Terri le Angline

Lajmi është i madh edhe pse ai nuk është më kapiten. Xhon Terri tha sot “mjaft” dhe mbylli karrierën e tij sportive me kombëtaren e futbollit të Anglisë. Gjithçka pas 9 vjetësh dhe pas 78 ndeshjesh të luajtura. Duket se Xhon nuk ka qenë pasionant i madh për të vendosur rekorde ndeshjesh.
Mbrojtësi 31-vjeçar i qendrës e mori këtë vendim për shkak të akuzave të Federatës Angleze të Futbollit lidhur me sjelljen e tij ndaj Entoni Ferdinandit, ndërsa gjykatësit e nxorrën Terrin të pafajshëm në korrik, por Federata vendosi t’ia hiqte shiritin e kapitenit duke sjellë edhe dorëheqjen e trajnerit Fabio Kapelo.
“Po e bëj këtë deklaratë sot, përpara daljes sime para panelit të Federatës sepse mendoj se sjellja e Federatës e bën vazhdimin tim në kombëtare të pamundur, - shkruhej në deklaratën e Territ, - ndaj meje po vazhdohet një proces disiplinor, ndërsa një gjykatë më ka nxjerrë të pafajshëm për këtë rast”.
Terri luajti ndeshjen e parë për Anglinë në 2003, një fitore 2-1 ndaj Serbisë e Malit të Zi, ndërsa më 2006 u bë kapiten, për t’iu hequr shiriti herën e parë në 2010.
“Ishte një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që kam qenë pjesë e Anglisë, dua të falenderoj trajnerët që më kanë besuar, - vazhdonte deklarata, - ishte një ëndër që u bëra kapiten i kombëtares. E marr këtë vendim me zemër të thyer”.
Tani ai do të vazhdojë të luajë për Çelsin ku do të synojë titullin në Angli dhe sukses tjetër në Champions.