E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi Shëndetësor dërgon grupe kontrolli në veri

Veç shtabit të emergjencave të ngritur nga Ministria e Brendshme, bërthama të tjera të vogla janë ngritur nga strukturat shëndetësore. Një grup specialistësh në ditën e parë të punës janë dërguar me detyrë për të kontrolluar gjendjen në zonat e thella, ku ka pasur edhe probleme për ditë me radhë si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të dendura të dëborës.

Për të pasur nën kontroll situatën shëndetësore, për shkak të vështirësive të krijuara nga moti i keq që ka përfshirë zonat e thella të vendit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur grupe kontrolli në disa zona të thella për të verifikuar gjendjen. Nga të dhënat e deritanishme në terren, rezulton se gjendja e qendrave shëndetësore për sa u takon medikamenteve është e kënaqshme dhe mbulimi i zonave të thella me mjekë është zgjidhur me vënien në dispozicion të bluzave të bardha të komunës më të afërt. Grupet e kontrollit janë nisur në komunat e Shkodrës, Dibrës, Tropojës për të parë nga afër nevojat e qendrave shëndetësore në këtë situatë emergjente, për përballimin e së cilës është ngritur tashmë një shtab emergjence nga qeveria.

Fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, apo pacientët kronikë kanë nevojë për shërbim shëndetësor 24 orë. Bllokimi në shtëpi si pasojë e motit dhe reshjeve ka shqetësuar banorët e zonave të thella, të cilët kanë nevojë jo vetëm për kujdes shëndetësor, por edhe për zhbllokimin e rrugëve, furnizimin me rezerva ushqimore, ngrohje dhe asistencë financiare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›