Ministri premton përkrahje për ndërkombëtarizim
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka uruar Federatën e Shigjetarisë të Kosovës (FSHK), për pranim në Federatën Ndërkombëtare të Shigjetarisë me të drejta të plota. Ai ka ofruar përkrahjen e plotë për federatën e tretë nga sportet olimpike në Kosovë, që ka arritur të pranohet në federatën përkatëse ndërkombëtare.
Në takim me ministrin, nga FSHK-ja kanë qenë të pranishëm Bardhyl Luzhnica, president dhe Agron Mala, sekretar. Duke i përgëzuar për punën e madhe që kanë bërë, ministri Krasniqi tha se mbështetja nga MKRS-ja nuk do të mungojë në asnjë rrethanë.
Ai e ka quajtur një shembull të mirë Federatën e Shigjetarisë të Kosovës me punën që ka bërë, ndërsa shfaqi shpresën se shumë shpejt edhe federatat e tjera do të bëhen pjesë e asociacioneve përkatëse ndërkombëtare. MKRS-ja dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, tha ministri Krasniqi, po punojnë në shumë drejtime, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike Londra 2012, nën flamurin e Kosovës.
“Ne jemi duke punuar, siç thuhet, në të gjitha frontet, për t’ia mundësuar Kosovës pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. Është vërtetë se prioritet yni është krijimi i mundësive për pjesëmarrje të sportistëve tanë në Londra 2012, tha ai duke folur edhe për mbështetjen dhe progresin që është arritur në kërkesën për pjesëmarrje në Londra 2012.