Obama merr Nobel për Paqen, shpërthejnë kritikat
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama është nderuar dje me çmimin “Nobel për Paqen”. Sipas Komitetit me bazë në Norvegji presidenti aktual amerikan ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin. Po kështu sipas Komitetit, Obama i ka kushtuar rëndësi të veçantë vizionit për një botë pa armë bërthamore. Një vlerësim i tillë ka bërë që nga Shtëpia e Bardhë të organizohej një konferencë ku vetë presidenti Barak Obama, u shpreh se ndihet i nderuar dhe se e pranon me përulje çmimin “Nobel për Paqen”, por që nuk ishte i sigurt nëse e meritonte apo jo. Ndërkohë, nga ana tjetër shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se e vlerëson marrjen e çmimit prestigjioz si një thirrje për veprim, për të bashkëpunuar me vendet e tjera të botes në zgjidhjen e problemeve të shekullit të 21-të. Çmimi “Nobel për Paqen” ka surprizuar shumë prej personaliteteve botërore, analistë, liderë dhe organizata, të cilët e kanë komentuar në mënyra të ndryshme këtë vlerësim që i është bërë Obamës. Kështu kreut i OKB, Ban Ki Mun është shprehur se Obama është mishërimi i një shpirti të ri, me dialogun dhe angazhimin për t’u përballur me problemet më të mëdha të botës”. Ndërkohë që tek zërat kritikë kanë gjetur shprehje tek Washington Post. Sipas analistëve lidhur me Obamën dhe çmimin nuk ishte përcaktuar se ku bazohej dhënia e “Nobel për Paqen”, sepse ata që e kanë marrë më parë këtë çmim ose janë vlerësuar për aspiratat ose për arritjet. Hamasi ka reaguar dje përmes zëdhënësit të saj Fawzi Barhoum i cili ka thënë dje për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua” se presidenti Obama nuk e meriton këtë çmim. “Ne mendojmë se ka shumë gjëra për të cilat zoti Obama ka nevojë që të prezantohet para popullit palestinez në mënyrë që ta meritojë këtë çmim. Ai duhet të ndryshojë sjellje dhe të jetë i drejtë”, ka thënë Barhoum. Pavarësisht deklaratave kundër duket se ajo që ka dhënë firmën ka qenë shumica e komitetit të Norvegjisë, shtet drejt të cilit presidenti amerikan do të udhëtojë në dhjetor për të marrë çmimin. Barak Obama, është presidenti i tretë amerikan që fiton “Nobel për Paqe”, pas Teodor Ruzvelt dhe Vudrou Uillson.