“Azem Hajdari, frymëzim i përjetshëm për shqiptarët”

Kryeministri Berisha viziton familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari, Heroit të Popullit Jordan Misja dhe Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli
Në ditën e nderimit të Dëshmorëve të Atdheut, 5 majin, Kryeministri Berisha zhvilloi vizita në 3 familje dëshmorësh; në familjen e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari, në familjen e Heroit të Popullit Jordan Misja, si dhe dëshmorit më të fundit të Atdheut, kapiten Feti Voglit.
Pas vizitës në familjen Hajdari, Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për veprën e pavdekshme të tribunit të demokracisë shqiptare, Azem Hajdari.
Ai tha se, “në historinë e vendit, Azem Hajdari, në udhëheqje të lëvizjes studentore që do të gjunjëzonte, në dhjetor të vitit 90, diktaturën më të egër e të shëmtuar që kohërat kishin njohur ndonjëherë, do të mbetet frymëzim i përjetshëm për shqiptarët në përpjekjet e tyre për zgjerimin, konsolidimin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë. Azem Hajdari pati një jetë politike jashtëzakonisht intensive. Nga një student, ai, në sajë të guximit, idealeve, vizionit, trimërisë së tij, u shndërrua, në udhëheqësin e lëvizjes popullore më të fuqishme që Shqipëria ka njohur në historinë e saj”.
Ndërsa gjatë vizitës në familjen e Heroit të Popullit Jordan Misja, Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve të tij mirënjohjen për sakrificën e madhe dhe veprën e tij të pavdekshme për lirinë e kombit.
“Unë ndaj sot me ju nderimin e madh, respektin e thellë dhe mirënjohjen për Jordanin dhe të gjithë ata që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë që kishin, në mënyrë që sot të jemi të lirë, kombi të jetë i lirë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha bëri një vizitë edhe në familjen e kapiten Feti Voglit, Dëshmor i Atdheut, i cili humbi jetën vetëm pak kohë më parë në Afganistan.
Kryeministri vlerësoi rënien heroike të kapiten Voglit në krye të detyrës së tij dhe i përcolli familjarëve vlerësimet dhe ngushëllimet e të gjithë bashkëluftëtarëve dhe komandantëve të të gjitha niveleve, me të cilët kapiten Vogli kishte bashkëpunuar në misionin e tij, vlerësime të cilat Kryeministri i kishte marrë gjatë vizitës së tij të fundit në Afganistan.
“Erdha këtu për të nderuar, së bashku me prindërit e familjarët, kapiten Feti Voglin, Dëshmorin më të ri të Kombit shqiptar, i cili ra në fushë-betejën më të rrezikshme që ekziston sot në planet, ra për lirinë për vlerat e saj, për paqen dhe sigurinë. I solla familjes ngushëllimet e të gjithë bashkëluftëtarëve të Fetiut, komandantëve të të gjitha niveleve. Por, gjatë vizitës sime së fundi në Uashington, ngushëllime prekëse më shprehu edhe Sekretarja e Shtetit Hilary Clinton. Në udhëtimin tim në Afganistan unë shkova edhe në Spin Buldok, në Kandahar, i kërkova pilotit që të fluturonte mbi fshatin ku kapiten Feti Vogli kishte rënë. Atje gjeta një njësi ushtarake të shkëlqyer, e cila ka kryer dhe kryen çdo ditë dhe çdo natë operacione nga më të rëndësishmet dhe më të suksesshmet. Natyrisht, Feti Vogli u qëllua pas shpine, në pabesi të plotë, por kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm. Si bashkëluftëtarët e tij, ashtu edhe komandantët e të gjitha nivele, u shprehën me superlativa për kapiten Feti Vogli, rënien e tij heroike në zonën më të rrezikshme që ekziston në planet, zonë që, për sa i përket sigurisë, vendoset në kufirin midis Afganistanit dhe Pakistanit. Edhe njëherë, dua t’i shpreh familjes nderimin më të thellë e të ndaj me ta nderimin më të madh për djalin e tyre, mirënjohjen më të madhe të shqiptarëve për veprën heroike të Kapiten Feti Voglit”, u shpreh Kryeministri, pas largimit nga familja Vogli.