E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azilant në Ekuador

Sipas gazetës britanike ‘The Guardian’, presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, ka pranuar që t’ia garantojë azilin gazetarit Julian Assange. Që nga data 19 qershor, kur edhe kërkoi zyrtarisht lejimin e azilit politik, themeluesi i web-faqes WikiLeaks po qëndron në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.

“Ekuadori do të garantojë azilin për Julian Assange”, deklaroi një zyrtar i paemëruar ekuadorian, i afërt me procesin e vendimmarrjes për këtë çështje.

Mirëpo, presidenti ekuadorian të martën demantoi rrufeshëm lajmet për aprovimin e azilit për Assange, duke shkruar në profilin e tij në Twitter se ende nuk është sjellë asnjë vendim dhe duke lutur opinionin publik që të pres publikimin e një kumtese zyrtare nga zyra e tij për këtë çështje.

Presidenti Correa i tha të hënën televizionit ECTV se deri të dielën do të vendos nëse Assange do t’i lejohet azili në vendin e tij.

“Duhet ta shqyrtojmë procedurën në Suedi. Duhet ta shqyrtojmë mundësinë e ekstradimit të tij në SHBA, sepse atje ekziston një gjyq i fshehtë ku ai mund të dënohet me vdekje”, theksoi Correa gjatë intervistës, duke shtuar se pret që të mërkurën të takojë shefin e diplomacisë Ricardo Patino, dhe që kumtesa për këtë çështje të publikohet deri në fund të javës.

Presidenti majtist ekuadorian po ashtu tha se bashkëndjenë me Assange, por edhe respekton sistemit juridik të Britanisë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sipas Correa, qeveria e tij tashmë ka informacione të mjaftueshme të cilat do t’i mundësojnë sjelljen e një vendimi të përgjegjshëm.

Mirëpo, ende mbetet pikëpyetje se si do të largohet Assange nga Britania, qoftë edhe nëse i lejohet azili i kërkuar. Atë e pret arrestimi sapo të dalë jashtë Ambasadës, për shkak të shkeljes së kushteve të lirimit të me kusht.

“Neve duhet të na lejohet kalimi i lirë nga qeveria britanike, në mënyrë që Assange të mund të largohet nga Anglia. A është kjo e mundur? Kjo është një çështje që duhet zgjidhur”, deklaroi të martën shefi i diplomacisë ekuadoriane, Ricardo Patino.

Burime brenda qeverisë në Quito konfirmuan për ‘The Guardian’ se Correa do të garantojë azilin për Assange, përkundër çështjeve të hapura juridike, gjë që sigurisht do t’i zemërojë Britaninë e Madhe, SHBA dhe Suedinë. I njëjti burim sqaroi se Assange ka marrë ofertën për azil qysh para disa muajve, pra, shumë kohë para se të kërkonte mbrojtje në Ambasadë, gjegjësisht pas negociatave të fshehta me zyrtarë të lartë të Ambasadës ekuadoriane në Londër.

Autoritetet britanike ishin munduar të “dekurajonin këtë ide”, përderisa qeveria suedeze “nuk ishte e gatshme për një bashkëpunim të plotë”, pohoi burimi për gazetën britanike. Ai sqaroi se kërkesa e Assange në Ekuador u përjetua si çështje humanitare, ndërkohë që kontaktet e qeverisë në Quito me web-faqen WikiLeaks datojnë që nga maji i vitit 2011, kur Ekuadori u bë shteti i parë që kërkoi që raportet e rrjedhura nga Ambasada e SHBA në atë vend të deklasifikoheshin plotësisht.

“Kur Julian hyri në Ambasadë ishte e qartë se paraprakisht ekzistonte njëlloj marrëveshjeje për këtë gjë. Në punën e tij ne shohim një paralele me betejën tonë për sovranitet dhe për demokratizim të raporteve ndërkombëtare”, theksoi burimi.

Dy javë më parë, me ftesë të ministri të jashtëm të vendit, nëna e Assange, Christine, vizitoi Ekuadorin. Atje u takua me presidentin Correa, me ministrin Patino dhe me zyrtarë tjerë të lartë, në mesin e të cilëve ishte edhe ministri i Drejtësisë, Fernando Cordero. Gjithashtu, ishte e pranishme edhe në disa takime brenda ndërtesave qeveritare – në njërin prej të cilëve mori pjesë edhe shefi i ekipit juridik të Assange, Baltasar Garzon, një ish-gjykatës ky spanjoll që urdhëroi arrestimin e ish-diktatorit kilian, Augusto Pinochet.

Assange hyri në Ambasadën e Ekuadorit pasi që Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe vendosi të lejojë ekstradimin e tij në Suedi, ku do të përballjeje me akuzat për dhunim dhe ngacmim seksual të dy femrave. Australiani i mohon akuzat, të cilat thotë se iu kurdisën për motive politike.

Themeluesi i web-faqes WikiLeaks ka frikë se Suedia do të mund ta ekstradonte në SHBA, ku kundër tij do të mund të iniciohej një proces gjyqësor për shkak të zbulimit të qindra-mijëra depesheve konfidenciale diplomatike.

Ndryshe, me kërkesë të Suedisë, Assange është arrestuar në dhjetor të vitit 2010, në Londër. Gjatë 20 muajve të fundit luftoi vazhdimisht kundër ekstradimit në Suedi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›