Fakti/Presidenti Topi e nderon 5 majin, me ekipin e “shtëpiakeve të dëshpëruara”
Homazhet në nder të dëshmorëve të Atdheut dje kanë tërhequr vëmendjen për shkak të përfaqësimit të pazakontë të delegacionit të nderimit nga institucioni i presidencës. Edhe në këtë rast, ashtu si në të gjithë veprimtarinë e tij të viteve të fundit, Bamir Topi është zhveshur nga rroba e kryetarit të shtetit dhe ka vepruar thjesht si kryetar “in pectore” i FRD-së, që formalisht i është dhënë në kujdestari Gazmend Oketës. Duke neglizhuar krejt Protokollin, i cili parashikon që në mungesë të titullarit, institucionin e prezanton Sekretari i Përgjithshëm, në ceremoninë e djeshme në nderim të dëshmorëve, Bamir Topi ka menduar të përfaqësohet me ekipin e “Shtëpiakeve të Dëshpëruara”. Në fakt s’është ndonjë shkelje e barazisë gjinore, pasi edhe pjesëtarët meshkuj të kabinetit të presidentit, veç ndihmesa dytësore konsumojnë, por dje 5 maji u përdor për një qokë partiake. S’duhej të ishte sekretari i përgjithshëm i institucionit që duhej të përfaqësonte presidencën, por këshilltarja për ushtrinë, Manushaqe Shehu, bashkëshortja e Sali Shehut, figurës eminente të FRD-së, partisë së Bamir Topit. Ai mendon se ky shoqërim kurore i ngre figurën partiakut të tij, dhe për të shtuar shëmtimin e përfaqësimit, dyshja është mbushur me këshilltaren e tij për kulturën, e cila ka aq ndikim tek kabineti, sa ende s’e ka fituar të drejtën e citimit në faqen zyrtare të internetit.
Gjithsesi, “Shtëpiaket e Dëshpëruara” dje e kryen si mundën detyrën e ngarkuar, por publiku lexoi se tashmë prej shumë kohësh, Bamir Topi s’është më president i Shqipërisë, as në Tiranë e as në Shën Pjetër, por thjesht një kryetar “in pectore” i një klani politik, që ka dalë në faqe botës, veç për një qëllim, të bëjë sa të mundet për të sjellë në pushtet Edi Ramën.