Kohë të vështira për shkrimtarët e mëdhenj
Kur flitet për shkrimtarët e mëdhenj flitet për librat e tyre të mrekullueshëm, më pas të interesohemi për kohën kur janë shkruar librat, për situatat, jetën e tyre që gjithsesi kanë të bëjnë me letërsinë e tyre. Në këtë mënyrë na vijnë shpejt në mendje kur ata flasin aq bukur për letërsinë në tërësi, kujtohemi për thëniet e tyre, të Hemingueit psh kur përsëriste se mund të shkruhen romane shumë të mirë me fjalë 100 dollarëshe, por merita më e madhe është ti shkruash me fjalë prej 20 qindarkash. Ose duke kujtuar Cortasarin, i cili i apasionuar pas boksit e krahasonte narrativën me një ndeshje boksi dhe sipas së cilit romani mund të fitojë me pikë ndërsa tregimi duhet të fitojë me nokaut. Kush ishte më i mirë në tregimet e shpejta, kush mund të ketë qenë më mjeshtër në romanet pak më të gjata sesa një novelë, si kujdeseshin për ekonominë e mjeteve narrativë, kush mbante gjithmonë të gjallë ritmin e historive që tregonin, kush kujdesohej për peizashet, situatat e ndryshme, kush kishte zotësinë për të mbyllur diskutimet e gjata në penelata intensive dhe të shpejta. Të lexojmë për rininë e tyre atëherë kur letërsia për ta ishte një pjesë shumë e rëndësishme e jetës, që asimilohej në organizmin e tyre kur ishte pothuaj diçka që gëlltitej dhe që bëhej pjesë e vetë substancës së tyre.
Ndoshta të njëjtat gjëra ndodhin dhe sot. Por nganjëherë vihet re që shkrimtarët e mëdhenj lënë mënjanë punën e tyre të mrekullueshme dhe vendosin të hyjnë në fusha të cilat jo se nuk i njohin por që gjithsesi nuk janë të tyret. Rasti më i fundit është ai i shkrimtarit më të madh të Kroacisë Predrag Matjeviç, i cili vazhdon të kërkojë ende shkaqet se përse nuk u ftua në takimin që Papa Benedikti XVI, zhvilloi në Kroaci me shoqërinë civile gjatë vizitës së tij. Në një intervistë të tij, Matvejeviç do të nënvizonte se nuk e thirrën sepse ndoshta kishte njerëz më të rëndësishëm për të shkuar tek Papa. Në fakt, shkrimtari edhe mund të ketë pasur të drejtë sepse në atë takim të zhvilluar në Teatrin Kombëtar Kroat të Zagrepit, ishin ftuar rreth 700 persona mes tyre intelektualë dhe artistë, por për të nuk u kujtua askush. Vetë shkrimtari kroat, i lindur në Mostar dhe i njohur dhe i përkthyer në të gjithë universin për kryeveprat e tij (libri i tij i fundit “Buka jonë”), theksoi se ndoshta vetë ipeshkvit kroatë nuk do të kishin dashur që ai të ndodhej në atë takim. Si mund të jetë ndjerë shkrimtari, i cili ka jetuar rreth 14 vjet në Itali, ka qenë profesor në universitetin e Romës, dhe që e konsideron Italinë si një atdhe të dytë, që ka marrë shtetësinë italiane nga vetë ish - Presidenti i Italisë, Oskar Luigji Scalfaro, dhe që tani që Papa vizitonte tokën e tij, mos të takohej me të? Vetë ai thotë shpesh se është një shkrimtar laik, dhe se për një intelektual është e rëndësishme të shprehë mendimet edhe pse të ndryshme por gjithnjë sipas logjikës së dialogut. “Unë kam folur shumë herë për ‘Talebanët e krishterë’ për të thënë se ka disa persona që shprehen dhe veprojnë si ekstremistë përsa i përket mendimit të tyre religjioz dhe nuk pranojnë diskutime të tjera që nuk kanë të bëjnë me besimin e tyre” - deklaron Predrag Matjeviç. Por ipeshkvët kroatë nuk ftuan as ish-kreun e shtetit Stipe Mesiç, dhe as liderin e opozitës së majtë Milanoviç. Këta të fundit nuk kanë “protestuar” ndërsa shkrimtari thotë: “”Ndoshta Kroacia ka nevojë të shihet në pasqyrë, sepse vetëm kështu mund të rishikojë në mënyrë serioze të kaluarën e saj”- duke ju referuar regjimit të filo-nazistit Ante Paveliç. “Këtu ka patur kampe përqendrimi më të këqinj se Aushvici, ritheksoj: më të këqinj se Aushvici dhe janë kryer krime të tmerrshme. Shumë prej vendeve të Ballkanit duhet që sot, ta nisin këtë lloj reflektimi”. Shkrimtari nuk mjaftohet me kaq, por fillon të futet edhe në fushën e politikës, duke akuzuar ipeshkvët kroatë se sipas tij duan të shfrytëzojnë vizitën e Papës për motive politike në favor të partive të qendrës së djathtë. Matvejeviç e konsideron faktin që nuk u ftua në takimin me Papën si një poshtërim, duke kujtuar se në vendin e tij ka qenë edhe i procesuar për deklaratat e tij dhe vetëm nga solidariteti i shumë shkrimtarëve dhe artistëve ka shpëtuar. Por kur shkrimtari pyetet se duke folur kështu kundër të djathtës kroate dhe ipeshkëve të Kroacisë mos ndoshta pa dashur po ndihmon krahun e majtë të politikës së vendit të tij, shkrimtari devijon dhe përpiqet të kalojë në fushën që më së shumti i përket atij vetë, në atë të letërsisë, duke folur për veprat e tij që së fundmi kanë sukses sidomos në Itali. Thotë edhe që po ngushëllohet më së shumti me lexuesit dhe librat e tij, që po ecin shumë mirë në Itali dhe vende të tjera.
Në këto momente intervista e shkrimtarit bëhet më interesante sesa kur flet për partitë politike dhe manovrat e tyre dhe të kishës kroate. “Është e vërtetë, por sa mundohem për të shkruajtur. Për të përfunduar disa kapituj, u sëmura nga hepatiti C. Ndodhi në Afrikë, në kufirin mes Libisë dhe Sudanit, ku bëjnë një lloj buke shumë të mirë, por prej vendit ku gatuhet mund të shkaktojë infeksione për organizmin tonë. Kështu ndodhi, edhe sot, pas shtatë vjetësh nga ajo lloj eksperience, vuaj çdo vit dhe më duket sikur mbaj mbi shpatulla 1000 kile”. Por përsëri, kujtohet ndoshta se po flet për gjëra që kanë të bëjnë me letërsinë dhe librat e tij por që nuk e ka të lehtë të flasë pa futur në to dhe politikën. Dhe si shkrimtarë të mëdhenj siç janë gjen një shpikje të re për të folur dhe për letërsinë dhe për politikën. “dua të shkruaj një libër për të mbyturit qofshin këta politikanë apo njerëz të thjeshtë. Ndoshta kështu mund ta ketë dhe titullin ‘Të mbyturit’”. Sepse sipas shkrimtarit, kjo është një Europë të mbyturish. Jemi në kohëra të vështira për shkrimtarët e mëdhenj.