Azizi ankohet në ministrin Krasniqi
Aziz Salihu nuk ka të ndalur së ankuari. Legjenda e boksit kosovar të mërkurën e ka mbajtur edhe një tjetër konferencë për media, në të cilën kësaj radhe u ankua në ministrin e Sportit, Memli Krasniqi. Në fakt, Salihu tregoi se gjatë një takimi të rastësishëm me Krasniqin, ky i fundit e kishte injoruar atë.
“Shkova në Ministri për ta bërë një kërkesë për ndihmë. Rastësisht u takova me ministrin. Ai u soll tepër keq me mua. Eshtë e turpshme sjellja e tij. Ai më tha se ti je vetëm një ish-sportist për mua, dhe asgjë më shumë. Por, unë nuk jam ish-sportistë unë jam sportist i merituar, pjesmarrës në tri olimpiada...”, tha Salihu i zhgënjyer.
Për ta vërtetuar sjelljen e ministrit Krasniqi ndaj tij, Salihu e kishte ftuar në takimin me gazetarë edhe një dëshmitar. “Unë isha me Azizin. Vërtet, ministri u soll shumë keq me të. Ai i tha Azizt t’i je vetëm një ish-sportist. Ministri u soll shumë keq”, tha Pajazit Halimi.
Ai u ankua sërish duke thënë se është lënë anash nga të gjithë dhe se i mungon përkrahja nga institucionet e vendit. Salihu sërish kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta përmirësojë tretmanin ndaj tij. Sportisti i Shekullit edhe një herë ka përsëritur se kërkon që institucionet shtetërore t’ia sigurojnë pensionin që i takon si sportist i merituar.