Bombaj-adoleshentja, konflikti që “plasi” nga një këngë porno
Një këngë hip- hop me tekst porno, e kënduar nga minorenia që akuzoi regjisorin Bombaj dhe shokët “TBA” të Stresit, gjendet në faqen elektronike “youtube”. Sipas denoncimit të bërë nga regjisori Bombaj, kjo këngë ishte zanafilla e gjithë historisë së akuzave të ndërsjellta mes tij dhe minorenes, të cilat kanë përfunduar tashmë në Prokurorinë për Krime të Rënda. Kënga ka një përmbajtje të rëndë dhe është kënduar nga dy shokë të Stresit, ndërsa minorenia nga ana e saj gjatë këngës ka kënduar vetëm pjesët e refrenit. Kjo këngë mendohet se është realizuar rreth një vit e gjysmë më parë dhe sipas dëshmive të dhëna para prokurorit, nga Leonard Bombaj, vënia në dijeni për realizimin e kësaj kënge nga “nxënësja” më e talentuar e detyroi të shkëpuste marrëdhënien e bashkëpunimit me të. Në dëshminë e tij për organin e akuzës, e cila është verifikuar deri në detaje, Bombaj ka pohuar se kishte plane të tjera për debutimin e 15-vjeçares, ndërsa pas vënies në dijeni për këtë këngë, ai i ka folur vajzës. Ky fakt duket se ka sjellë prishjen e kontratës së tyre, e më pas edhe përjashtimin e 15-vjeçares nga shkolla e artit “Sirea”. Ngjarja më tej ka rrjedhur ashtu siç edhe është bërë e njohur. Minorenia ka akuzuar ish-pedagogun e saj për përdhunim, duke dhënë disa detaje për akuzat e saj. Vajza ka pohuar para prokurorit të çështjes 3 episode, të cilat pasi janë verifikuar përgjatë 1 viti hetime të prokurorisë, nuk kanë rezultuar të provuara. Dëshmia e saj është rrëzuar edhe pas ekspertizës së Bombajt, duke sjellë më pas edhe mbylljen e hetimit për dhunë seksuale. E kundërta ka ndodhur me pjesën tjetër të historisë, atë të shantazheve që këngëtari repist, Stresi dhe miqtë e tij kanë ushtruar ndaj regjisorit. Me pretendimin e hakmarrjes për 15-vjeçaren, ata i kanë kërkuar regjisorit Bombaj 20 mijë euro, e më pas i kanë marrë makinën dhe një sasi prej 500 mijë lekësh. Të gjitha këto episode janë provuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila kërkoi në gjykatë arrestin me burg për këngëtarin Arkimed Lushaj dhe tre miqtë e tij, njëri prej të cilëve polic.