E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, ekzekutohet me pistoletë një 19-vjeçar

Policia, pa motiv dhe autor të vrasjes. Shoqërohen disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen

Ekzekutohet me armë zjarri një 19-vjeçar nga Shkodra. Viktima është Eduard Thana, ndërkohë që autori i vrasjes ende nuk është identifikuar nga policia. Ndërkohë, motivet dhe rrethanat që çuan në ngjarjen që tronditi qytetin, mbeten mister për uniformat blu. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 18:30 të së hënës, pranë universitetit “Luigj Gurakuqi”, në vendin e quajtur “Dogajt e reja”, një nga rrugët kryesore të qytetit.

Sipas dëshmitarëve okularë në vendin e ngjarjes, viktima është parë duke debatuar me një person tjetër dhe më pas është qëlluar disa herë me armë zjarri. Autori i ngjarjes ka mundur të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar prangosjes së policisë, ndërsa i riu i përgjakur është dërguar për në spitalin rajonal të Shkodrës. Por me gjithë përpjekjet, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë brenda pak minutash, pa mundur të mbërrijë gjallë në spital. Mjekët kanë thënë se i riu kishte marrë katër plagë në organe jetike, çka e ka bërë të pamundur shpëtimin e tij. Trupi i pajetë i 19-vjeçarit është dërguar për në morg, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe më pas do t’u dorëzohet familjarëve. Ndërkaq, uniformat blu kanë sekuestruar në vendin e ngjarjes 5 gëzhoja pistolete, të cilat janë dërguar në laboratorin balistik për t’u ekzaminuar. Burime nga organi blu shkodran bëjnë të ditur se ende nuk dihen motivet dhe autori i ngjarjes. Viktima nuk ka qenë person me precedent dhe nuk njihej si problematik.

Mësohet se deri në orët e vona të mbrëmjes policia ka shoqëruar për në komisariat disa persona që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen dhe mund të ndërtojnë një skenë krimi më të detajuar. Rruga kryesore që të çon për tek universiteti “Luigj Gurakuqi” ka qëndruar për rreth dy orë e bllokuar nga forcat të shumta policore, të cilat kanë kryer veprime procedurale dhe kanë mbledhur provat materiale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›