E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Në skemën e ndihmës ekonomike edhe jetimët"

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, në një intervistë për gazetën "Shqip" tregon përgatitjet për ndryshimet e pritshme të disa ligjeve me impakte të forta sociale. Ai shprehet se në fillim të këtij viti pritet miratimi i ndryshimit ligjor që do të mundësojë mbështetjen me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërm të tyre. Sipas ministrit Duro, vlerësohet se rritja nga të afërmit dhe pranë komunitetit ndikon pozitivisht në përgatitjen dhe mirërritjen e tyre. Po kështu, për zbatimin e ligjit "Për barazinë gjinore në shoqëri", dhe detyrimin e forcave politike për përfaqësimin e tyre me 30% femra Duro sqaron se do të ketë dënime me gjobë për shkelësit e ligjit. "Parashikohet gjobë deri në një të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore, për subjektet politike që nuk respektojnë përfaqësimin prej 30% të secilës gjini", shprehet ministri. Ndërsa përmend një sërë nenesh të tjera që parashikojnë masa disiplinore dhe gjoba për subjektet që vërtetohet se cenojnë dispozitat e ligjit. Kreu i ministrisë, që prej vitesh ka menaxhuar dhe drejton një numër të madh projektesh të donatorëve konfirmon për "Shqip" se do të nisë një proces vlerësimi për të gjitha këto programe dhe projekte lidhur me eficensën e tyre.

Papunësia mes të rinjve në vendin tonë është e lartë. Duke konsideruar edhe shtimin e papunësisë, për shkak të krizës botërore, çfarë zgjidhje do t‘i jepet këtij problemi?

Problemi i punësimit të të rinjve përbën një ndër prioritetet dhe sfidat e punës së ministrisë, pasi niveli i papunësisë për këtë kategori llogaritet të jetë mbi mesataren. Pra, nëse flasim për një papunësi 13.1% në shkallë kombëtare, në moshat e reja ky nivel arrin në 22.6%. Në saj të politikave tona për mbështetjen e punësimit të të rinjve, gjatë vitit 2008, nga rreth 12 mijë punëkërkues të papunë të punësuar nëpërmjet zyrave të punës, 27% kanë qenë të rinj. Problemi kryesor jo vetëm për të rinjtë, por në përgjithësi për të papunët, është mungesa e një profesioni dhe këtu synon ndërhyrja jonë. Për të papunët pa profesion po merren masa t‘u mundësohet formim profesional në qendrat publike me tarifa të reduktuara dhe, për kategori të veçanta, falas. Gjatë vitit 2008, numri i të rinjve të trajnuar i ka kaluar të 4 500, duke rritur kështu mundësinë e tyre për të gjetur veten në tregun e punës.

Kur flas për papunësinë mes të rinjve nuk kam parasysh vetëm ata që janë të paarsimuar. Një numër i madh të rinjsh përfundojnë studimet e larta në universitetet brenda dhe jashtë vendit. Shumë dyer për ta janë të mbyllura. A ka një plan ministria për punësimin e kësaj kategorie?

Që prej vitit 2007, ministria zbatoi për herë të parë, programin për nxitjen e punësimit të të rinjve që mbarojnë arsimin e lartë. Nga zbatimi i tij në dy vite kanë përfituar rreth 500 të rinj. Nëpërmjet këtij programi, të rinjve që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe nuk e kanë gjetur veten në tregun e punës u mundësohet realizimi i praktikës profesionale gjashtëmujore si në sektorin privat, ashtu edhe atë shtetëror, me prioritet punësimin afatgjatë për ta. Edhe për vitin 2009, programet për nxitjen e punësimit të të rinjve do të jenë prioritare. Gjithashtu, për herë të parë gjatë vitit të ardhshëm, strukturat tona do të zbatojnë një program të përbashkët të financuar nga ILO në masën e 200 milionë lekëve për nxitjen e punësimit të kategorive të tilla si, të rinj, gra, të papunë të moshës mbi 45 vjeç etj.

Programet e nxitjes janë një nga format që krijojnë mundësi punësimi për këtë kategori, por jo e vetmja. Strukturat tona ofrojnë programe këshillimi për punë dhe profesion në shkolla, universitete dhe zyra pune. Një mundësi e mirë për të rinjtë e arsimuar është edhe pjesëmarrja në panairet e punës, ku ofertat për punë nga biznesi për këtë kategori janë të shumta. Por, duhet bërë e qartë se nuk është qeveria, as Ministria e Punës ato që "punësojnë". Detyrimi ynë është të ndërtojmë dhe zbatojmë politika që rrisin mundësinë e punësimit dhe në këtë drejtim jemi duke punuar.

Është folur për ndryshime në Kodin e Punës, kryesisht për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi. Çfarë parashikojnë ndryshimet? A do konsiderohen këtu respektimi i kushteve të punës, sidomos në ato biznese ku ka risk të lartë për shëndetin?

Ndryshimi i Kodit të Punës është kërkesë e kohës dhe ndryshimeve që po ndodhin në këtë fushë, si pasojë e zhvillimit social ekonomik të vendit. Domosdoshmëria për ndryshim është artikuluar si kërkesë nga partnerët socialë dhe organizmat ndërkombëtarë. Po ashtu, Shqipëria ka hyrë në një proces të pakthyeshëm integrimi në familjen evropiane dhe një nga hapat e rëndësishëm në këtë proces është përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane. Procesi i rishikimit të Kodit të Punës do të jetë i kujdesshëm e gjithëpërfshirës dhe parashikohet që në gjysmën e parë të vitit 2010, Shqipëria të bëhet me kod të ri. Duke iu referuar pyetjes suaj, për mbrojtjen e fëmijëve, mund t‘ju bëj me dije se ka filluar nga puna një grup ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë për hartimin e ligjit për të drejtat e fëmijëve, i cili do të përfshijë të drejtat e fëmijëve, si dhe detyrimin e institucioneve për t‘i garantuar këto të drejta. Një nga të drejtat themelore është mbrojtja e fëmijëve nga puna. Ligji parashikohet të bëhet pjesë e legjislacionit vendas në gjysmën e parë të vitit 2009. Paralelisht punojmë edhe për strategjinë dhe ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë, të cilat do të kompletojnë kuadrin ligjor në këtë fushë të marrëdhënieve të punës.

Keni nënshkruar së fundmi një tjetër marrëveshje me shtetin italian lidhur me punësimin legal të shqiptarëve. Sa dhe si do përfitohet nga ky program? Si kanë rezultuar programet e mëparshme të këtij lloji me vendet fqinje? Keni planifikuar ta zgjeroni këtë raport edhe me vende të tjera të zhvilluara?

Midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane u nënshkrua në Tiranë marrëveshja dypalëshe në fushën e punës, e cila synon të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve për menaxhimin më të mirë të flukseve të punonjësve /////////migrantë në drejtim të dy shteteve.

Që marrëveshja të bëhet eficente në të parashikohet domosdoshmëria e kontakteve mes përfaqësuesve të palëve, të cilët propozojnë zgjidhje për vështirësitë që mund të hasen në zbatimin praktik të marrëveshjes. Pra, marrëveshja nuk është statike.

Tashmë jemi në proces për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë edhe me qeverinë greke, me të cilin po vazhdojmë negocimin nëpërmjet Ministrisë sonë të Jashtme.

Çfarë është dhe çfarë sjell Marrëveshja e re e Punësimit dhe Protokolli i Zbatimit të saj me Italinë?

Së pari, është një marrëveshje kuadër dhe do të ndikojë në përcaktimin e kuotave prioritare vjetore për shtetasit shqiptarë që hyjnë për punësim në Itali. Së dyti, dhënia e një informacioni të hollësishëm e detajuar mbi profesionet, sektorët dhe kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit shqiptarë për të punuar në Itali, do të mundësojë për çdo të interesuar informacionin për kohën e aplikimit dhe procedurat. Së treti, marrëveshja dhe protokolli i zbatimit përcaktojnë mënyrën dhe procedurat që do të mundësojnë përafrimin e kërkesës me ofertën mes tregut italian dhe shqiptar të punës. Ministria italiane e Punës transmeton çdo vit pranë Ministrisë së Punës të Shqipërisë informacion të detajuar mbi profesionet dhe kualifikimet për të cilat ka nevojë tregu italian i punës, si dhe kriteret që duhen përmbushur nga pala shqiptare. Mbi këtë informacion, MPÇSSHB, harton listat e kandidatëve potencialë për emigrim që, nëpërmjet kanaleve diplomatike, ia kalon palës italiane. Përzgjedhja përfundimtare e kandidatëve bëhet nga punëdhënësi italian.

Ka një fluks të madh projektesh ndërkombëtare që asistojnë shtresa të ndryshme në nevojë, në bashkëpunim me strukturat qeveritare. A kanë dhënë këto rezultatin e pritshëm? Çfarë duhet ndryshuar?

Në dy muajt e parë të punës sime në krye të Ministrisë së Punës mora kontakt, përveç të tjerash, edhe me donatorë, përfaqësues diplomatikë, agjenci shtetërore, organizma dhe organizata ndërkombëtare, të cilat kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin qeverinë dhe ministrinë në përmbushjen e objektivave në fusha të ndryshme. Nga këto takime dhe nga informacioni që mora në strukturat përkatëse në ministri, jam njohur me projekte që mbështesin fusha të tilla, si: punësimi dhe formimi profesional, mbrojtja e fëmijëve nga puna, mbrojtja e grave dhe fëmijëve nga dhuna, barazia gjinore etj.

E rëndësishme është të mos e kthejmë në qëllim në vetvete hartimin dhe realizimin e "projekteve për projekte". Nuk ka rëndësi numri i projekteve, as sasia e fondeve të shpenzuara, por eficensa dhe impakti që ato kanë tek individët. Donatorët e kanë mbështetur fillimin e një procesi vlerësimi të të gjitha projekteve e programeve që janë duke u zbatuar apo pritet të zbatohen. Besoj se ky është një proces i domosdoshëm.

Çfarë trajtimi u garantohet me ligj jetimëve, pas moshës 14 vjeç, kur largohen nga qendrat publike rezidenciale? A zbatohet ligji për përfitimet që ata duhet të kenë?

Fëmijët jetimë janë një nga kategoritë më vulnerabël që u përkasin shtresave në nevojë, ndaj duhet të kenë vëmendjen e të gjitha strukturave që trajtojnë dhe menaxhojnë problematikën e kësaj kategorie. Sipas legjislacionit në fuqi, fëmijët jetimë deri në moshën 15 vjeç trajtohen në institucionet publike të përkujdesit shoqëror. Atyre që, pas kësaj moshe, ndjekin arsimin e mesëm profesional, u garantohet bursë e përmuajshme dhe sistemohen në konviktet e shkollave. Jetimët që nuk vazhdojnë arsimin e lartë, me largimin nga institucionet, trajtohen me pagesë të ndihmës ekonomike nga njësia vendore deri në momentin e punësimit. Pagesa edhe pse më e lartë se masa e përcaktuar për kryefamiljarët, është e pamjaftueshme për sigurimin e jetesës, kështu që prioritet i të gjitha strukturave mbetet krijimi i mundësive për punësim, nëpërmjet mundësimit të formimit profesional falas dhe mbështetjes për punësim nëpërmjet programeve që zbatohen çdo vit për nxitjen e punësimit.

Problem për këtë kategori mbetet strehimi pas largimit nga qendrat e përkujdesit që, sipas statusit për jetimët, duhet të mundësohet nga njësitë vendore. Me qëllim rritjen e mbështetjes për fëmijët jetimë, kemi parashikuar ndryshime në Ligjin "Për Ndihmën dhe Shërbimet Shoqërore", që pritet të miratohet në fillim të këtij viti të ri dhe që parashikon për herë të parë mbështetjen me ndihmë ekonomike edhe për jetimët që nuk kalojnë nga qendrat rezidenciale, por mbahen nga të afërm të tyre, pasi vlerësojmë se rritja nga të afërmit dhe pranë komunitetit ndikon pozitivisht në përgatitjen dhe mirërritjen e tyre.

Sa eficente është ndihma ekonomike. A funksionon realisht skema e kushtëzimit të ndihmës me punë komunitare. Keni hasur në abuzivizëm në këtë proces që menaxhohet nga vendorët dhe kontrollohet nga ju?

Ndihma ekonomike është një pagesë kesh që u jepet familjeve në nevojë dhe pa të ardhura. Ajo mundësohet nga fondi i buxhetit të shtetit, i cili u alokon çdo vit njësive vendore një buxhet që mbështetet mbi hartën e varfërisë në vend, por edhe në mundësitë reale të tij. Fondi i akorduar nga qeveria ka pësuar rritje nga viti në vit dhe kontrollimi i skemës është bërë më evident, duke hequr nga skema familje dhe individë abuzues, gjë që ka sjellë në mënyrë të pashmangshme rritjen e masës së përfitimit. Synimi ynë është kalimi nga skema pasive e ndihmës në atë aktive. Pra, synimi ynë nuk është t‘i sigurojë familjes një pagesë minimale të përjetshme, por t‘i krijojë mundësi për integrimin e individëve të aftë në tregun e punës, duke synuar jo vetëm luftën ndaj parazitizmit, por rritjen e të ardhurave për familje. Nuk po ndalem gjatë në shifra, por mjaft të përmend se fondet e ndihmës ekonomike janë rritur 4.2 miliardë në 2009, nga 2.6 në 2007, ndërsa masa e përfitimit për familje është dyfishuar.

Kushtëzimi i ndihmës me punë komunitare ka qenë një nga risitë që ka sjellë reformimi i skemës së ndihmës ekonomike. Në njësitë që ka filluar zbatimi i saj ka rezultuar i suksesshëm dhe ka ndikuar në uljen e abuzivizmit dhe rritjen e përfitimit për familje dhe këtu mund të përmend tri njësi të Tiranës.

Në Kodin Zgjedhor është sanksionuar përfaqësimi elektoral jo më pak se 30% për femrat. Kush do ta monitorojë zbatimin korrekt të tij dhe a do të ketë penalizime për shkelësit, duke qenë se institucioni që ju përfaqësoni mbart edhe emërtimin për shanset e barabarta?

Në korrik u miratua ligji "Për barazinë gjinore në shoqëri", në një nga nenet e të cilit parashikohet gjobë deri në një të dhjetën e fondit shtetëror për financimin e fushatës zgjedhore, për subjektet politike që nuk respektojnë përfaqësimin prej 30% të secilës gjini. Ndërkohë, një sërë nenesh të tjera parashikojnë masa disiplinore dhe gjoba për subjektet që vërtetohet se cenojnë dispozitat e ligjit. Ligji përcakton se masat disiplinore jepen nga eprori i drejtpërdrejtë, ndërsa gjobat, sipas rastit, nga Inspektorati Shtetëror i Punës apo gjykata, në rastet kur përbëjnë vepër penale. Ndryshimet në fushën e barazisë gjinore, veçanërisht të përfaqësimit të grave dhe vajzave në kuotën e mësipërme, janë një sfidë për shoqërinë shqiptare. Për herë të parë futet sistemi i kuotës në Shqipëri, një instrument ligjor shumë i rëndësishëm për garantimin në terma realë të saj.

Dhe, së fundi, jeni një ministër që e keni marrë detyrën në vitin e fundit të mandatit elektoral. Mendoni se keni kohën e mjaftueshme për të sjellë ndryshime të vlefshme?

Nuk ka rëndësi momenti kur të ngarkohet një detyrë, as kohëzgjatja e ushtrimit të saj, e rëndësishme për këdo që pranon një përgjegjësi të tillë është që të punojë me përkushtim dhe të japë më të mirën për të siguruar vazhdimësinë e institucionit dhe përmirësimin e performancës së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›