Kombëtarja, me mendje tek Suedia dhe Qipro
Leonard Karaj
Qipro rrezikon seriozisht përfshirjen e kombëtares shqiptare në vazon e katërt në shortin për kualifikimet e evropianit të 2012-ës. Duke marrë të mirëqenë një humbje në ndeshjen e fundit në grup ndaj Suedisë, një barazim nga ana tjetër e Qipros në dy ndeshjet e fundit ndaj Bullgarisë dhe Italisë do të thoshte ndërrim pozicionesh; kuqezinjtë e Kuzhesë do të kalonin në vazon e pestë dhe ishullorët e Anastasiadis në vazon e katërt. Falë rezultatit pozitiv që morën ndaj Danimarkës kombëtarja jonë arriti të siguronte provizorisht vendin e fundit në dispozicion në vazon e katërt. Shqipëria ka në këtë moment 18 mijë e 681 pikë ndërsa qipriotët kanë 18 mijë e 131 pikë. Duke llogaritur se skuadrat marrin nga 10 mijë pikë për çdo ndeshje, si dhe duke parë takimet në dispozicion (1 Shqipëri, 2 Qipro) një humbje (aq më keq me goleadë) në Stokholm do të na kushtonte jashtëzakonisht shumë. Nga ana tjetër edhe Suedia është “e uritur” për pikë dhe për kualifikim pasi në këto momente ndodhet në vazon e parë por e rrezikuar shumë nga katër skuadra, Portugalia (30.885), Serbia (30.481), Çekia (30.476) dhe Zvicra (30.470)
Përllogaritja
Nëse Shqipëria humbet minimalisht me Suedinë atëherë kuota e saj e pikëve do të jetë 19 mijë e 181. Ndërsa nëse Qipro merr të paktën një barazim në dy ndeshjet me Bullgarinë, ditën e sotme dhe me Italinë të mërkurën atëherë pikët e ishullorëve do të shkonin në më shumë se 20 mijë pikë (pikët varen edhe nga pësimi ose shënimi i golave) çka do të thoshte se qipriotët do të merrnin vendin e fundit në vazon e katërt duke rrëzuar kuqezinjtë e Kuzhesë në vazon e pestë. E kundërta; nëse Shqipëria arrin të marrë të paktën një barazim atëherë pikët e saj do të shkonin në 20 mijë e 681, çka do të varej gjithsesi nga përballjet e Qipros por do të ishte shumë herë më e sigurt për vendin që mban aktualisht në renditjen e koefiçinetëve të UEFA-s. Për renditjen në vazo të skuadrave për shortin e Euro 2012 merren parasysh ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2006, të Evropianit 2008 dhe të Botërorit 2010.