) Golloshi ka pohuar se Leonard Bombaj po përgjigjet me heshtje, “duke besuar në intuitën e opinionit që di të përkthejë dhe të identifikojë grabitësit nga viktima dhe përbaltjen nga e vërteta". Ajo ka shtuar se Leonardi ka lënë fuqinë e provave të flasin, për të thënë fjalën e tij për këtë ngjarje të shumëdiskutuar pas drejtësisë. “Me siguri drejtësia do të nxjerrë edhe më shumë të vërteta në lidhje me bandën, një ndër to edhe qëllimet e tyre, si dhe shfrytëzimin e minorenes”, - përfundon reagimi i avokates së regjisorit Leonard Bombaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›