E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bollano, klithma ekstremiste”

 

Kryeministri Berisha u shpreh dje, se qeveria greke nuk do të ndikohet nga presionet e ekstremistëve për të penguar ratifikimin e MSA-së me Shqipërinë. Këtë deklaratë Berisha e bëri gjatë një konference për shtyp në ditën ndërkombëtare të së Drejtave të Njeriut i pyetur rreth letrës së organizatës OMONIA në adresë të Parlamentit grek. "Qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t`i shkojnë ato. Është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri deklaroi  se të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri kanë përbërë për qeverinë shqiptare një përmirësim madhor dhe ka shumë vendime, të cilat nuk janë marrë nga vende të tjera të rajonit siç janë marrë nga Shqipëria në favor të minoriteteve. Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e vazhdueshëm të këtyre të drejtave. Rreth një muaj më parë, organizata OMONIA përmes një letre i kërkonte parlamentit grek të mos ratifikonte marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me Shqipërinë nëse vendi ynë nuk garantonte disa të drejta të mohuara për minoritetin grek në Shqipëri deri tani të injoruara. Ata arrinin deri në kërkesën për ndërhyrje në Kushtetutën e Shqipërisë për të shpallur zonat ku jeton minoriteti grek në jug të Shqipërisë, si zona me një status më të pavarur nga qeverisja qendrore. Sipas saj, nëse këto kushte nuk plotësohen nga shteti shqiptar, parlamenti grek të mos jepte votës e saj pro MSA. Kryeministri Berisha e konsideroi minoritetin grek në Shqipëri si më të shtypurin gjatë kohës së diktaturës njëlloj si dhe zona të tjera shqiptare si Shkodra, por dhe kosovarët në Shqipëri. "Minoriteti grek sipas statistikave reale pas qytetarëve të Shkodrës ka qenë komuniteti i shtypur në mënyrën më të egër nga diktatura. Shkodra dhe minoriteti kanë pasur mijëvjeçarët e burgjeve në kurriz, ekzekutimet dhe terrorin. E ka pasur e gjithë Shqipëria, por këto të dyja kanë qenë fokuset. Gjithashtu dhe kosovarët, që jetonin në Shqipëri kanë përjetuar të njëjtin terror", tha Berisha.

OMONIA: Të mos firmoset MSA

Organizata e minoritetit grek, OMONIA i kërkon zyrtarisht Greqisë të mos e ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, kjo shoqatë apelon domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare para se Athina t'i japë "OK"-in hyrjes së saj në familjen evropiane. Në thelb, kërkesa bazë e OMONIA-s, kryetar i së cilës është kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, është dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin. Në memorandumin drejtuar Athinës zyrtare, OMONIA pretendon pikësëpari që Shqipëria të njohë si zonë minoritare pothuajse gjithë Jugun e vendit, të banuar sipas saj, qysh para 3 mijë vjetësh nga grekët etnikë. "Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit, ato zona të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla si për shembull, Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si edhe 99 fshatra përreth tyre", kërkon OMONIA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›