Azerbajxhan, Duka braktis tribunën Vip

Edhe pse ishte një ndeshje miqësore, e zhvilluar dje në orët e para të mbrëmjes në kryeqytetin Baku, ajo nuk është luajtur në një klimë të tillë.
Madje, mund thuhet me plot gojën se 45 minutat e para janë karakterizuar nga tensioni dhe një klimë thuajse armiqësore. Meritë për këtë, pa më të voglin dyshim, ka treshja e gjyqtarëve gjeorgjianë, e përzgjedhur nga FIFA për të drejtuar këtë ndeshje miqësore.
Që në minutat e para të takimit u vërejt dukshëm një gjykim i njëanshëm nga gjyqtari kryesor Lasha Sligava dhe dy ndihmësit e tij.
Për ndërhyrjen më të vogël, me lehtësi të jashtëzakonshme, madje me një padurim të çuditshëm, treshja e arbitrave gjeorgjianë nuk nguronte të nxirrte kartonët e verdhë në dëm të futbollistëve shqiptarë.
Por duket se kupa u mbush në minutën e 45, kur kartoni i kuq i dhënë për mbrojtësin Elvin Beqiri shkaktoi edhe irritimin e futbollistëve kuqezinj, me në krye kapitenin Ervin Skela. Edhe pse për momentin në fushë u vu qetësia, 15-minutëshi i pushimit shënoi edhe protestat e ashpra të presidentit të FSHF-së, Armand Duka.
Numri një i qeverisë së futbollit shqiptar, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Lutfi Nuri, ka braktisur tribunën “Vip”, ku ishte ulur përkrah homologëve azerbajxhanas dhe ka shkuar të kontaktojë me skuadrën në dhomat e zhveshjes.
“Ne, sot kemi për të mundur jo vetëm kundërshtarët, por edhe tre gjyqtarët”, mësohet t’u ketë thënë Duka lojtarëve. Po ashtu, sipas informacioneve nga burime pranë Kombëtares, dy drejtuesit shqiptarë kanë komunikuar ashpër edhe me gjyqtarët. Madje në shenjë proteste, Shqipëria ka dalë me vonesë në fushë, ndërsa azerbajxhanasit së bashku me gjyqtarët gjeorgjianë kishin dalë më parë.
Për të zbutur situatën, edhe trajneri gjerman i Azerbajxhanit, Berti Vogs, ka komunikuar me Skelën. Nuri dhe Duka kanë qëndruar pranë stolit të skuadrës, duke e braktisur tribunën “Vip” në të cilën qëndronin homologët azerbajxhanas. Protestat duket se kanë pasur njëfarë efekti, pasi gjykimi në pjesën e dytë ishte më pak i njëanshëm. A. Manallari