E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti "Nënë Tereza", mjegulla pezullon fluturimet për disa orë

Moti i keq dhe mjegulla e dendur që mbuloi vendin bëri që të pezullohen edhe fluturimet në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" në Rinas. Të gjitha fluturimet në ulje dhe në ngritje u ndalën në orën 01.00 të mëngjesit, për shkak të dendësisë së mjegullës dhe vizibilitetit të dobët. Në këtë mënyrë, shumë nga linjat ajrore të mëngjesit dhe paradites janë anuluar, apo vonuar. Sipas informacioneve zyrtare, me hapjen e kohës në Rinas kanë rinisur edhe fluturimet drejt destinacioneve të parashikuara.

Problemet me mjegullën kanë nisur dy ditë më parë, ku disa prej fluturimeve në zbritje kanë qëndruar për një kohë të gjatë në ajër, deri sa është pastruar qielli. Distanca e vështrimit, e lejuar nga normat ndërkombëtare, është 5 kilometra, por paraditen e djeshme, në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Shqipëri kjo distancë, për shkak të mjegullës, ishte vetëm 50 metra.

Shumica e personave, të cilët do të udhëtonin për arsye pune apo biznesi, u është dashur të humbasin angazhimet e tyre, apo të paraqiten me vonesë, për shkak të motit të keq. E njëjta situatë është përsëritur edhe një vit më parë. Në ditët me mot të keq, sidomos me mjegull, një pjesë e mirë e fluturimeve janë pezulluar, ose janë shtyrë deri në përmirësim të kohës dhe pastrim të qiellit. Shiu apo temperaturat e ulëta nuk paraqesin rrezik të madh krahasuar me mjegullën, apo reshje të dendura, të cilat shkaktojnë edhe vonesa e turbulenca të papërballueshme për udhëtimin ajror.

Sakaq, në pjesën e dytë të ditës kemi pasur kthjellime të motit, ndërkohë shumica e qytetarëve janë përfshirë në debate të mëdha për sa i takon mjegullës së mëngjesit. Distanca ku secili mund të shikonte ishte ngushtuar në masë të madhe jo vetëm për avionët e pilotët, por edhe për shoferët apo këmbësorët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›