E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azili, kujtimet dhe brengat e njerëzve të vetmuar

Janë të gjithë të kërrusur nga mosha, sëmundjet dhe brengat që u mundojnë shpirtin. I bashkon i njëjti fat, të ndajnë ditët e fundit të pleqërisë me njëri-tjetrin, herë me romuze e herë me kujtime.

Ditët në azilin e të moshuarve në kryeqytet rrokullisen ngadalë, si ritmi i tyre i jetës. Mes tyre ka njerëz fjalëpakë, që nuk u ndihet zëri, por ka edhe të tjerë që historitë i kanë të shumta dhe dëshirën për të rrëfyer të madhe.

Të braktisur. Këtë fjalë nuk duan ta dëgjojnë, ndonëse një pjesë e tyre jetojnë në azil duke pasur fëmijë e familje. Por ka edhe nga ata për të cilët pengu më i madh në këtë jetë ka qenë mungesa e gëzimit të një fëmije.

Adil Arapi është një 71-vjeçar, i cili që prej 6 vjetësh është bujtës i këtij azili. Është një i moshuar që bie në sy menjëherë, jo thjesht prej pamjes së tij të jashtme dhe flokëve që i ranë kushedi se kur, por nga gjallëria me të cilën të drejtohet. Ka një kujtesë të fortë, që lodhja e viteve thuajse nuk e ka prekur. Është një njeri i thjeshtë, me një jetë që ndokujt mund t‘i duket e zakonshme. Por sa më shumë që tregon për veten, aq më tepër bindesh se sa ka jetuar ky njeri. Është martuar tri herë, por duket se me bashkëshorten e fundit ka mundur të gjejë atë që ka kërkuar. "E kemi dashur shumë njëri-tjetrin", thotë Adili dhe nuk e fsheh aspak dhimbjen që ndjen për humbjen e njeriut të jetës. Është pikërisht ndarja nga jeta e gruas së tij, shkaku që ai braktisi Përmetin, për t‘u sistemuar në azilin e të moshuarve të Tiranës. "Nuk kishte kush të kujdesej për mua dhe ika e lashë shtëpinë për të ardhur këtu", thotë 71-vjeçari. Plot mall ai përshkruan edhe shtëpinë e tij në Ballaban të Përmetit, ku siç thotë edhe vetë, "kur dilje në dritare, këpusje degën me qershi".

Gjithçka i ka mbetur pas. Shoqëruesit më të mirë të ditëve të tij në këtë zonë të periferisë së kryeqytetit janë kujtimet. Teksa gërmon në memorien e ditëve të rinisë, rigjen gëzimin e mbrëmjeve rinore që zgjasnin deri në mesnatë dhe vallëzimet që i nxehnin gjakun çdo të riu të kohës. "Ka pasur shumë gjallëri rinia në atë kohë", kujton Adili dhe me gishtat e rrudhur nga mosha heq vija të rrumbullta mbi tavolinë, sikur do të shkruajë atë që i pëlqen më shumë. Ka vetëm katër klasë shkollë, por as kjo nuk e ka penguar që të hapë vetë një gazetë për Dishnicën dhe historitë e njerëzve të saj. "Shkruaj nga malli për rrugët, për rakinë, për njerëzit e mirë të kësaj zone, por edhe për dëshmorët e heronjtë tanë", tregon Adili, me një pasion mbresëlënës. Në këtë jetë thotë se ka peng vetëm mungesën e një fëmije. Ai ka shumë të afërm në kryeqytet, motra e vëllezër, me të cilët takohet thuajse çdo ditë, ndërron muhabete e pse jo thur edhe plane. Tani pret ditën kur do të bashkohet sërish me të shoqen dhe nuk duket se i trembet asaj ore. Ai largohet qetë dhe me një hap disi të lehtësuar.

Historitë në shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet nuk mbyllen këtu. Mes tyre ka edhe shumë trishtim. Një i moshuar qëndron gjithë kohën i shtrirë në shtrat. Ai nuk mundet të lëvizë pa ndihmën e personelit. Është i paralizuar, ndonëse kjo nuk ka mundur t‘i cenojë fisnikërinë dhe pamjen burrërore. Ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Por nuk ndihet aspak i qetë kur e pyet se përse nuk jeton me ta. Fjalën e keqe nuk e nxjerr nga goja dhe thotë se ata kanë jetën e tyre dhe ai nuk do t‘i bëhet barrë askujt. Nuk dëshiron të flasë më gjatë, duke kyçur brenda vetes dhimbjen që i lexohet në sy e në rrudhat e ballit.

Në një tjetër dhomë të azilit, ku tre të moshuar ndajnë një sipërfaqe modeste së bashku, dikush të sheh shtrembër dhe sapo kupton qëllimin e vizitës, nxiton të shmanget e të qëndrojë larg aparatit fotografik. Duket se ndihet i kërcënuar nga ajo që bart në vete dhe e mbron me fanatizëm për të mos ia zbuluar kujt.

Por ka edhe të tjerë që miqësisht të tregojnë hallet që kanë, e sidomos ato të shtëpisë ku strehohen. Kështu, mes të mirash e të këqijash, kujtimesh dhe ankesash nderet jeta e moshës së tretë në një zonë të largët periferike në Tiranë. Të lënë vetëm, nga natyra apo nga evlati, këta të moshuar rendin pas ditëve të fundme me dëshirën për të jetuar edhe pak, sido që të jetë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›