Hamren i përgjigjet Harbuzit

Erik Hamren pretendon se gjithmonë fton në përfaqësuesen suedeze lojtarët më të mirë që ka ky vend në dispozicion. Një ditë më parë, futbollisti kosovar, Labinot Harbuzi, që luan në Gençlerbirligi dhe ai boshnjak, Emir Kujovic, që luan te Kayserispori, e kishin kritikuar Federatën e Futbollit të Suedisë dhe shtabin teknik të përfaqësueses, për faktin se i ka lënë anash.
Harbuzi thoshte se, edhe pse po luan mirë në kampionatin turk, nuk ka marrë ftesë kurrë nga selektori Erik Hamren. Madje, ish-futbollisti i Malmos kishte thënë se dëshiron të luajë për Shqipërinë, pasi u anashkalua vazhdimisht nga Suedia.
“Ne kemi një kontroll të lojtarëve suedezë që luajnë në Evropë. Unë i marr lojtarët që mendoj se janë më të mirët për skuadrën kombëtare. Nuk dëshiroj të diskutoj për lojtarët specifikë. Ku kemi qenë dhe cilët lojtarë i kemi vizituar, nuk dëshiroj të flas”, tha Hamren për Sportbladet.
“Mua më përket t’i ftoj lojtarët më të mirë për skuadrën. Ne i kontrollojmë kampionatet, por nuk mund të shikojmë çdo ndeshje të lojtarëve. Nëse një lojtar është i mirë dhe e meriton të ftohet, mund t’ju garantoj se nuk do të mungojë në përfaqësuese”, përfundoi Hamren. Aktualisht, në përfaqësuesen A të Suedisë luan futbollisti tjetër kosovar, Emir Bajrami.