Ina Rama: Gjyqtarët duhet të marrin pjesë në seminare
Kryeprokurorja Ina Rama ka vlerësuar angazhimin e ambasadës dhe të ambasadorit dhe kërkoi nga vartësit profesionalizëm dhe çuarjen deri në fund të provave në një procedim penal. Ajo tha se krimi ekonomik ka ndryshuar, evoluar dhe nevojiten mjete për ta luftuar, ndërsa vuri theksin se të gjithë aktorët e drejtësisë duhen të angazhohen për të luftuar krimin ekonomik. “Prej disa kohësh lufta kundër këtij lloj kriminaliteti është konsideruar si prioritet i punës sonë”, deklaroi numri një i akuzës, duke shtuar se goditja e këtij fenomeni ka të bëjë me vullnetin e përbashkët të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar. Ajo tha se trajnimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të njësive është gjithashtu një armë pa të cilën nuk mund të zhvillohet beteja e nisur. “Krimi është sofistikuar, veçanërisht ai ekonomik e korrupsioni, atë nuk e gjejmë më në format e tij klasike. Ky lloj kriminaliteti shfaqet agresiv, i rafinuar, i mirorganizuar, i aftë të zhvillohet në dukje nën petkun e një aktiviteti të ligjshëm”, pohoi më tej Ina Rama, duke shtuar se trajnimi e profesionalizimi i prokurorëve dhe oficerëve të njësive është jetik për mirëfunksionimin e këtyre strukturave. “Mendoj që trajnimi më i specializuar në këtë fushë do të ishte i vlefshëm njësoj edhe për gjyqtarët që gjykojnë këto raste, duke qenë se kemi të bëjmë me forma të reja të kriminalitetit e metoda të posaçme të hetimit të këtyre veprave”, deklaroi Kryeprokurorja, duke lënë të kuptohet se shumë prej dosjeve të njësisë Task-Forcë janë ndryshuar në mënyrë të padrejtë nga togat e zeza të të tria niveleve.
#