E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borchard: Kriza pengon vizat e integrimin



QEMAL BIRAKU/ Vlorë

Megjithë futjen e opozitës në Parlament, ndërkombë-tarët përsërisin apelin për zgjidhjen e krizës nga klasa politike në Tiranë. Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Bernd Borchardt theksoi nga Vlora se diplomatët e huaj nuk janë të kënaqur nga ecuria e Parlamentit, teksa shtoi se gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen do të jetë përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përfitimin e liberalizimit të vizave. "Nuk jemi të kënaqur me ecurinë e deritanishme të Parlamentit Shqiptar. Ecuria e tij ndikon në vendimmarrjen e Evropës kundrejt futjes së Shqipërisë në familjen e madhe dhe sistemin e vizave Schengen. Kjo do të ndodhë shpejt, por nuk ka ende një datë, sepse organizma të tjerë vendosin pasi të analizojnë situatën në vend, si menaxhimin e kufijve, kurbën e shtetit shqiptar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj", theksoi Borchard gjatë një simpoziumi me temë "Evropa-ndërmjet meje". Ndërkohë gjatë një takimi në Universitetin "Ismail Qemali", ambasadori Gjerman tha se Shqipëria do të përfitojë verën e këtij viti heqjen e regjimit të vizave. "Bashkimi Evropian, në verën e këtij viti do t'u propozojë vendeve anëtare liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën", tha kreu i diplomacisë së Berlinit në vendin tonë. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi se vetëm pasi Tirana zyrtare të ketë plotësuar pyetësorin e Komisionit Evropian, Brukseli do të vlerësojë nëse në vendin tonë është shënuar progres. Borchardt solli shembullin e Malit të Zi, i cili megjithëse ka përfituar nga dhjetori i kaluar heqjen e regjimit të vizave me hapësirën Schengen, është detyruar të marrë mbrapsht 700 pyetje nga pyetësori. "Gjithashtu pyetësori me 2400 pyetje duhet të përfundojë, e më pas Evropa duhet të shohë nëse ka progres të dukshëm në vend apo jo. Mali i Zi këto ditë, edhe pse hyri në Schengen, mori sërish 700 pyetje të tjera nga Bashkimi Evropian deri në finalizimin e plotësimit të kushteve të vëna nga BE-ja", u shpreh Borchardt. Deklaratat e ambasadorit Gjerman vijnë në një moment kur Komiteti Ndërministror i Integrimit, një strukturë e ngritur nga Qeveria, ka miratuar 21 nga 35 kapitujt e pyetësorit të Komisionit Evropian. Në mbledhjet e këtij Komiteti kryeministri Berisha ka bërë disa herë thirrje që përgjigjet të jenë sa më të qarta dhe koncize. I pyetur nga mediat se si e vlerëson futjen e Partisë Socialiste në Parlament, ambasadori i Gjermanisë theksoi se "ne inkurajojmë me ndihmën tonë zgjidhje të situatës, gjithçka tjetër ndikon në ngadalësimin e procesit, si të integrimit të Shqipërisë drejt Evropës ashtu dhe në liberalizimin e vizave me vendet e bllokut".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›