E Diel, 1 Nëntor 2026

(B)ANALISTËT

Autori i Lajmit: Smajl Smaka
Me rritjen e numrit të organeve të masmedias, të shtypura e elektronike, numerikisht dukshëm është rritur, madje në mënyrë inflative numri i të ashtuquajturve analistë, me thonjëza dhe pa thonjëza.
Pra konstatimi duket sikur të jetë kontradiktor: numërikisht shtohet numri i organeve mediatike, e i analistëve, por mbetet i vogël numri i analistëve të mirëfilltë, autoritativë, të besueshëm. Për keqardhje, mbetet në gishta të numërohen emrat e analistëve profesionistë, i atyre që vërtetë kanë ndikim e kredibilitet në opinion, që u besohet fjalës e gjykimit të tyre. Numri i tyre mbetet prore i paktë, stagnantë, pasiqë numri është shtuar vetëm në aspektin numerik, statistikor. Edhe pse numri i analistëve numërikisht është shtuar dukshëm, mediat e kanë kufizuar numrin e analistëve në një rreth të caktuar njerëzish, varësisht nga interesi e interesimi i ngushtë, sepse në media nuk jemi hapur sa duhet ndaj botës akademike, intelektualëve profilesh të ndryshme, ndaj mendimit të pavarur e kritik intelektual.
Mendimi intelektual
E kemi rrudhur listën e analistëve vetëm me disa emra nga kruzhoqet e drejtuesve të medias, në disa qarqe të të njohurve tanë, të miqve, pjesëtarë klanesh për arsye protektimi, mbrojtjeje apo ndonjë interesi meskin personal, për shkaqe karriere, joparimore, për interesa të ngushta klanore, grupore. Unë pa pretendime për klasifikim e tyre, hiç respektin për të rrallët, disa prej tyre do ti quaja banalistë, pa thonjëza, pa kllapa, apo në kllapa do vija vetëm shkronjën (b)analistë. Kujtoj se disa janë analistë nën thonjëza, disa janë analistë të praktikës së përgjithshme, pa asnjë specializim, disa të pagëzuar nga miqtë si analistë, si çështje mode, disa analistë të vetëshpallur, disa analistë të rastit e disa analistë aksidentalë. Disa syresh janë pa profesion të caktuar, e që pandehin se mund të hyjnë në politikë e gazetari, pa diplomë, pa dije, pa përvojë e profesionalitet. Por, beteja me kohën e kushtet materiale janë limituese- faqet e gazetave duhet mbushur, minutazhin televiziv duhet mbushur dosido. ”Dimri e ha kashtën” thotë një fjalë e urtë shqipe. Ka shumë pretendues, mëtues për titullin e analistit, por numri më i madh mbeten analistë në tentativë që të bëhen opinionorientues, opiniondrejtues, opinionformues. Ata, pra (b)analistët e aksentuar kanë krijuar me mediat lidhje organike nga më të ndryshmet-klanore, grupore, partiake, të interesit, materiale, rajonale, faresinore, familjare...që t i drejtohen sa herë të duan opinionit, përmes mediave të shkruara, atyre elektronike, që t i prezantojnë e shpalosin analizat e tyre të famshme, “minucioze”, ”shkencore”, për fenomenet, ngjarjet, zhvillimet, me parashikimet profetike për ditët, muajt, vitet e ardhshëm. Ata, në sajë të medias tonë tashmë janë shndërruar në një kastë shoqërore, pothuaj të profesionalizuar, analistë, komentues kujdestar, në shërbimin e urgjencës mediatike, duke u shndërruar në persona të njohur shoqërorë, persona publikë, të cilët i drejtohet opinionit sa herë të duam me shkas e pa të, që t i sqarojnë gjendjen, rrethanat, pasojat, sukseset, ngecjet, dështimet. Por, përkundër shtimit numërik të tyre, ata kanë krijuar monopole në mediat e caktuara, sepse shfaqen sa herë të duan, kur të duan. Me shkas e pa shkas, e më se tepërmi për vetëpromovime. Por, në të shumtën e rasteve shumë nga ta publikisht bien në pozita mjerane, të një diskreditimi personal publik, në situata nganjëherë komike, pasiqë nuk kanë asnjëlloj qasje e metodologji shkencore, kurrfarë argumentesh shkencore, të cilëve kronikisht u mungojnë të dhënat elementare: shifrat, datat, përqindjet, emrat... etj. Prandaj, analistët tonë kryesisht më shumë demonstrojnë mosnjohjen e temës, mosdijen e tyre, sesa eleborojnë e zbërthejnë problemin e shtruar, siç pretendon analiza. Një fjalë e urtë thotë: ”Nëse nuk flet, njerëzit mendojnë se nuk di, e po qe se flet, edhe binden për këtë”! “Analistët” e aksentuar në paraqitjet mediale shumicën e rasteve mbulohen me fjali e konstatime të përgjithësuara, me frazeologji politike, me retorikë boshe, me fjali e konstatime të stërpërseritura, për të krijuar efekte boshe. Më shumë i ngjan një loje fjalësh, një loje mendimesh, sesa një eksplikimi shkencor, analitik. Madje, ata shfaqin prirje e ambicie të analizojnë të gjitha fenomenet shoqërore: që nga terrorizmi, politika e jashtme, integrimet evropiane, politikat në Ballkan, gjendja politike, e sigurisë, ekonomike, politika kulturore, gjuhësia, arsimi, shëndetësia, gjyqësia, papunësia, korrupsioni, deri të bujqësia... Pra, të tillët “kanë shumë dëshirë ta dëgjojnë e shikojnë veten duke folur”, kanë aq konsideratë ndaj vetes, që kufizohet me egocentrizmin, duke promovuar veten si analistë të praktikës së përgjithshme. E konsiderojnë veten me kompetencë që të japin gjykime, vlerësime të qëndrueshme, valide, e të pakontestuara nga më të ndryshmet, varësisht nga tema e pyetja që u bëhët atë ditë, nga mediumet tona. Flitet se njërin nga analistët tonë nuk e kishin lexuar as parë tre ditë në asnjë medium tonë, dhe e kishin pyetur në rrugë kalimtarët e rastit, me brengosje në mos kishte qenë rastësisht i sëmurë! Personalisht çuditem për guximin, por edhe për dyfytyrësinë e tyre që si analistë të prezantohen ta zëmë të shkruajnë e analizojnë për gjyqësinë para lexuesve, shikuesve e dëgjuesve studenti i përhershëm i Fakultetit të Drejtësisë, apo të analizojë ekonominë gazetari, student i vitit të parë të edukatës fizike, apo i biologjisë!!!
Çfarë ndodh…
Çuditem e shpesh i marrë me humor ata që ashtu flasin dhe ata që i ftojnë në cilësinë e analistit. Por, është edhe një e mirë në aspektin e qartësimit, sepse në fillim e fund të intervistës në shtyp apo radio a televizion redaktorët dhe moderatorët i prezantojnë ata si analistë, sepse ndryshe opinioni nuk do ta dinte se kush dhe çfarë janë. Pa këtë prezantim paraprak, apo postprezantim do krijohej konfuzion në opinion. Pra, opinioni i pafajshëm e merr vesh kush janë vetëm nga prezantimi i tyre. Ndryshe do kishte huti publike. Dhe, kjo është vetëm njëra anë e çështjes, një dimension, pra moskompetenca profesionale, shkencore, pamundësia e analistëve tanë për të parë, trajtuar e vlerësuar gjithanshëm temën e rrahur në kontekstin shoqëror, kohor. Aspekti tjetër është kredibiliteti i disa analistëve të pretenduar. Le të më lejohet një pyetje! Çfarë është besueshmëria e opinionit tek këta analistë? Sa u beson opinioni personalisht dhe cili është opinioni i opinionit publik e besueshmëria tek ndonjëri prej analistëve të aksentuar në këtë shkrim?! Media merret shpesh me temën e familjarizmit, nepotizmit, grupeve të interesit, klaneve në shoqërinë tonë, por sa këto fenomene reflektohen edhe te ne mediat, si forma e veprime abuzive, korruptive. Si shembuj eklatant keqpërdorimi të fjalës publike!
Analistët tanë kanë përgjigje të gatshme për të gjitha pyetjet para opinionit të brengosur dhe fjali, konstatime, vlerësime e prognoza të depozituara, fraza monotonisht të përsëritura çdo ditë. Por, me një gjuhë e argumente intelektualisht të çalë. Shpesh ndodh, që paraqitja të jetë një improvizim i radhës, një dështim i radhës. Por faji nuk është vetëm i tyre, është edhe i medias, sepse u krijojnë hapësirë për vetëpromovime të çdoditshme, të çdonatshme të disa analistëve të parapaguar. Pastaj, po të shikohen nën prizmin e një analize psikologjike, do verejmë pa ndonjë zor se disa nga analistët e proklamuar janë të kompleksuar, të cilët duke pozuar përpiqen të shesin mend, të filozofojnë (në aspektin pejorativ), të demonstrojnë rrejshëm brengosje për situatën e vështirë të popullit, për problemin e rrahur, në prezantimin e tyre, sidomos televiziv kanë aktrim e deklamim me gjestikulime, me grimasa në paraqitjet e tyre në ekrane, duke e supozuar veten intimisht në rolin e misionarit, largpamësit e shpëtimtarit.

Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›