E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandot e aksidentuar u operuan në Spitalin Amerikan

Kapiteni Alban Kurti dhe rreshter Albert Kuçaj, dy efektivat e regjimentit komando, iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Amerikan. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga Ministria e Mbrojtjes, dhe madje ata do të mbahen atje nën kujdesin e mjekëve edhe për disa ditë, për të parë ecurinë e shëndetit të tyre. Mbi Kurtin, i cili është një prej atletëve dhe alpinistëve më të mirë të ushtrisë, bluzat e bardha kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë, por ende nuk është vendosur për një të tillë në shtyllën kurrizore. Më e mirë është situata e rreshter Kuçajt, një prej snajperëve më të mirë të ushtrisë. Mbi të është kryer ndërhyrja në krahun e djathtë dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Dy efektivët komando u aksidentuan gjatë një stërvitjeje të zakonshme zhvilluar në ambientet që i përkasin regjimentit komando. Stërvitja përkonte me vizitën e së hënës të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, përkatësisht përfaqësues të Nënkomisionit të Marrëdhënieve Transatlantike, të kryesuar nga senatori italian, Sergio de Gregorio. Në përbërje të këtij delegacioni kishte përfaqësues të parlamenteve nga Anglia, Franca, Spanja, Portugalia, Polonia, Turqia, Maqedonia e Serbia. Grupi komando po kryente një ndërhyrje nga ajri në ndërtesë dhe për arsye teknike në zbritje u rrëzuan nga një lartësi 4 metra. Ata pësuan dëmtime në krah, kavile dhe në shtyllën kurrizore. Ndërhyrja nuk u bë e menjëhershme, pasi nën kujdesin e mjekëve atyre iu bënë ekzaminime të tjera për të parë parametrat shëndetësorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›