Guardiola krenar me barazimin e rekordit të Realit
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola është shprehur i kënaqur dhe i nderuar që skuadra e tij ka barazuar rekordin e skuadrës legjendare të Real Madridit me në përbërje Alfredo Di Stefanon, prej 15 fitoreve radhazi në La Liga. Madje, katalanasit kanë në dorë ta thyejë këtë rekord, pasi ndeshjen e radhës do ta luajnë në “Camp Nou” kundër Atletiko Madridit. “Është nder i madh që ndaj një rekord të tillë me një ekip aq impresiv sikurse ishte Real Madridi i Di Stefanos. Ne jemi krenarë, bëhet fjalë për 50 vjet, gjysmëshekulli, ja sa i vështirë ishte krijimi i këtij ekipi. Ndeshja ndaj Arsenalit do të jetë vendimtare për sezonin tonë. Kemi të bëjmë me një prej skuadrave me futbollin më të mirë në botë dhe nëse eliminohemi, të paktën do ta kemi parasysh se kemi luajtur futboll të bukur”, u shpreh Guardiola. Barcelona po ecën me ritëm galopant në kampionati si dhe synon të fitojë Champios League këtë sezon, sidomos duke u bazuar në një Lionel Mesi në superformë.