E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti ofron bursa pasuniversitare për studentët shqiptarë



Egjipti ofron bursa pasuniversitare në fushën e studimeve demografike për studentët shqiptarë. Lajmi është bërë i ditur dje nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila njofton të rinjtë që duan të studiojnë në Egjipt, që të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar. Formulari i aplikimit mund të tërhiqet pranë MASH por edhe pranë Ambasadës së Republikës së Egjiptit në Shqipëri.

Bursat
Qendra Demografike dhe Fondi Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik në Kajro, ofron bursa për studime pasuniversitare në fushën e studimeve demografike për periudhën janar-dhjetor 2011.
Studentët mund të përfitojnë bursa për degët, Diplomë e Përgjithshme në Demografi si dhe Diplomë e specializuar për zhvillimin e popullsisë, por kusht është që kandidati të ketë një diplomë të përgjithshme me vlerësimin minimal mirë. Po kështu ofrohet program studimi për nivelin master në demografi, por me kusht që kandidati të ketë një diplomë të specializuar në këtë fushë me vlerësimin minimal mirë. Të rinjtë që duan të ndjekin studimet në Egjipt duhet të kenë diplomë të nivelit të Parë (DNP). Kusht tjetër është që kandidatët, duhet të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, duke qenë se mësimet pasuniversitare zhvillohen në gjuhën angleze. Për studime të avancuara për dy programet e fundit (2 dhe 3), kandidatët duhet të plotësojnë kërkesa të veçanta. Preferencë do të kenë aplikantët, të cilët kanë eksperiencë në fushën e demografisë.

Formulari
Të rinjtë e interesuar për të fituar një bursë studimi në Egjipt duhet të plotësojnë formularët e aplikimit dhe dokumentet e kërkuara nga Ambasada e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë. Qendra Demografike dhe Fondi Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik në Kajro kanë bërë të ditur se të gjithë personat e interesuar për këto bursa studimi duhet të dorëzojnë një formular aplikimi me të dhënat personale, si dhe një kopje të CV-së në Ambasadën e Republikës së Egjiptit në Tiranë, brenda datës 25 gusht 2010. Formulari i aplikimit mund të tërhiqet pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ose pranë Ambasadës së Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, të interesuarit për të fituar bursë studimi duhet të kontaktojnë me Ambasadën e Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë. Të rinjve, të cilët do të fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet pasuniversitare për demografi në Egjipt u mbulohen pothuajse të gjitha shpenzimet. Bursa mbulon shpenzimet e udhëtimit, të shkollimit dhe të akomodimit. Po kështu studenti ka të mbuluara edhe shpenzimet e vogla mujore.
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kërkesa:
Të kenë diplomë të nivelit të Parë (DNP)
Të kenë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze
Bursat ofrohen për degët
1. Diplomë e Përgjithshme në Demografi;
2. Diplomë e specializuar për zhvillimin e popullsisë, por me kusht që kandidati të ketë një diplomë të përgjithshme me vlerësimin minimal mirë;
3. Program studimi për nivelin master në demografi, por me kusht që kandidati të ketë një diplomë të specializuar në këtë fushë me vlerësimin minimal mirë;
Aplikimi brenda datës 25 gusht 2010
personat e interesuar duhet të dorëzojnë në Ambasadën e Republikës së Egjiptit në Tiranë
një formular aplikimi me të dhënat personale
dhe një kopje të CV-së

MASH udhëzon drejtoritë arsimore të marrin masa për reduktimin e braktisjes së shkollave
Ministria e Arsimit dhe Shkencës u ka bërë thirrje drejtorive arsimore rajonale të marrin masa për uljen e treguesve të braktisjes shkollorë. Në udhëzimin e Ministrisë për marrjen e masave për mbar-vajtjen e vitit të ri shkollor 2010-2011 thuhet se në kuadër të zbatimit të aksionit Kombëtar për reduktimin në zero të braktisjes shkollore në nivel DAR/ZA-je duhet të marren këto masa. Duhet të ngarkohet një specialist që do të merret me hartimin dhe monitorimin e zbatimit të planit të veprimtarive vjetore në nivel drejtorie arsimore për këtë problem. Nga këto drejtori duhet të raportohet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dy herë në vit për realizimin e këtij plani. Raporti duhet të shoqërohet me informacion statistikor të braktisjes shkollore nga klasa e I-IX. Mësuesit që punojnë me nxënës që kanë braktisur shkollën, ose që shfaqin prirje për braktisjen e saj të trajnohen. MASH udhëzon të hartohen programe të veçanta pune në nivel klase dhe shkolle për ndërgjegjësimin e prindërve për rëndësinë e shkollimit. Një rëndësi e veçantë i kushtohet arsimimit të nxënësve të ngujuar, si dhe zbatimit të projektit “Shansi i dytë” për arsimin e nxënësve që kanë braktisur shkollën dhe nxënësve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes. Realizimi i aksionit uljen e braktisjes shkollore, mbështet nga “Plani i veprimit për reduktimin në zero të braktisjes shkollore 2009-20013”
Inspektorët e Mjedisit aksion në bregdet
Inspektorët e mjedisit kanë ndërmarrë disa aksione për të ndaluar ndotjen e bregdetit. Të mbështetur edhe nga forcat e policisë së shtetit, inspektorët kanë ndërmarr dje kontrolle gjatë zonës së bregut të detit në Durrës ku dhe ka rezultuar se ujërat e zeza të të disa hoteleve e godinave të banimit të pushueseve derdheshin në det. Aksioni është kryer në zonën e Shkëmbit të Kavajës në drejtim të Malit të Robit ku janë prerë dy tubacione të shkarkimit në det të ujërave të zeza të dhjetëra. Në këtë zonë të bregdetit mungojnë kanalizimet dhe godinat e banimit e akomodimit të pushuesve funksionojnë me gropa septike. Normalizimi i situatës mjedisore përmes aksioneve të kësaj natyre në pikun e sezonit vlerësohet si jo efektiv nga pushuesit. Gjatë muajit gusht inspektorët e mjedisit kanë gjobitur dhjetëra subjekte që kanë rezultuar me shkelje të rregullave në zonat bregdetare. Gjatë inspektimit të kryer pak javë më parë në zonën bregdetare nga Velipoja në Sarandë janë gjobitur rreth 20 subjekte në zonën bregdetare, nga Saranda në Golem për shkarkim të ujërave të zeza në det dhe ndotje akustike në zonën e plazhit. Masa me gjobë u morën edhe për Bashkinë Durrës dhe katër komuna pasi gjendja mjedisore në këto zona ishte e rëndë. Ministria e Mjedisit gjithashtu ka vendosur që muzika e lartë në lokalet e hapura të qëndrojë nga ora 19:00 deri në orën 23:00 dhe në fundjavë orari shtyhet vetëm me një orë.

17 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›