E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fenomeni i azilkërkuesve rrezikohet Shqipëria”



Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina rrezikojnë të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave mesin e këtij viti për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia në vendet e Bashkimit Evropian. Këtë e bëri të ditur dje Alexandra Stiglmayer, Drejtuese e Projektit "Lista e Bardhe Shengen," e Iniciativës së Stabilitetit Evropian. Në një prononcim për mediat ajo theksoi se "sigurisht që ekziston rreziku që kjo të vonojë procesin e liberalizimit me të tjerët. Disa vende anëtare mund të jenë pandikuar, pasi në disa media evropiane pasqyrimi i ngjarjes ka krijuar në popull ndjeshmëri kundër këtij procesi, e kjo mund të sjellë vonesa. Kjo po dëmton konceptin e heqjes së vizave. Do të kishte qenë më mirë sikur të mos kishte ndodhur ky fenomen, por nuk përjashtohej mundësia. Ka pasur vazhdimisht abuzim me viza edhe atëherë kur njerëzit duhet ta kërkonin, dhe është e qartë që do ketë abuzim me lëvizjen e lirë". Ndërsa autoritetet belge, vendi ku është vërejtur rritja e numrit të azilkërkuesve, shprehen se nuk do të pranojnë kërkesat e qytetarëve që vijnë nga shtetet që kanë përfituar heqjen e vizave. "Për momentin situata është e pakëndshme për Belgjikën. Këta njerëz duhet ta dinë se nëse duan të vinë në Belgjikë, janë të mirëpritur për të bërë turizëm, për të qëndruar disa ditë, por ata nuk mund të gjejnë kurrë këtu mbështetje financiare nga autoritetet belge, edhe nëse aplikojnë për procedure azili, ne do t'i detyrojmë të gjithë të kthehen", tha Melchior Wathelet, Sekretari i Shtetit për Emigracionin dhe Azilin në Belgjikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›