Azemi në qiellin e shtatë

20 vjeçari ishte akteri kryesor në golin e të rikthyerit në Bundesligë, të cilin në fund e shndërroi në autogol mbrojtësi 29 vjeç Emanuel Pogatetz. Sidoqoftë, meritat më të mëdha i ka futbollisti kosovar, që po shkëlqen në elitën e futbollit gjerman.
“Jam mjaft i lumtur për këtë, jam angazhuar nga fillimi për ta arritur këtë. Kam qenë i përfshirë në gol, por për mua kjo nuk është shumë e rëndësishme. Më shumë ka rëndësi një pikë që e nxorëm”, theksoi Azemi për tabloidin gjerman Bild.
Futbollisti i ri kosovar po zhvillohet dita-ditës dhe po bëhet një yll në Gjermani. Sezonin e fundit ai kishte realizuar 15 gola në ekipin e amatorëve të Greuther Furthit në Regionalliga. Ndërkaq, ndaj Wolfsburgut e zhvilloi ndeshjen e katërt në futbollin profesionist.
Në ekipin e parë ai e ka mbështetjen e të gjithëve, por mbi të gjitha të bashkëkombësit të tij Mërgim Mavraj, i cili e lavdëroi sulmuesin e ri. “Është sikur një vëlla i vogël për mua. Ai po luan mjaft mirë, por bëhet lojtar i madh, edhe pse në fillim kishte punë për të bërë. Mendoj se do të shkojë larg në futbollin profesionist”, thotë qendërmbrojtësi 26 vjeç. Të dy vijnë nga Kosova dhe kanë mentalitet të njëjtë. “Mërgimi është mjaft i rëndësishëm për mua”, shprehet sulmuesi Azemi.