E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermanët, 45 mijë euro për pastrimin e Gërdecit

Autori i Lajmit: Red.
Zona e Gërdecit pas shpërthimit tragjik të 15 marsit vazhdon të jetë një front pune për pastrimin e territorit nga lëndët dhe mjetet luftarake të pashpërthyera.
Ato mbeten një rrezik potencial për banorët. Veç forcave ushtarake dhe përfaqësuesve të organizatave joqeveritare shqiptare, në Gërdec ka dhe ekspertë dhe vullnetarë të huaj, mes tyre dhe organizata daneze Folkekirkens Nødhjælp (organizata e kishave popullore daneze në raste emergjencash).
Projekti
Ministria e Jashtme e Gjermanisë po mbështet një projekt pikërisht me këtë organizatë daneze për të realizuar pastrimin e zonës së Gërdecit. Ambasadori gjerman në Danimarkë, dr. Gerhard Nourney dhe shefi ndërkombëtar i (FKN-së), Christian Friis Bach kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila u hapi rrugën punimeve për pastrimin e zonës. Ministria e Jashtme gjermane ka akorduar një ndihmë prej 45 mijë eurosh. Sipas një njoftimi për shtyp të ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, “pas fatkeqësisë së shpërthimit në Gërdec erdhi me kërkesë të qeverisë shqiptare për të dhënë ndihmë në largimin e municionit të pashpërthyer, i cili shtrihet në një zonë relativisht të gjerë në afërsi të kryeqytetit Tiranë. Ministria e Jashtme gjermane ka bërë të mundur vazhdimin e punës, duke akorduar një ndihmë prej 45.000 eurosh.
Pastrami i municioneve
Mbi 500 copë municione, kryesisht granata të pashpërthyera janë larguar dhe u janë dorëzuar ushtrisë për t u shkatërruar. Për këtë kontribut FKN ka marrë nga ushtria shqiptare një certifikatë në shenjë mirënjohjeje për misionin që po kryen atje. Gjermania është prej vitesh një aktor dhe donator kyç në misionet ndërkombëtare të çminimit. Pjesë e projekteve të saj për këtë vit është vazhdimi i mbështetjes së organizatës së kishave popullore daneze në raste emergjencash në zonën veriore të Shqipërisë.
Ky lajm është publikuar: 26/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›