E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: “Berisha dhe Meta të bëjnë publike letrën dërguar administratës amerikane”



Letra e qeverisë dërguar administratës amerikane për ankesat ndaj ambasadorit John Withers ka bërë bujë në mediat shqiptare. Në këto kushte, Partia Socialiste i ka kërkuar kryeministrit Berisha dhe zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, të bëjnë menjëherë transparente dhe publike letrën që i kanë dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit. Kërkesa është bërë dje nëpërmjet deputetit Saimir Tahiri, i cili ka kërkuar edhe ndërhyrjen e presidentit Bamir Topi.
Transparenca
Deputeti Tahiri thekson se transparenca mbi letrën e qeverisë dërguar DASH-it është shumë e rëndësishme. “Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë është shkruar në fletërrufenë që kanë dërguar në emër të popullit këta dy përfaqësues të interesave të errëta private e jo të shqiptarëve”, - u shpreh Tahiri, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e presidentit Topi. “Sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës është autoriteti më i lartë i Shtetit dhe përfaqësuesit i unitetit të popullit, ai që dekreton ambasadorët e Republikës së Shqipërisë jashtë dhe që pranon kredencialet e ambasadorëve të shteteve të huaja në Shqipëri. Partia Socialiste i kërkon Presidentit të ndërhyjë menjëherë për të bërë transparencë mbi letrën e dërguar nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm, të kërkojë publikimin e saj, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm me qëllim shmangien e çdo situate të papëlqyeshme me partnerët tanë ndërkombëtarë për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit dhe shërbëtorëve të tij”, - theksoi Tahiri.
Komploti
Letrën për ankesat ndaj ambasadorit amerikan, Partia Socialiste e ka cilësuar një komplot nga qeveria për të hequr qafe ambasadorin Withers, pasi ai ka kritikuar qeverinë për shumë çështje politike, që nëse do të zgjidhen në mënyrë ligjore do të prekin interesat e saj. “Ilir Meta, në shërbimin e tij të radhës, ka firmosur dhe dërguar pranë Departamentit Amerikan të Shtetit tekstin e shkruar nga Sali Berisha, që si fryt i mediokritetit e fodullëkut politik të këtij pushteti të korruptuar, kanë menduar një komplot e puç diplomatik qesharak, me synim për të hequr qafe ambasadorin e një vendi mik që për Sali Berishën dhe Ilir Metën përbënte vetëm pengesën e radhës”, - u shpreh Tahiri. Deputeti socialist akuzoi kryeministrin se është armik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për tri herë radhazi. “Oligarkia e këtij pushtetit korruptiv, me komunistë të pandreqshëm si Sali Berisha e vegla shumëpërdorimshme si Ilir Meta, ka gatuar për turp e faqen e zezë të tyre, fletërrufenë si ‘daci baot’ e kohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partner strategjik i Shqipërisë e shqiptarëve, por armik tri herë për Sali Berishën; para ’90-s, atëherë kur ishte komunist i shpallur, në ‘96-n, kur shtynte vendin në greminë e sot kur është po i njëjti që kërkon të gjunjëzojë demokracinë dhe shtetin ligjor në vend për të instaluar diktaturën e korrupsionit të kthyer në sistem”, - tha Tahiri. Duke iu referuar këtij rasti të fundit, Tahiri u shpreh se sot po del në dritë gjithmonë e më shumë jo vetëm abuzimi i pushtetit me të drejtat e njeriut, me financat publike, çmontimi i demokracisë dhe shtetit ligjor, përdhosja e parlamentarizmit dhe Kushtetutës, kriza permanente që ky pushtet ka injektuar në sistemin gjyqësor dhe në institucionet e pavarura kushtetuese, shërbimi sekret, por po evidentohet qartë prirja e Sali Berishës për të izoluar Shqipërinë e shqiptarët, duke futur në krizë marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA, NATO dhe BE, për të krijuar në këtë vend ferrin e shqiptarëve dhe parajsën korruptive të pushtetarëve të korruptuar.

Luan Rama: “Letra, procedurë normale midis ministrit dhe ambasadorit të SHBA-ve”

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëkohësisht këshilltar politik i ministrit të Punëve të Jashtme, Luan Rama, shpjegoi dje për mediat se shkëmbimi i letrave me opinione të ndryshme për çështje të caktuara midis ministrit Meta dhe ambasadorit Withers, si dhe me ambasadorët e vendeve të tjera që operojnë në Shqipërinë është një procedurë normale e diplomacisë. Rama gjithashtu u shpreh se kjo letër është keqpërdorur për qëllime të caktuara nga kryetari i Partisë Socialiste. Në fjalën e tij, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së theksoi gjithashtu se marrëdhëniet midis ministrit Meta dhe ambasadorit të SHBA-ve kanë qenë të shkëlqyera, ashtu sikurse dhe marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Më lejoni më parë të theksoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve kanë në themel dhe në bazë të tyre, jo vetëm vlerat fondamentale të demokracisë, por dhe kontributet e përbashkëta me interes strategjik. Shqipëria, e orientuar qartë dhe në mënyrë korrekte, e ka konsideruar dhe i konsideron me të drejtë SHBA-të partner strategjik, e lidhur ngushtë kjo me angazhimet euroatlantike të Shqipërisë dhe pikërisht për këtë shkak të rolit shumë korrekt dhe serioz që Shqipëria luan në rajon dhe më gjerë, në kuadër të paqes dhe sigurisë globale, ka merituar të jetë partner preferencial të SHBA-ve në këtë pjesë të botës. Natyrisht që në të gjithë këtë histori marrëdhëniesh të konsoliduara dhe pa dyshim të shkëlqyera, roli, kontributi i zotit Meta si personal, ashtu dhe politik, i spikatur në këto 20 vjet është i konfirmuar, është produktiv dhe është vlerësuar si i tillë në të gjitha forumet apo institucionet politikbërëse në SHBA. Më lejoni gjithashtu ta fokusoj pak më qartë përgjigjen time tek thelbi i pyetjes suaj në lidhje me letrën e shumë përfolur dhe të keqpërdorur”, është shprehur Rama ndërsa ka bërë të ditur se Meta dhe Withers-i kanë shkëmbyer letra me njëri-tjetrin për çështje të ndryshme. “Praktika e shkëmbimit të letrave midis ministrit të Jashtëm dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri, është një praktikë rutinë e burokracisë diplomatike, midis së cilës shprehen opinione apo shprehen konsiderata apo qëndrime të ndryshme dhe që kanë të bëjnë me gjithçka që ka të bëjë me qeverinë që përfaqësohet nga ministri i Jashtëm dhe me vendin që përfaqëson ambasadori i akredituar në Shqipëri. Zoti Meta shprehu qartë se nuk ka ndonjë letër ankese të tij drejtuar as sekretares së Shtetit dhe as ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit lidhur me ambasadorin e SHBA-ve në Shqipëri. Nga ana tjetër, unë konfirmoj që marrëdhëniet e zotit Meta me zotin Withers në Shqipëri kanë qenë gjatë gjithës kohës që ai ka ushtruar detyrën e përfaqësuesit të qeverisë amerikane në Shqipëri, të shkëlqyera. Natyrisht që komentet, keqpërdorja me tendenca të spikatura psikopatike të bëra në mënyrë të qëllimshme nga kryetari i PS-së nuk cenojnë thelbin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis zotit Meta dhe zotit Withers, nga njëra anë, dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA-ve, nga ana tjetër, përveçse pasqyrojnë faktin se të tilla praktika të sjellin në kujtesë historitë e Kinfildtit, historitë e 60 viteve më parë, të cilat, me sa duket, janë preferenciale për kryetarin e Partisë Socialiste, i cili në mungesë të alternativës, në mungesë të kontributeve reale kërkon të na shfaqet si një Kinfild i kohërave të reja historitë midis Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe në fakt e bëjnë atë të jetë shumë më grotesk dhe shumë me qesharak sa vetë Don Kishoti dhe historitë e tij”, - ka bërë të ditur Rama.

15 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›