Azili i refuzuar, kosovarët vetëhidhen nga kati i 15-të i ndërtesës
Tre shqiptarë nga Kosova kanë kryer vetëvrasje, ndërsa autoritetet skoceze u refuzuan azilin. Duke iu referuar mediave atje, mësohet se dy burra dhe një grua, të gjithë kosovarë azilkërkues, dyshohet se janë hedhur dy ditë më parë nga një lartësi e madhe nga kati i 15-të i një shumëkatëshi, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Trupat e pajetë u gjetën mbrëmjen e së dielës pranë një godine shumëkatëshe në zonën Springburg në verilindje të Gllasgout dhe policia nuk ka asnjë të dhënë për identitetin e tyre. Mediat skoceze e paraqesin aksidentin si akt tragjik vetëflijimi, dhe se vendimmarrja fatale e tyre duhet të këtë ardhur pasi autoritetet e shqyrtimit të aplikimit për azil ua refuzuan kërkesën. Gazeta “Mirror” ka intervistuar një dëshmitare okulare, e cila ka thënë se beson që viktimat janë të gjithë shtetas nga Kosova. Po sipas “Mirror”, dëshmitarja Elen Sandford, i tha policisë se kishte parë një letër të pahapur në postën e zonës që u drejtohej atyre. Policia nga ana tjetër konfirmon se nuk ka asnjë shenjë apo pistë të mundshme që tre viktimat të jenë shtyrë nga dikush forcërisht. Në vendin ku u gjetën tre viktimat, policia tha se ekziston një qendër azilkërkuesish, ku shumë emigrantë nga Kosova, Iraku dhe Afganistani kërkojnë strehim të përhershëm në këtë vend. Blloku ku u gjetën tre viktimat shtrihet mes tetë kullave komplekse me nga 30 kate secila. Këto ndërtesa njihen si ndër më të larta në Europë dhe janë konstruktuar aty rreth viteve ‘60.
#