E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barca lamtumire Camp Nou

Në Asamblenë e përgjithshme të klubit Barcelona, aksionerët kanë votuar pro referendumit që do të zhvillohet në sezonin 2014-2015 dhe 2015-2016 për ndërtimin e një stadiumi të ri.

“Maxhoranca e ortakëve, me 75,28 për qind të votave ka aprovuar kërkesën për një referendum rreth projektit për ndërtimin e një stadiumi të ri”, lexohej në faqen zyrtare të klubit kataln.

Alternativat janë dy: rikonstruktimi i stadiumit “Camp Nou” ose ndërtimi i një impianti të ri. Në rastin e parë, kosto e punimeve do të jetë rreth 300 milionë euro, ndërsa nëse do të dekretohet varianti i dytë, është përllogaritur që vlera e ndërtimit të impiantit nuk do të jetë më e ulët se 600 milionë euro.

Zv.presidenti financiar i Barcelonës, Javier Faus bëri të ditur se duke qenë se për rikonstruktimin e stadiumit aktual, apo ndërtimin e një impianti të ri, klubi duhet të kërkojë para hua, më parë Barça duhet të zerojë borxhin aktual.

Ndër të tjera, Asambleja e Përgjithshme ka miratuar edhe bilancin për sezonin 2011/12, që u mbyll me 48,8 milionë euro përfitime, nga plot 494,9 milionë euro që klubi “blaugrana” ka futur në arka kundrejt 441,1 milionëve të shpenzuara. Këto shifra tregojnë se Barcelona ka përfituar 21,5 milionë euro më tepër se një sezon më parë, ndërsa shpenzimet janë ulur me 31,5 milionë.

Ndërkohë, bilanci i përgjithshëm i miratuar për edicionin 2012/13 është 470 milionë euro. Me krizën ekonomike që ka goditur shumë liga të mëdha të futbollit europian, ku jashtë nuk kanë mbetur as skuadrat spanjolle, synimi i drejtuesve të Barçës është që të vazhdojnë të risin të ardhurat, për të rregulluar bilancet edhe në vitet në vazhdim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›