Azili, Serbia ia vë fajin Maqedonisë
Azili, Serbia ia vë fajin Maqedonisë
Serbia akuzoi agjencitë maqedonase se kanë kërkuar të përfitojnë duke nxitur qytetarët të aplikojnë për azil në vendet e BE-së. Deklaratën e bëri dje në Bruksel, kryeministri serb, Mirko Cvetkovic gjatë një takimi me Presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. "Ajo çfarë ndodhi në të vërtetë është që disa persona abuzuan duke u thënë njerëzve se po të kërkosh azil në Belgjikë të japin 500 euro dhe hotel falas. Disa agjenci turistike mbushnin autobusët dhe bëhej fjalë për udhëtime të organizuara dhe jo individuale. Ne do të kontrollojmë këto organizata, tre prej të cilave, sipas informacionit që kam unë, nuk janë serbe por maqedonase që kalojnë nga Serbia. Nëse gjejmë të tilla në Serbi do të ngremë padi ndaj personave që shpërndajnë informacione të gabuara", tha kryeministri serb, Cvetkovic. Nga ana e tij Presidenti i KE-së, Barroso theksoi se "këto probleme duhet të adresohen siç duhet, me përgjegjësi dhe në mënyrë efikase. Liberalizimi i vizave është një progres i madh e ne duam që të mbetet i tillë për vendet me të cilat është në fuqi dhe mundësisht ta zgjerojmë atë edhe ndaj vendeve të tjera, por për këtë është e rëndësishme që të dëshmohet se ky proces funksionon siç duhet".