Axhenda parlamentare e vjeshtës, reformë zgjedhore dhe komisione hetimore
Axhenda parlamentare e shtatorit pritet të jetë tejet e ngjeshur për ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë. Kjo për arsyen se shumë çështje të rëndësishme janë mbartur që nga legjislatura e kaluar parlamentare, pasi nuk kanë gjetur konsensusin e opozitës për t’u miratuar. Por, përveç ligjeve të pamiratuara, pasi kërkojnë shumicë të cilësuar votash, ka çështje të tjera që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura, siç është kërkesa e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Ashtu sikurse është theksuar nga eksponentë të të dyja forcave politike, negociatat PS-PD do të rinisin në shtator dhe pritet që me fillimin e legjislaturës së re parlamentare të ngrihet komisioni hetimor për hetimin e materialeve zgjedhore të 28 qershorit. Pritet gjithashtu që pjesë e sesionit të ri parlamentar të jenë çështjet e reja që do të ngrihen nga deputetët e të dy forcave politike. Burime nga PS-ja kanë bërë të ditur se do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e pasurive të deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, mbi të cilët ka hije dyshime për abuzime me fondet shtetërore.
Një tjetër komision hetimor që është miratuar në fund të sesionit të kaluar dhe që punimet e të cilit do të nisin në muajin shtator është ai për zbardhjen e masakrës së Tivarit. Pritet që edhe për këtë çështje të zhvillohen debate për shkak se PS-ja ende nuk ka miratuar anëtarët e saj në këtë komision. Por, kryefjala e punimeve të Kuvendit gjatë muajit shtator pritet të jetë reforma zgjedhore. Kjo për faktin se në fillim të muajit shtator, Presidenti i Republikës duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe të dyja partitë politike në bazë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it duhet të hartojnë ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor, para zhvillimit të zgjedhjeve. Por, ky proces, ashtu si edhe herët e kaluara, pritet të shoqërohet me debate të nxehta politike dhe me negociata të stërgjatura.
Socialistët
Kampi rozë, përveç këmbënguljes më shumë se 1-vjeçare për hetimin e zgjedhjeve parlamentare për 28 qershorin, në fillim të legjislaturës së re do të kërkojë ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e pasurive të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë gjithë këtyre ditëve të nxehta të verës Partia Socialiste është angazhuar në një fushatë akuzash drejtuar ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përqendrimi i luftës opozitare kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, që është përdorur nga qeveria si slogan, “Qeverisje me duar të pastra”, pritet të jetë dhe taktika e re e qëndrimit të PS-së në Kuvend. Burimet bëjnë të ditur se PS-ja do të kërkojë doemos hetimin e zgjedhjeve dhe se nëse nuk do të ketë hetim të zgjedhjeve, kjo parti do të vazhdojë të mos marrë pjesë në miratimin e ligjeve të rëndësishme. Por, nëse palët do të gjejnë një rrugëdalje, përsa i përket hetimit të zgjedhjeve, pika e dytë e axhendës parlamentare do të jetë pikërisht reforma zgjedhore si dhe miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash.
Demokratët
Burimet bëjnë të ditur se maxhoranca do të përpiqet të arrijë një marrëveshje me PS-së për hetimin e zgjedhjeve; normal, duke lëshuar pe në hetimin e materialeve zgjedhore dhe duke mos lejuar prekjen e fletëve të votimit. Më pas do të kërkojë sërish konsensusin e PS-së për miratimin e ligjeve të rëndësishme që prej muajsh dergjen në sirtarët e Kuvendit në mungesë të votave, të tillë si ndryshimet e shumicës së Kodeve si dhe miratimi i ligjit për Gjykatën Administrative. PD-së i duhet t’i futet punës për të ndryshuar ligjin e pronave, të kthyer pak ditë më parë nga presidenti Topi, i cili refuzoi ta dekretonte, pasi, sipas tij, është antikushtetues. Në shtator gjithashtu pritet që presidenti Topi të sjellë në Kuvend jo pak, por 6 propozime për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese dhe në bazë të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, secili nga kandidatët duhet t’u nënshtrohet seancave dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Demokratët gjithashtu do t’i kushtojnë rëndësi hetimit dhe gjetjes së fakteve që ndihmojnë në zbardhjen e masakrës së Tivarit, të cilat do t’i bëjnë publike në mbledhjet e komisionit hetimor për këtë çështje. Burimet kanë bërë të ditur se PD-ja do të synojnë miratimin në Kuvend të një ligji të ri që synon t’i japë kompetencë Kuvendit të kontrollojë punën dhe menaxhimin e fondeve nga SHISH-i, si dhe garantimin e sigurisë së informacionit të klasifikuar “sekret shtetëror”.
Axhenda
Komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit
Komisioni hetimor për zbardhjen e masakrës së Tivarit
Komisioni hetimor për pasurinë e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë
Shqyrtimi i ligjit të pronave
Negociata për reformën zgjedhore
Seanca dëgjimore për dekretet e Presidentit
Miratimi i:
Ligjit Për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative
Ligjit për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Ligjit për funksionimin dhe vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë
Ligjit për funksionimin e Konferencës Gjyqësore
Ligjit për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë
Ligjit për ndarjen administrative-territoriale të njësive të qeverisjes vendore
Ligjit për Kodin Penal
Ligjit për Kodin Hekurudhor
Ligjit për Kodin Doganor
Ligjit për Kodin Ajror
Ligjit për Kodin Rrugor
Ligjit për Kodin Detar
Urimi
Meta, letër Milloshovskit: “Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, garanci për stabilitet”
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i ka dërguar dje homologut të tij maqedonas, ministrit Antonio Milloshovski, një letër urimi me rastin e 9-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në letrën e tij Meta ka nënvizuar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje është garancia e vetme për stabilitetin e brendshëm të Maqedonisë. “Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është garancia e vetme për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm”, - shkruan ministri Meta në letrën drejtuar homologut maqedonas. Përmes kësaj letre urimi drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, zëvendëskryeministri gjithashtu shpreh kënaqësinë e veçantë dhe përshëndetjet e përzemërta për mirëqenien, përparimin dhe begatinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. “Besoj se ndajmë të njëjtin mendim se Marrëveshja e Ohrit ka rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë dhe se zbatimi i plotë i saj në të gjitha nivelet është garancia e vetme për sigurimin e stabilitetit, mirëkuptimit dhe mirëbesimit të brendshëm. Përfitoj nga ky rast, i nderuar koleg, të ripërsëris se bashkëpunimi midis dy vendeve tona përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, si dhe të rikonfirmoj vullnetin për zgjerimin dhe konkretizimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në interes dy popujve tanë miq, të paqes e stabilitetit në rajon”, - shkruan zëvendëskryeministri. Në fund të mesazhit të tij, z. Meta shpreh bindjen e tij se “vetëm me vullnet politik pozitiv dhe bashkëpunim konkret praktik në të gjitha fushat bëjmë më të mirën për realizimin sa më shpejt të qëllimeve të përbashkëta për integrim në strukturat europiane dhe për zhvillimin e qëndrueshëm e demokratik të rajonit tonë”, - përfundon letra e Metës.
17 Gusht 2010