Bllokohen 6 kamionë me pleh, shkonin në Lazarat
Fillon faza e mbjelljes së hashashit në Lazarat. Ditën e djeshme, Policia e Gjirokastrës bllokoi gjashtë kamionë me pleh organik që po drejtoheshin për në fshatin e Lazaratit, për kultivimin e bimës së kanabisit. Aksioni është zhvilluar nga forcat e antidrogës pas informacioneve të marra në rrugë operative për kultivimin e drogës në fshatin Lazarat. Burime të policisë së Gjirokastrës thanë se kanë ndërmarrë një plan masash e veprimesh operacionale, me qëllim luftën ndaj trafikut të narkotikëve. Si pasojë e këtyre masave, vetëm gjatë muajit të fundit mësohet se në Gjirokastër e rrethina është bllokuar më shumë se një ton drogë, kanabis sativa, e dalë nga Lazarati për t’u trafikuar jashtë vendit. Lënda narkotike trafikohet kryesisht në Greqi në rrugë ilegale nga zona e gjelbër e kufirit ndërshtetëror. Por, siç dihet nga ekspertët e policisë në fund të muajit mars dhe gjatë muajit prill, është faza e mbjelljes së kanabisit. Gjatë gjithë kohës së kultivimit të tij, policia nuk është në gjendje të hyjë në këtë territor, pasi sa herë e ka provuar, ka pasur përplasje me armë. Mendohet se edhe këtë vit, vendasit kanë menduar të ushtrojnë “profesionin” e tyre të përhershëm në kultivimin e kanabisit. Sipas të dhënave, masa për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike po merren në të gjithë vendin. Sipas të dhënave nga specialistët e Antidrogës, është bërë harta e gjithë zonave ku mund të kultivohet lënda narkotike dhe do të bëhen takime edhe me komunitetin për parandalimin dhe minimizimin e këtij fenomeni. Gjithashtu, policia e Gjirokastrës ka shoqëruar edhe drejtuesit e kamionëve, që po dërgonin plehun organik në Lazarat, që janë në hetim për ndihmë ndaj kultivuesve të lëndës narkotike.
#