E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave ankimojnë vendimin për Mediun

“Gërdeci”

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, familjarët e viktimave të Gërdecit i janë drejtuar këtij organi me një ankimim. Dje në mesditë, përfaqësuesit ligjor të Familjeve të Viktimave të Gërdecit, Dorian Matia dhe Andi Kananaj, kanë depozituar pranë Gjykatës së Lartë ankimin për vendimin e marrë nga kjo gjykatë për mosfillimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut. Dy avokatët e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila nuk pranoi t’i kërkonte Parlamentit heqjen e imunitetit për Mediun, duke shtuar se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore. Nëse gjykata nuk pranoi animimin, atëherë mbrojtësit ligjorë të familjarëve të viktimave të Gërdecit do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe më pas në Gjykatat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Familjarët e viktimave kanë deklaruar se nuk do të dorëzohen dhe do të vazhdojnë “betejën” deri sa të vendoset drejtësia. “Në atë tragjedi u plagosën 300 vetë, ndaj do të ketë kërkesa të tjera në gjykatë. Do vazhdojmë pafundësisht të kërkojmë drejtësi, në të gjitha mënyrat”, deklaruan familjarët disa ditë më parë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›