E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azi, operacion i Interpolit: 5 mijë të arrestuar për baste në botëror

Bastet ilegale Gjatë një muaji u kontrolluan 800 pika bastesh dhe u sekuestruan mbi 10 milionë dollarë

Policia në Kinë, Malajzi, Singapor dhe Tajlandë ka arrestuar mbi 5 mijë persona të akuzuar për baste ilegale gjatë Kupës së Botës 2010. Forcat e rendit në këto vende, të koordinuara nga një operacion i Interpolit, kanë vënë në pranga organizatorët, bastexhinjtë e thjeshtë dhe sekuestruan mbi 10 milionë dollarë amerikanë. Pavarësisht përhapjes së gjerë në kontinentin aziatik, kryesisht në popullsinë kineze, bastet sportive cilësohen të paligjshme dhe ndëshkohen me disa vjet burgim. Për këtë mjafton një shembull: zyrtarët e qeverisë kineze të përfshirë në sindikatat e basteve janë burgosur deri në 18 vjet heqje lirie. Gjithsesi, ishte policia tajlandeze ajo që bëri numrin më të madh të arrestimeve (mbi 3800 persona), por ishin policët kinezë ata që sekuestruan shifrën më të lartë të parave, duke konfirmuar se në këtë vend ishin vendosur bastet me vlera më të mëdha monetare.
Edhe pse në Kinë u ndaluan “vetëm” 1200 bastexhinj dhe mashtrues, hetuesit siguruan si provë materiale afro 8 milionë dollarë pas operacioneve të zhvilluara nga 11 qershori deri më 11 korrik. Ndërkohë, bastexhinjve në Tajlandë iu sekuestruan vetëm 1,5 milionë dollarë. Mësymjet në katër shtetet sollën numrin më të madh të arrestimeve që prej periudhës kur Interpoli nisi fushatën kundër basteve ilegale në ndeshjet e futbollit ndërkombëtar. Në të njëjtin rajon, në vitin 2007 ishin ndaluar 1400 persona, ndërsa gjatë Euro 2008 numri i të arrestuarve ishte 1300 vetë. Por, në operacionin e tanishëm, policia kontrolloi 800 pika bastesh, duke konfirmuar se 155 milionë dollarë (119 milionë euro) ishin luajtur në baste ilegale dhe duke konfiskuar karta krediti, makina dhe disa telefona celularë. Në fillim të muajit korrik, hetuesit në Hong-Kong zbuluan një sindikatë bastesh në Kinë, e cila kishte pranuar baste me vlerë mbi 1 miliard dollarë. “Këto rezultate janë mbresëlënëse, jo vetëm për numrin e të shoqëruarve në këtë zonë, por edhe për bashkëpunimin e policisë”, deklaroi Zhan-Mishel Luboutin, drejtori ekzekutiv i Interpolit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›